Mashtrimet e Ministrisë me dokumentin “Mbi Politikat e sektorit të pyjeve në Shqipëri”

342

Duke lexuar këtë Dokument, megjithëse i mirëkuptoj hartuesit, si një pensionist që kam kaluar rreth 45 vite në shërbimin pyjor, u dëshpërova, u indinjova, dhe çka është më e keqja, nuk u gjeta ndonjë shpresë. Dokumenti ka shumë teori për pyjet, rëndësinë, vlerën, biodiversitetin, dioksidin e karbonit etj. etj. të cilat i gjen edhe në librat e shkollave të ciklit 8 vjeçar. E parë në këtë këndvështrim mund të quhet edhe Dokumenti i Letrarizuar “Mbi politikat e sektorit të pyjeve në Shqipëri”

Për korrektesë po jap mendimet e mia për disa pjesë të këtij dokumenti.

Në dokument shkruhet: “Gjatë procesit për hartimin e dokumentit të politikave, përveç faktorit “kohë” dhe mungesës së informacionit të saktë dhe real mbi pyjet, kufizimet i atribuohen kryesisht faktit që gjatë diskutimeve aktorët përgjithësisht ishin të orientuar vetëm nga problematikat aktuale dhe ishte shumë e vështirë të orientohej diskutimi drejt së ardhmes dhe pyjeve që duam.”

“Dokument për të ardhmen: Orienton sektorin drejt gjendjes së dëshiruar dhe JO një plan pune për zgjidhjen e problematikave të sotme.” (faqe 9)

E vërtetë. Por çdo të bëjmë deri kur të realizohet kjo “gjendje e dëshiruar”, dhe më tej kur do të realizohet kjo gjendje. Asnjë afat të përcaktuar nga fillimi i dokumentit deri në faqen e fundit.

Në dokument shkruhet: Ndërsa në 1939 filloi për herë të parë në Shqipëri “Java e Pyjeve”, duke kryer pyllëzime në kodrat rreth Tiranës. (faqe 10)

E pa vërtetë.

Quhej “Java e drurit” dhe jo “Java e pyjeve” dhe as “Java e pemëve” (siç flitet rëndom këto vitet e fundit, bile edhe nga specialistë e pyjesh, që po imitojnë shefat e tyre, të cilët, këta të fundit, për hir të së vërtetës, nuk kanë faj, pasi nuk kanë asnjë arsim apo lidhje me pyjet përveç postit që u ka dhënë partia).

Nuk ka filluar më 1939 por në tetor 1931 “Java e drurit” fillonte më 20 nëntor dhe mbaronte më 27 nëntor me rastin e të Kremtes Kombëtare të Flamurit. (“Gazeta e Korçës” Nr. 1276, e martë 3 tetor 1931 dhe nr. 1285 , e martë 24 nëntor 1931).

Sot, me keqardhje, nuk ka mbetur as “Java e pyjeve” e as “Muaji i pyjeve” . 27 janarin brezi i veteranëve e përkujton me nostalgji, ndërsa shteti më shumë si propagandë në Televizion se sa si aksion në Pyll e për Pyllin.

Në dokument shkruhet: Pas shpalljes së Pavarësisë, filloi funksionimi i Administratës së Pyjeve, në varësi të Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare. (faqe 10)

E pa vërtetë: Në Qeverinë e Ismail Qemalit administrimi i pyjeve iu ngarkua Ministrisë së Bujqësisë me ministër z. Pandeli Cale.

Në dokument shkruhet: Pas çlirimit të vendit…në qershor 1952 miratohet dekreti “Mbi pyjet”, ndërsa në vitin 1961 miratohet ligji i ri “Mbi mbrojtjen e pyjeve”, që synonte vendosjen e një kontrolli më të mirë mbi fondin pyjor. (faqe 10)

E pa vërtetë. Pas çlirimit të vendit dekreti i parë ishte urdhëresa nr. 42 e vitit 1949 “Për pyjet”që caktonte kriteret teknike të mbrojtjes dhe shfrytëzimit të pyjeve.

Në dokument shkruhet: Në vitin 2004 u krye inventarizimi kombëtar i pyjeve. Fuqia e përgjithshme lëndore rezultoi rreth 74 milionë m3 lëndë në këmbë. (faqe 11)

E pa vërtetë. Mund të na thuhet kur janë publikuar të dhënat e këtij inventarizimi?

Në dokument shkruhet: Inventari i 2005 nuk u mor në dorëzim dhe aktualisht po bëhet inventari përsëri pas rreth 12 viteve. Ndaj nuk ka informacion të saktë për pyjet dhe të dhënat janë historike. (faqe 21)

E vërtetë. Por në faqen 11 të këtij dokumenti thuhet se për të përgatitur këtë dokument janë marrë të dhëna nga ky inventarizim?! E më tej kush ka përgjegjësi për këtë dështim?

