Zef Preçi, ekspert ekonomie/ Qeverisja, nga “Panorama” te “Pa Norma” nuk është progres. Institucionet kanë dështuar në zbatimin e ligjit

706
Sigal

Mbas disa dite pushimesh, nuk ishte ndonjë befasi e këndshme zgjimi i sotëm (i djeshëm) nën efektin e “aksionit” të IKMT për prishjen e ndërtimit të paligjshëm të Kokëdhimës së Porto Palermos. Një mori ndjenjash konfuze e pushtojnë cilindo, duke parë mbulimin perfekt të mas-media pranë qeverisë të një ngjarjeje të tille aspak të këndshme. Të jemi të qartë që në fillim: personalisht nuk mbështes asnjë lloj paligjshmërie dhe jam në mbështetje të institucioneve që mbahen me taksat tona që të përmbushin detyrat e tyre sipas ligjit. Por…IKMT: emër i madh: Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit. Domethënë, veç atij “të madhit” ka edhe një të vogël – “inspektorat lokal”. E me siguri të gjithë, gjatë gjithë viteve që nga krijimi i këtij institucioni publik, të gjithë punonjësit e tij, janë paguar rregullisht nga taksa-paguesit, por edhe nga bizneset që kanë shkelur ligjin, duke ndërtuar pa leje. Sot bëjnë “të fortin”, sepse një “i fortë tjetër” – Kokëdhia i Porto Palermos – gaboi duke i trajtuar të gjithë klientët njëlloj dhe mjaftoi një video prej disa sekondash në një ngjarje të denjë për filmat “Far West” që të (vetë) shkatërrojë gjithçka kishte ndërtuar prej shumë vitesh. Por me këtë rast na dha edhe mundësinë të shohim edhe anën tjetër të medaljes – si po qeverisemi… Uroj dhe shpresoj që, nëse mbiemri i këtij biznesmeni tipik shqiptar të tranzicionit, që padyshim i ka bërë shumë punë nga fillimet e veta deri vitet e fundit, të mos jetë ndër “reason d’eta” për ndëshkimin shembullor që po pëson personalisht… E pra, IKMT nuk e ka bërë punën e tij, sepse ligji parashikon përveç se “përmbushjen e detyrimeve ligjore në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të territorit:”edhe vendim-marrjen e tij “…për prishjen e ndërtimit të kundër-ligjshëm; përgatit kallëzimin penal për veprat penale të konstatuara gjatë ushtrimit të kontrollit dhe e paraqet atë pranë organeve përgjegjëse, sipas legjislacionit në fuqi…”. Nuk besoj se ky objekt, ashtu si mijëra të si ngjashëm në bregdet dhe kudo ka një copë truall publik a privat të lirë në të cilin mund të ndërtohet, nuk doli nga deti brenda natës, mbasi u shfaq video e spanjollëve. IKMT duhej të pengojë ndërtimin e paligjshëm, ashtu sikurse tatime-taksat, OSHEE, ujësjellësi, pushteti vendor etj., duhej të kishin përmbushur detyrimet e tyre sipas ligjit. Domethënë sot të gjithë këta shkelës të ligjit, për shkaqe paaftësie, të ndikimit politik apo thjesht të korrupsionit, duhej të ishin në qelinë ngjitur me Kokëdhimën e Porto Palermos… Vetëm kështu pushteti, përveç episodit të paradës së sotme të IKMT-së, do të përçonte mesazhin e barazisë para ligjit, ndërsa selektiviteti dhe “show” mediatik që pamë, më shumë se frenon ndërtimet e paligjshme, rrit arbitraritetin dhe presionin mbi biznesin, duke mbajtur larg investitorët seriozë, sidomos ata të huaj që prej pesë-gjashtë vitesh “na kanë vënë ferrën”… Klientët spanjollë: ndodhi që ishin të pasur, mediatikë dhe të aftë të dokumentojnë se çfarë ju ndodhi. Por unë nuk besoj se gjykimi gjakftohtë një çështjeje të tillë mjaft komplekse është i mjaftueshëm, duke dëgjuar vetëm njërën palë, qofte kjo edhe e huaj apo shumë e pasur… Sepse kjo rrit presioni politik e publik mbi gjykatën dhe ndodhemi para faktit paradoksal se sot në Shqipëri vetëm Kokëdhima i Porto Palermos është i paraburgosuri i vetëm për këtë figurë krimi, e cila zakonisht trajtohet si çështje administrative, përderisa nuk pati viktima dhe se ky i paraburgosur më shumë se gjithçka ka rrezikuar jetën e vet. Për më tepër që edhe klientët spanjollë nuk thërritën policinë, e cila si autoritet publik i paanshëm, procedon në raste të tilla. Gjesti i Ministrit të Turizmit duhet përshëndetur, ndonëse problematika e zhvillimit të turizmit është shumëdimensionale dhe ngjarje të tilla nuk janë të përjashtuara askund në botën e sotme. Qeveria: Përtej rastit në fjalë, është angazhuar çdo ditë për lirimin e sipërfaqes të plazheve publike në bregdet, por edhe për të ndërmarrë s’afërmi një iniciativë ligjore për heqjen e bregdetit nga administrimi i pushtetit vendor. Të dyja këto përpjekje, në vlerësimin, janë jashtë kontekstit të qeverisjes së mirë. E para është thjesht një show mediatik i zakonshëm që nuk zgjidh aspak problemin. Kjo sepse gjithkush e di që zënia e bregdetit është proces korruptiv i pushtetit vendor, domethënë “të fortët” (që ndonjëherë thirren edhe biznesmenë) në terren, të mbrojtur nga “të fortët” e politikës (deputetë, ministra, etj) shfrytëzojnë këtë aset publik, ashtu sikurse bëjnë pa mëshirë dhe me agresivitet me gjithçka tjetër që kanë përsipër të “qeverisin” apo të “bashkë-qeverisin”. Ndërsa nisma ligjore për tkurrjen e decentralizimit, duke i hequr të drejtën e administrimit të bregdetit pushtetit vendor vetëm se do të centralizojë më tej korrupsionin. Nëse vërtet qeveria ka vullnet për ta zgjidhë problemin, duhet të vendosë rregulla të shkruara (ligj, vendim të qeverisë, udhëzime, etj) mbi distancat nga vija e ujit për sipërfaqet që përcaktohen si plazh publik, sipërfaqet në të cilat lejohet të vendosen shezllong-e dhe atje lejohen ndërtime, duke e stabilizuar situatën njëherë e mirë si kudo në botën e përparuar. Por deri atëherë, qytetarëve nuk u mbetet tjetër veçse të freskohen me spotet qeveritare 3 dhe 4D të Shqipërisë virtuale. Domethënë qeverisja në vendin tonë ka nevojë të lëvizë nga “Panorama” me “Me norma” dhe jo thjesht nga “Panorama” te “Pa norma”, siç dëshmon edhe rasti në fjalë në Qeparo.

Qeverisja në vendin tonë ka nevojë të lëvizë nga”Panorama” me “Me norma” dhe jo thjesht nga “Panorama” te Pa norma”, siç dëshmon edhe rasti në fjalë në Qeparo.