Zyrtarizohen çmimet e biletave të autobusit për linjat ndërqytetëse, rritja deri në 50%

26
Sigal

Edhe pse çmimet e biletave të autobusit për linjat interurbane përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, që prej vitit 2007 ato kanë mbetur të pandryshuara dhe vetë operatorët kanë caktuar çmime më të shtrenjta se ato zyrtare.

Por me vendimin e fundit, të publikuar në Fletoren Zyrtare, qeveria ka ndryshuar çmimet e biletave, për linjat ndërqytetëse, duke i rritur ato deri 50% më shumë krahasuar me tarifat e përcaktuara në vendimin e vitit 2007.

Çmimet e reja nisin nga 50 lekë për distancën 10 km deri në 1,450 lekë për distancën 330 km. Por nëse këto çmime do krahasoheshin me ato të vitit 2007, çmimet nga distanca prej 10 km deri në 300 km janë rritur nga 43 deri 50%.

Por Shoqata e Transportit Ndërqytetës thotë se udhëtarët e linjave me autobus nuk preken nga ndryshimet e çmimeve pasi nuk kemi të bëjmë me rritje çmimesh, por formalizim të tregut.

“Nuk kemi të bëjmë me rritje të tarifave, madje për disa itenerare çmimet e biletave janë më të ulëta. Çmimet në VKM e re janë zyrtarizmin i tarifave aktuale që aplikojnë operatorët e linjave ndërqytetëse. Pra kemi të bëjmë me formalizim të tregut dhe vënia në zbatim e pajisjeve të fiskalizimit që do të sistemojë tregun”.