Ndërtuesi mashtrues, i la peng 3 apartamente të bllokuara nga banka

1577
Sigal

70 milionë lekë për një gabim të hipotekës

“Fiks fare” denoncoi sot veprimet e një ndërtuesi që kishte mashtruar një qytetare duke i marrë shtatë milionë lekë borxh dhe duke i lënë peng tre apartamente, të cilat pas disa vitesh dolën se ishin të bllokuara nga banka. Për një gabim të bërë nga punonjësit e hipotekës, qytetarja humbi 70 milionë lekë. E gjitha ndodhi, pasi kompania e kontraktuar nga hipoteka, nuk ka hedhur në sistem inskriptet e bllokimit të pronës nga banka. Ndërtuesi Iljas Fisheku mashtroi qytetaren, duke i marrë 70 milionë lekë borxh dhe si “peng” i lë tre apartamente në rrugën “Don Bosko”. Hipoteka nuk e kishte regjistruar bankën si kreditore të parë dhe apartamentet figuronin të lira në hipotekë. Në “Fiks Fare” u paraqit Dallëndyshe Tanushi, e cila denoncoi Iljas Fishekun, pronar pallatesh dhe hipotekën. Ajo thotë se i ka dhënë zotit Fisheku, 7 milionë lekë (të reja) borxh, në përputhje me ligjin dhe me kontratë noteriale. Në rast mos shlyerjeje të shumës z.Fisheku i detyrohej znj. Tanushi tre hyrje në pallatet e tij, në rrugën “Don Bosko”. Për këto tre hyrje, noteri bën verifikimin në hipotekë në vitin 2015 dhe rezultojnë se tre apartamentet ishin të pastra, pra nuk ishin të bllokuara nga asnjë subjekt tjetër. Kështu që sipas marrëveshjes dypalëshe apartamentet bllokohen në vitin 2015 për llogari të zonjën Tanushi. Vetë zonja pas verifikimit nga noteri, bën një tjetër verifikim, ku rezulton se apartamentet ishin të pastra. Kaluan disa vjet dhe biznesmeni Fisheku nuk i ktheu zonjës borxhin e marrë, për këtë arsye zonja Tanushi iu drejtua në gjykatë ku nxori urdhrin e ekzekutimit. Pasi vajti çështja në përmbarim dhe u hap ankandi, zonja Tanushi thotë se “debitori filloi të bëjë manovra për të mos shlyer borxhin. Banorët që kishte në hyrjet e bllokuara për llogari të zonjës Tanushi debitori Fisheku, i pajisi me deklarata noteriale sikur ua kishte shitur edhe atyre”. Zonja Tanushi thotë se u përfshi në procese gjyqësore me banorët dhe banka, Alpha bank. Kjo e fundit në kartelat e rifreskuara që mori zonja në 2018 del që është kreditore e parë. Pra, banka kishte bllokuar apartamentet e lëna peng përpara firmosjes së aktit noterial mes ndërtuesit Fisheku dhe zonjës Tanushi. Pra, zonja humb paratë e dhëna borxh si dhe apartamentet.

Por sipas dokumenteve të marrë në hipotekë në vitin 2015 banka nuk figuronte si kreditore dhe me të drejtë zonja Tanushi thotë: “Unë po ta shikoja që hyrjet janë të bllokuar për bankën nuk do i jepja kurrë ato para borxh”. Ajo tregon se kartelën e ka gjetur të pastër, si ajo ashtu edhe noteri i saj. Në bazë të këtyre të dhënave ajo dha paratë borxh. Nga tre apartamente, dy i ka humbur me procese gjyqësore në shkallë të parë dhe apel. Ndërkohë ka një tjetër, të cilën e ka fituar në shkallë të parë, dhe apeli e ka kthyer sërish në shkallë të parë. Znj Tanushi thotë fajin e ka hipoteka, madje kjo e fundit i ka kthyer edhe një shkresë, ku pranon gabimin e mos hedhjes në sistem të të dhënave për tre apartamentet e bllokuara. Qytetarja shkon në hipotekën e Tiranës, ku juristi i pranon se gjithçka ka ndodhur për shkak të një gabimi që ka bërë kompania, e cila para disa vitesh është kontraktuar nga ZRPP për të hedhur në sistem të dhënat. Kompania nuk ka hedhur bankën si kreditore fillestare, por Zonjën Tanushi, pasi bllokimi i bankës figuron në vitin 2006, ndërkohë që në 2015 zonjës Tanushi këto apartamente i kanë rezultuar të lira në hipotekë. E gjetur në këtë situatë ajo shkon të takojë debitorin e saj, Iljas Fishekun për të kuptuar se si ia arriti ai që një pasuri ta linte për tri borxhlinj, bankën, znj Tanushi dhe banorët që janë brenda. Ai nuk ndodhet tek zyrat e tij në Golem, por komunikon me zonjën në telefon. Ai ia njeh borxhin por thotë “Ti ke zgjedhur, gjykatat e prokuroritë për ta zgjidhur ndaj zgjidhe me ato. Kur t’i kem, do të t’i jap paratë”.

“Fiks fare” iu drejtua zyrtarisht hipotekës. ZRPP në përgjigjen e saj zyrtare pranon se gabimi është bërë nga kompania që është kontraktuar nga drejtuesit paraardhës të këtij institucioni. Në përgjigjen e saj hipoteka e Tiranës pranon se “Në kundërshtim me procedurat e përcaktuara në ligjin ‘Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme’, për regjistrimin fillestar, kompania e cila ka kryer këtë procedurë në zonën kadastrale nr 8310 nuk ka mbartur inskriptet në kartelat e pasurive të paluajtshme. Si pasojë e këtij veprimi të gjitha pasuritë në pronësi të z. Ilias Fisheku rezultonin të lira”.