Në dokument shkruhet: Sektori i pyjeve ka qenë vazhdimisht objekt ndryshimesh shumë të shpeshta si rezultat i aplikimit të programeve përkatëse të forcave të ndryshme politike në maxhorancë por edhe reformave të ndryshme qeverisëse (si ajo territoriale, decentralizimi, institucionale, etj.), çka evidenton mungesën e një strategjie të qëndrueshme dhe të një analize të mirëfilltë të këtij sektori, por edhe nevojën për një reformim të thellë dhe afatgjatë. (faqe 17)

E vërtetë. Por hartuesit e këtij dokumenti ku kanë qenë deri tani në pushtet/qeverisje(të

paktën për 5 vitet e fundit) apo në opozitë?

Në dokument shkruhet: Masat për jetësimin e politikës: (faqe 35).

2.1 Hartimi, miratimi dhe zbatimi i Ligjit të ri kuadër dhe akteve nënligjore konsistente, hierarkike dhe të përafruar me BE.

A e dinë hartuesit e këtij Dokumenti se e ashtuquajtura Reformë e Pyjeve dhe e Shërbimit Pyjor është bërë me një ligj të supozuar, që në dijeninë time, akoma edhe sot e kësaj dite (janar 2019) nuk ekziston.

A e dinë hartuesit e këtij Dokumenti se kjo e famshme reformë është bërë duke pasur si bazë ligjore vetëm urdhëresën Nr. 6567 datë 11. 11. 2015 të Ministrisë së Mjedisit.

Në dokument shkruhet: Sistemi i qeverisjes së pyjeve, duhet të jetë i ekuilibruar, funksional, eficient dhe i aftë të përballojë synimet dhe objektivat e qeverisjes në sektorin e pyjeve dhe më gjerë. Ndër çështjet e identifikuara për organizimin institucional të sektorit, përfshihen: (faqe 37)

-Funksione të copëzuara apo të vendosura/shpërndara në disa institucione dhe nivele të ndryshme, nevoja e konsolidimit të strukturave vendore dhe mungesës së një strukture kombëtare që koordinon politikat dhe programet e Ministrisë me NjVV;

E vërtetë. Por pse nuk shkruajnë hartuesit e këtij dokumenti se vepër e kujt është ky sistem qeverisjeje.

Në dokument shkruhet: Mungesë informacioni dhe dije që nuk shkon tek përdoruesi (nuk ka të dhëna reale, kronologjike, kërkime shkencore dhe shtrirje tek përdoruesi); si dhe mungesë burimesh njerëzore të trajnuar dhe motivuar (mangësi në kapacitete njerëzore dhe në koordinim).

E vërtetë. Por pse nuk shkruajnë hartuesit e këtij dokumenti se specialistët e pyjeve u hodhën në rrugë dhe u zëvendësuan me militantë partie.

Në dokument shkruhet: Masat për jetësimin e politikës: (faqe 37)

Ngritja e KKP si një organ kolegjial kombëtar për miratimin e dokumenteve strategjike, programeve kombëtare, etj dhe e AKP si hallka e munguar midis Ministrisë, AKZM dhe Bashkive; ku AKP do të shërbejë njëkohësisht edhe si sekretariat i KKP.

Nuk kuptohet (shpjegohet) çdo të thotë KKP, do të zgjidhet apo do të emërohet etj. etj. por mendoj se për krijimin e organizmave për pyjet dhe shërbimin pyjor nuk duhet nënvleftësuar përvoja mbi gjysmë shekullore e këtij sektori e në këtë kuadër, pavarësisht nga emri, duhet një organizëm në majë të piramidës së pyjeve dhe shërbimit pyjor, pavarësisht pronësisë apo funksionit të fondit.

Organizmat e kontrollit nuk duhet të jetë në varësi të Ministrisë ku janë pyjet.

Në dokument shkruhet: Masat për jetësimin e politikës: (faqe 39)

6.2 Përfundimi i inventarizimit kombëtar të pyjeve dhe marrja e masave organizative dhe buxhetore për krijimin e strukturave dhe logjistikës përkatëse për inventarizimin e vazhdueshëm të pyjeve që të garantohet nga AKP.

Duke shpresuar për më të mirën nga ky inventarizim (referuar dhe inventarizimit të vitit 2004) mund të shtrohet pyetja: çfarë do të jenë rezultatet e Inventarit të Pyjeve me këto “sipërfaqe provë rastësore” dhe me cilat të dhëna do të krahasohen, si do të pasqyrohen këto të dhëna deri në nivel ngastre, dhe si do të projektohet e ardhmja e pyjeve (masat që do të propozohen) nga të dhënat e këtij inventarizimi. Nga inxh. Hasan Deliu