Sigal

Forumi në “TELEGRAF”: Heshtja e qeverisë për marrëveshjen me Greqinë, lind dyshime të mëdha. Flasin Klajda Gjosha, Kreshnik Çollaku, Spartak Topollaj

Shqetësimi i shqiptarëve: A do t’i falet deti dhe Çamëria Greqisë?

Nga Petraq Bajrami

Takimi i shumëpritur i kryeministrit Rama me kryeministrin grek Aleksis Tsipras në Samitin e Londrës konfirmoi faktin që marrëveshja midis Shqipërisë dhe Greqisë është gati të nënshkruhet. Kryeministri shqiptar nuk bëri të ditur asgjë, rreth çështjeve që janë dakordësuar, apo janë ende në negociim, ndërsa kryeministri Cipras pohoi se çështje që ende kanë mbetur pa zgjidhur janë; ZEE, ligji i luftës dhe kufijtë. Kryeministri Tsipras “Jemi pranë arritjes së marrëveshjes me Shqipërinë. Çështjet e mbetura, ZEE, ligji i luftës dhe kufijtë. Jemi pranë fundit, por s’i kemi zgjidhur ende çështjet. Me Ramën u pajtuam që të dyfishojmë përpjekjet. Ministrat e jashtëm të dyfishojnë përpjekjet. Duam zgjidhje pozitive sa më shpejt të mundemi”, tha Tsipras.

Ndërsa Komisioneri për Zgjerim i BE-së Johanes Hahn, e tha më qartë: Marrëveshja e Shqipërisë me Greqinë, do të bëjë edhe ndryshim të kufijve midis tyre. Kjo deklaratë, siç pritej, shkaktoi shumë reagime të forta edhe në Greqi, edhe në Shqipëri. Ndërkohë mediat greke ngrenë pikëpyetje lidhur me faktin se çfarë ka dashur të thotë kryeministri Tsipras me termin ‘kufijtë’ ndërsa shkruajnë se kjo çështje mbetet për t’u sqaruar. Në këtë linjë ato vijojnë me sqarimin, ndërsa shkruajnë nëse termi ‘kufijtë’, është një gabim gjuhësor i Tsipras. “A lidhet kjo deklaratë me atë të Hahn për kufijtë? ‘Kufijtë’, një sekret në diskutim e sipër?”, janë disa nga pikëpyetjet që ngrenë mediat greke.

Flasin për gazetën “Telegraf”

Gazeta “Telegraf” në forumin e vet, ftoi ish-ministren e Integrimit dhe deputeten Klajda Gjosha, Kreshnik Çollakun, Kreu i Departamentit të Politikës së Jashtme në PD dhe diplomatin Spartak Çollakun. Ish-ministrja e Integrimit, Gjosha pohon se ministri Jashtëm Bushati nuk ka dhënë asnjë informacion për marrëveshjen me Greqinë, as në Komisionin Parlamentar të Jashtë, dhe kjo tregon jo vetëm mungesë transparence, por edhe lind dyshime, që mund të cenojnë interesat kombëtare. Ndërsa Çollaku, duke iu referuar informacioneve nga Greqia, thotë se “Nëse janë të vërteta, mund të themi se jemi duke përjetuar një ndër aktet më të rënda të tradhtisë kombëtare të ndodhura gjatë historisë sonë.” Diplomati Topollaj thotë se “Qeveria jonë në marrëveshjen që do të arrijë me Greqinë, i bën lëshimet e mëdha Greqisë”

Ministria e Jashtme nuk ka informuar as në Komisionin Parlamentar të Jashtëm, nga kjo heshtje kemi dyshime

 Klajda Gjosha, ish-ministre e Integrimit, deputete e LSI-së                                     

Për marrëveshjen që po përgatitet, apo negociohet me Greqinë, problemi kryesor është se nuk kemi asnjë informacion nga pala jonë. Detyrimisht, ministria e Jashtme duhet të na informojë. Më e keqja është se nuk ka informuar as në Komisionin Parlamentar të Jashtëm, ku unë jam zëvendës/kryetare e këtij komisioni parlamentar. Ne, kemi ftuar në këtë komision parlamentar ministrin e Jashtëm Bushati, I kemi kërkuar herë pas here të na informojë, por nuk na është përgjigjur asnjëherë. Ne I kemi kërkuar që të ketë transparencë, por, derisa nuk na informojnë, atëherë, kemi të drejtën të dyshojmë, se mos në atë marrëveshje që negociojnë, mos preken interesat kombëtare. Ne dëgjojmë vetëm informacione nga burime qeveritare dhe mediatike greke dhe atyre u besojmë. Vlerësojmë edhe qëndrimin e kryeministrit grek për këtë marrëveshje, sepse ai i thotë gjërat drejt, nga ana e tij. Kam mendimin se pas heshtjes së ministrisë tonë të Jashtme, fshihen çështje që mund të jenë në interes të kundërt me interesat e Shqipërisë. Të presim, çfarë do të na informojnë zyrtarisht, për të gjykuar, sepse e kam të vështirë të besoj, ato që thuhen nga pala greke, mund të pranohen në marrëveshjen që do nënshkruajë qeveria jonë, që shumë çështje janë në kundërshtim të plotë me interesat kombëtare.

