Zgjedhjet/ Naço: Nuk do të lejojmë angazhimin e kriminelëve

59
Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço ka bëre publike ditën e sotme një plan masash lidhur me rritjen e sigurisë në sistemin e burgjeve, gjatë periudhës së fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 21 Qershorit, ku ndër të tjera është urdhëruar edhe pezullimi i lejeve shpërblyese dhe të veçanta, prej datës 21 Maj 2015 deri më 1 Korrik 2015. Gjatë një tryeze pune ku ndër të tjerë ishin të pranishëm edhe drejtuesit e të gjitha IEV Penale në vend, janë përcjellë një sërë rekomandimesh, ndjekja e të cilave synon rritjen e sigurisë,mospërfshirjen e personave në konflikt me ligjin në aktivitete politike gjatë kësaj periudhe, si dhe votimin në IEV Penale nga të gjithë të burgosurit që plotësojnë kriteret Ligjore.
Ministria e Drejtësisë në kuadër të realizimit të një procesi zgjedhor objektiv dhe jashtë çdo ndikimi, ka marrë të gjitha masat e nevojshme për krijimin e kushteve dhe rritjen e nivelit të sigurisë në sistemin penitenciar, me qëllim për t’i paraprirë çdo situate të mundshme të keqpërdorjes së personave me liri të kufizuar. Për këtë qëllim, Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme Burgjeve kanë vendosur disa masa paraprake, të cilat në vitet e shkuara elektorale nuk ju është kushtuar asnjëherë vëmendje.
“Fillimisht është urdhëruar pezullimi i lejeve shpërblyese dhe të veçanta për personat e dënuar me burgim dhe të paraburgosurit. Nëpërmjet këtij akti është saktësuar se për periudhën 21 maj 2015 deri më 1 korrik 2015, respektivisht 1 muaj përpara datës së zgjedhjeve dhe 10 ditë pas zgjedhjeve, do të pezullohet dhënia e të gjitha lejeve shpërblyese dhe të veçanta për personat që ju është kufizuar liria, në mënyrë që i gjithë procesi zgjedhor të mos ketë asnjë ndikim nga personat e dënuar apo familjarët e tyre, si formë shpërblimi të angazhimit të tyre politik. Kjo iniciativë e Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve është ndërmarrë dhe realizuar në përputhje të plotë me të drejtat kushtetuese të shtetasve dhe pa anashkaluar asnjë dispozitë ligjore që ka të bëjë me respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, u shpreh Naço.