Autoriteti i konkurencës/ Rekomandimet e dhëna më parë nuk zbatohen nga kompanitë celulare. Nis kontrolli për abuzimin ndaj klientëve

967
Sigal

Autoriteti i Konkurencës: Abuzim me tregun? Rekomandimet e dhëna më parënuk janë mbajtur në vëmendje

AKEP-i të mbajë nën vëzhgim “Vodafone Albania”

Autoriteti i Konkurencës i kërkon Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) që të jetë vigjilent mbi veprimtarinë e kompanisë së telefonisë celulare, “Vodafone Albania”. Sipas Autoritetit të Konkurencës, AKEP duhet “t’i vendosë në dispozicion dokumentacionin që zotëron lidhur me abuzimin e mundshëm me Pozitën Dominuese”. Për institucionin që monitoron konkurencën e ndershme në treg, informacioni nga AKEP-i “do të mundësonte hapjen ose jo të procedurave hetimore të parashikuara në Ligjin “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.

“Përplasja” institucionale

AKEP, me vendimin e saj nr. 78, dt. 01.10.2018, përcaktoi kompaninë “Vodafone Albania” si sipërmarrje me “Fuqi të Ndjeshme në Treg” (FNT). Në bazë të këtij përcaktimi, kompania “Vodafone” përfshihet në një regjim të caktuar ligjor, i cili e pengon atë që të abuzojë me pozitën e fuqishme në treg. Në bazë të një analize tregu, të realizuar nga AKEP, kompania “Vodafone Albania” rezulton më e fuqishmja në tregun e telefonisë celulare, krahasuar me dy kompanitë e tjera. Në këtë kushte, AKEP-i ka detyrimin ligjor që të hartojë masat, sipas ligjit, për të penguar konkurencën e pandershme. Por, vetëm një muaj më pas, e konkretisht me vendimin nr. 89, dt. 15.11.2018, AKEP-i vendosi të shfuqizojë vendimin e saj të mëparshëm, duke rrëzuar në këtë mënyrë edhe “përcaktimin e sipërmarrësit Vodafone-Albania me Fuqi të Ndjeshme në Treg”. Pikërisht, ky vendim shfuqizimi ka nxitur Autoritetin e Konkurencën që të marrë në shqyrtim rastin dhe të shprehë zyrtarisht kundërshtimin e tij. Me vendimin Nr. 635, Datë 04.07.2019, Autoriteti i Konkurencës kërkon nga AKEP-i që “Të realizojë analizën e tregut të pakicës të tregut të telefonisë celulare për të ndërmarrë masat e nevojshme rregullatore për rregullimin e këtij tregu, për përcaktimin e ndërmarrjes “Vodafone Albania” SHA me Fuqi të Ndjeshme në Treg (FNT) në tregun me pakicë të shërbimeve celulare dhe vendosjen e masave rregullatore përkatëse”.

Shqetësimet e “Konkurencës”

Në vendimin e tij, Autoriteti i Konkurencës i rikujton Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare rekomandimet e dhëna më parë për çështjen “Vodafone-Albania”, të cilat, siç konstatohet, nuk janë mbajtur në vëmendje. Komisioni i Konkurrencës, me Vendimin Nr. 366, datë 04.06.2015, “Për detyrimin e ndërmarrjes Vodafone Albania për zbatimin e masave detyruese për barazimin e tarifave dhe minutave brenda me jashtë rrjetit” vendosi: “Detyrimin e ndërmarrjes Vodafone Albania për marrjen e masave detyruese që të ndalojë të aplikojë tarifa në nivel pakicë që kanë efekt diskriminues për sipërmarrësit e rrjeteve të tjera celulare kombëtare, për të gjitha ofertat e hedhura në treg”. Po ashtu, Autoriteti i Konkurencës i ka sugjeruar AKEP-it që të aplikojë ndaj “Vodafone-Albania” atë që quhet “masë rregullatorë e mos-diskriminimit të thirrjeve telefonike brenda dhe jashtë rrjetit”. Por, siç konstaton “Konkurenca”, kjo masë mos-diskriminimi është aplikuar nga AKEP-i jo vetëm për “Vodafone-Albania”, por edhe për dy kompanitë e tjera në treg, të cilat nuk kanë pozitë dominuese në treg. Për Autoritetin e Konkurencës, “Kjo masë e marrë nga rregullatori (AKEP) nuk ka lejuar që dy operatorët e vegjël të rriten. Pra, masat e rregullimit në tregun me shumicë të ndërmarra nga AKEP, nuk kanë ndikuar as në tregun me shumicë dhe as në tregun e pakicës të lidhur me të për të rritur konkurrencën efektive të operatorëve të tij. Përkundrazi, së fundmi operatori Plus ka dalë nga tregu duke çuar në zvogëlimin edhe më tej të konkurrencës efektive si rezultat i masave rregullatore ndaj të gjithë operatorëve, edhe ndaj operatorëve të vegjël. Për rrjedhojë, konstatohet në vendimin e Autoritetit të Konkurencës të Korrikut 2019, detyrimet rregullatore shtesë të vendosura ndaj operatorëve për thirrjet brenda dhe jashtë rrjetit (detyrimi i mos-diskriminimit on-net/off-net), ju është vënë edhe operatorëve të vegjël, “duke mos përmirësuar konkurrueshmërinë për operatorët më të vegjël”. Nga Boldneës.al