AKEP, në sitë kompanitë celulare për cilësinë e tarifat

509
Sigal

Tre kompanitë celulare në vend do të testohen për cilësinë e shërbimeve që ofrojnë tek konsumatori. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare njoftoi se po kërkon aktualisht operatorin që do të udhëheqë fushatën e monitorimit për cilësinë e shërbimit për gjithë territorin e Shqipërisë dhe që më pas do të hartojë dokumentin përkatës. Referuar specifikimeve teknike AKEP nënvizon se matjet do të kryhen për dy aspekte që është ajo e thirrjeve telefonike si dhe shërbimit me internet. “Matjet duhet të jenë për të gjitha teknologjitë që janë të autorizuara nga AKEP ( 2G/3G /4G). Thirrjet me zë do kryhen sipas metodës M2M, pra në lëvizshmeri të plotë. Për data, telefonat duhet të kenë kapacitet matës për teknologjinë 4G CA (duke përfshirë të paktën 3(tre) brezat e autorizuar nga AKEP 800/1800/2600 MHz). Rrjeti i preferuar të jetë 4G. Thirrjet me zë të jenë në 4G/ CSFB dhe në 2G/3G në varësi të strategjisë që ka zgjedhur secili operator” thuhet në dokumentin e AKEP. Zgjedhja e qyteteve sqarohet se do të jetë bazuar në ndarjen administrative të Republikës së Shqipërisë.  Kështu testet duhet të kryhen në lëvizshmëri (Drive Test) dhe duhet të përfshijnë gjithë zonat urbane dhe ato jo urbane, kurse testet për thirrje dhe data do të ekzekutohen në të njëjtën kohë për secilin operator duke përfshirë të gjithë rrugën që kryhet. Në një nga ndarjet e dokumentit AKEP nënvizon se do të ketë një vëmendje edhe tek zonat turistike për cilësinë e shërbimeve ku në fokus do të jenë zona si Velipoja, Shëngjini, Durrësi, Vlora, Riviera, Valbona, Vermoshi, Thethi, Lura, Llogaraja, Dardha, Voskopoja.

Matja në akset rrugore në lëvizje do të përqendrohet në disa të tillë si Tiranë–Korçë-Kapshticë, Tiranë-Shkodër-Vermosh, Tiranë-Vlorë-Sarandë, Tiranë-Gjirokastër-Kakavijë, Gjirokastër-Sarandë-Konispol, Tiranë-Kukës-Morinë, Kukës-Pukë-Shkodër, Kukës-Peshkopi-Burrel-Milot, Kukës-Has-Tropojë. AKEP parashikon që të ketë gati dokumentin 120 ditë pas nënshkrimit të kontratës me operatorin fitues ndërkohë që të dhënat e përfituara do të publikohen në faqen e internetit ku çdo klient mund të shohë se ku qëndron kompania që ai merr shërbimin në raport me të tjerat specifikisht për zonën e tij të interesit.