Jemi duke përjetuar një ndër aktet më të rënda të tradhtisë kombëtare

Kreshnik Çollaku, Kreu i Departamentit të Politikës së Jashtme në PD

Shenja e parë shqetësuese është se nuk ka as më të voglën transparencë publike nga ana e qeverisë shqiptare. Edhe më e rëndë është situata kur jo vetëm publiku, por edhe institucionet janë lënë në errësirë të plotë. Zero transparencë në parlament në Komision të Jashtëm dhe me opozitën. Përfaqësuesit e ministrisë së Jashtme janë sjellë në mënyrë të papërgjegjshme konspirative e fyese me parlamentin. Ka pasur denoncime publike në lidhje dhe me përbërjen e trupës negociatore. Duket se në përbërje të kësaj trupe ka persona të akuzuar dhe të ndjekur nga institucione shqiptare si të rekrutuar nga shërbime të huaja. Ky është një fakt i papranueshëm që cenon rëndë Sigurinë Kombëtare. Termat me të cilat duket se po përmbyllet kjo marrëveshje janë shqetësuese. Çështja Çame është fshirë nga bisedimet. Pala greke nuk ka pranuar as ta diskutojë. Qeveria shqiptare ka kapitulluar plotësisht në raport me Çështjen Çame, madje ka informacione informale ende për t’u verifikuar se ka pranuar ultimatumin e palës greke për ta fshirë nocionin Çamëri edhe nga tekstet e historisë së Shqipërisë si nocion irredentist. Krimi më i madh duket se është kapitullimi i plotë i qeverisë shqiptare lidhur me pretendimet greke me zonën ekskluzive ekonomike dhe pasuritë përrallore të baseneve të naftës e gazit nënujor (më shumë se 3 bilion metër kub gaz, sipas ekspertëve të huaj) pjesë e Shqipërisë, që do t’i falen Greqisë. Në këto kushte Shqipëria ka kapitulluar, ka falur det, naftë, histori vetëm për një votë për negociatat e BE. Tragjike duket situata se ka një nxitim për ta përfunduar këtë proces, kur në Shqipëri nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale dhe kësisoj bie mundësia që marrëveshja eventualisht mund të dërgohet nga ndonjë palë në Gjykatë Kushtetuese. Nëse janë të vërteta, mund të themi se jemi duke përjetuar një ndër aktet më të rënda të tradhtisë kombëtare të ndodhura gjatë historisë sonë.

Qeveria jonë në marrëveshjen që do të arrijë me Greqinë, i bën lëshimet e mëdha Greqisë

 Spartak Topollaj, diplomat

Fillimisht, dua të kujtoj, që kjo maxhorancë bëri zhurmën për marrëveshjen e 2009-s, ku siç dihet u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Socialistët atëherë kërkon të dënonin si akt tradhtie ndaj Atdheut anëtarët e komisionit të atëhershëm të negociatave të asaj marrëveshjeje. Erdhën zgjedhjet e 2013-s ku fituan socialistët, dhe, çuditërisht, pa dhënë as shpjegimet e transparencën, PS-ja I bën sërish, ata, që kishte deklaruar për ndjekje penale, anëtarë të komisionit të negociatave me Greqinë. Tani, kë Parti Socialiste të besojmë? PS-në opozitare të 2012-s? Apo PS-në qeverisëse të 2018? Kjo qeveri e tyre, deri më sot ka qenë hermetike dhe nuk ka bërë asnjë dhe asgjë transparente, se çfarë çështje negocion, ku kanë shkuar negociatat. Vetëm pala greke publikon gjithçka dhe andej ne informohemi. Madje, pala greke informon rregullisht median, parlamentin e tyre. Është absurditet që marrëveshje të tilla ndërshtetërore, për më tepër me fqinjët, të mbahen sekret, jo vetëm për publikun, por edhe për Parlamentin. Mos harroni, qeveria donte të anashkalonte edhe kompetencat kushtetuese të Presidentit. Shqipëria nuk bën negociata me Greqinë, derisa kemi marrëdhënie diplomatike. Negociatat bëhen me shtete që nuk ke marrëdhënie diplomatike, por je në gjendje lufte, siç është Irani me Izraelin. Fakti që mbahet e fshehtë nga qeveria jonë, më lë ndjesi të keqe. Kjo marrëveshje është problematike. Thuhet nga pala greke që nuk diskutohet fare Çështja Çame. Dhe kur qeveria jonë nuk reagon, ka diçka që është në dëm të madh për interesat tona kombëtare. Qeveria jonë u “përkujdes”, që paralelisht me përfundimin e marrëveshjes me Greqinë, të paralizonte edhe Gjykatën Kushtetuese, me pretekstin e vetingut. Kjo është prapaskena politike nga qeveria jonë. Qeveria jonë u heq shqiptarëve mundësinë që të ankimojnë të drejtën kushtetuese të kundërshtimit të marrëveshjes me Greqinë, për më tepër, që qeveria nuk na informon për asgjë. Prapaskena politike e qeverisë tonë për marrëveshjen që arriti me Greqinë, është lëshimet e mëdha që i bëri Greqisë, për territorin tonë, për çështjet tona kombëtare.