“Facebook”, plot probleme psikologjike dhe iluzione

473
Sigal

 

“Facebook” dhe rrjetet e tjera shoqërore mund t’ju
çmendin, shprehen shkencëtarët izraelitë. Kërkuesit e Universitetit të Tel
Avivit bënë lidhjen midis psikozës dhe iluzioneve të shkaktuara nga
marrëdhëniet virtuale të kultivuara në rrjetet sociale. Psikoza është një
gjendje e çrregullimit psikologjik, me ose pa dëme fizike, që karakterizohet
prej degjenerimit të personalitetit dhe humbjes së lidhjeve me realitetin, e
për më tepër shkakton edhe humbjen e funksioneve shoqërore të mëparshme.

Studimi shqyrtoi me kujdes tre pacientë për të zbuluar
lidhjen midis çrregullimeve psikologjike të tyre dhe komunikimit në “Facebook”.
Edhe pse të gjithë pjesëmarrësit kishin probleme në lidhje me vetminë, asnjëri
prej tyre nuk kishte pasur probleme me drogën apo probleme psikologjike më
parë.

Të tre pacientët kishin kërkuar ngushëllim prej vetmisë dhe e
kishin gjetur atë në marrëdhëniet virtuale. Fillimisht ndërtimi i këtyre
marrëdhënieve kishte karakter pozitiv, por më pas filloi lëndimi i ndjenjave,
tradhtia dhe shkelja e privatësisë.

Dr. Nitzan tha: “Pacientët ndajnë së bashku disa
karakteristika shumë të rëndësishme, që përfshijnë vetminë ose gjendjen e keqe
shpirtërore pas humbjes së një të dashuri, duke shtuar këtu edhe mungesën e
eksperiencës me teknologjinë”.

Një studim nga Universiteti i Gutengebergut i vitit 2012,
zbuloi se njerëzit me të ardhura të ulëta dhe me edukim të paktën, e shpenzojnë
shumicën e kohës në “Facebook”.

Dhe mes këtij grupi, ata që e shpenzojnë shumicën e kohës në
faqe të ndryshme, janë më pak të lumtur dhe më pak të kënaqur me jetën e tyre.
Njerëzit e vetmuar janë më të prirur për të krijuar shoqëri virtuale dhe kjo
mund t’i çojë drejt lëndimit dhe tradhtisë.

Më shumë se 85 për qind e përdoruesve të “Facebook”-ut
kontrollojnë çdo ditë llogaritë e tyre. 26 për qind e tyre shprehen se janë në
ankth, nëse nuk futen të shohin ç’po ndodh me miqtë e tyre.

Femrat kalojnë mesatarisht 81 minuta në ditë në “Facebook”,
ndërsa meshkujt 64 minuta.

Në secilin rast të studiuar, ekzistonte një lidhje midis zhvillimit
gradual dhe acarimit të mëtejshëm të simptomave psikologjike pas vazhdimit të
përdorimit të “Facebook”, që përfshijnë iluzionet, ankthin, shpërqendrimin dhe
përdorimin intensiv të kompjuterit.

Doktor Uri Nitzan nga Universiteti i Tel Avivit shprehet se
ashtu siç interneti po përhapet me shpejtësi të madhe kudo, edhe sëmundjet
psikologjike të lidhura me të nuk janë më pas.

 

Lajmi i mirë për përdoruesit e “Facebook” është se pas
trajtimit mjekësor, pacientët e studimit ishin në gjendje të shëroheshin
plotësisht nga çrregullimet e hasura.

Dr. Nitzan thotë se të gjithë pacientët kishin të zhvilluara
problemet e psikozës në lidhje me situatën në të cilën ndodheshin, përfshirë
këtu iluzionin, pendimin dhe lidhjen e shtirur që kishin pasur me personin, që
qëndronte pas anës tjetër të kompjuterit.

Ndarja e informacioneve private i bën përdoruesit e
“Facebook” të ndihen shumë keq shpirtërisht. Një nga pjesëtarët e studimit u
shpreh se kishte pasur halucinacione sikur personi me të cilën po fliste në
internet, e kishte prekur.

Problemet psikologjike të internetit lidhen me shtrembërimin
gjeografik dhe hapësinor, me mungesën e komunikimit jo verbal dhe me tendencën
për të idealizuar sa më shumë personin tjetër, shpesh duke krijuar edhe
intimitet virtuale pa u takuar kurrë.

Mënyra sesi reagon çdo njeri ndaj internetit është një
problem i mirëfilltë psikologjik, që nuk duhet anashkaluar nga specialistët e
shëndetit mendor.

Autori i studimit i këshillon të gjithë personat e vetmuar,
të mos krijojnë lidhje miqësore apo dashurore në rrjetet sociale, pasi kjo do
t’ia rëndonte më shumë gjendjen mendore.

Shkencëtarët planifikojnë të kryejnë më shumë studime mbi
pasojat psikologjike të “Facebook” dhe internetit në përgjithësi. Duket se
rrjetet sociale janë një sfidë e re psikologjike.

Testi i varësisë nga
“Facebook”

Zgjidhni një nga përgjigjet e mëposhtme për çdo pohim në
lidhje me “Facebook”: Shumë rrallë; rrallë; ndonjëherë; shpesh dhe gjithmonë.

–   Kaloni shumë kohë duke menduar për “Facebook”
ose planifikoni si do ta përdorni atë.

–   Dëshironi të qëndroni gjithnjë e më shumë në
“Facebook”.

–   E përdorni “Facebook”-n për të harruar
problemet personale.

–   Keni dështuar nga heqja dorë prej “Facebook”.

–   Ndiheni shumë keq nëse jua ndalojnë përdorimin
e “Facebook”.

–   “Facebook” ka ndikuar për keq në punën dhe
studimet tuaja.

Nëse keni shënuar “shpesh” ose “gjithmonë” për të paktën
katër herë nga gjashtë herë të mundshme, jeni i varur nga “Facebook”