Zgjedhjet në Bashkinë e Dibrës, sot afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve në KZAZ nr. 19.

48
Në zbatim të Kodit Zgjedhor dhe akteve të nxjerra nga KQZ, sot, data 19 gusht, është afati përfundimtar për regjistrimin e kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Dibër, të datës 11.09.2016.
Regjistrimi i kandidatëve bëhet në KZAZ-në nr. 19, Dibër dhe sipas informacioneve të përcjella nga KZAZ pranë KQZ-së, deri tani janë regjistruar dy kandidatë, z. Sherefedin Shehu, kandidati i “Aleanca popullore për Punë dhe Dinjitet” dhe z. Muharrem Rama, kadidat i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”.
Partitë e regjistruara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si pjesëmarrëse në zgjedhjet e datës 11 shtator në bashkinë Dibër, dhe që nuk janë pjesë e koalicioneve të regjistruara, të cilave në bazë të Kodit Zgjedhor dhe akteve të nxjerra nga KQZ, u lind e drejta për të regjistruar kandidatin e tyre për zgjedhjet për kryetar të Bashkisë Dibër, rikujtojmë se KZAZ nr. 19, punon në oraret 08.00 – 13.00 dhe pasdite 16.00 – 20.00.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po punon në dinamikë për përgatitjen e procesit zgjedhor për zgjedhjet për Kryetar të Bashkisë Dibër, dhe sjell në vëmendje se në datën 22 gusht 2016 përfundon afati për paraqitjen në KZAZ-në nr. 19 në Dibër, të propozimeve për anëtarë të Komisioneve të Qendrave të Votimit. Sa më sipër, KQZ ju bën apel partive politike të cilat kanë të drejtën për të sjellë propozime për anëtarë të KQV-ve, t’i paraqesin pranë KZAZ-së sa më parë propozimet e tyre, pasi afatet janë të shkrutuara dhe KQZ ka detyrimin t’i trajnojë komisionerët menjëherw pas emërimit të tyre.
Sa i përket të dhënave të QV-ve sipas njesive administrative të Bashkisë Dibër, mund t’i gjeni të publikuara në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, www.cec.org.al në rubrikën “Zgjedhje”, nënrubrikën “zgjedhje të pjesshme” dhe aty do të gjeni të gjithë informacionin zyrtar për zgjedhjet e pjesshme që do të mbahën në datën 11 shtator 2016.