Ilir Meta: Investimet kuvajtiane, të mirëpritura në Shqipëri

440
Sigal

Në përmbyllje të vizitës zyrtare në Shtetin e Kuvajtit, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta u takua me Zv. Kryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Shtetit të Kuvajtit Sh.T. Sheikh Sabah Khalid Al-Hamad Al-Sabah. Kryeparlamentari Meta e falënderoi Ministrin e Punëve të Jashtme Sabah për mbështetjen që Kuvajti i jep Shqipërisë si dhe për njohjen e shtetit të Kosovës, dhe vlerësoi se, marrëdhëniet vëllazërore që ekzistojnë mes dy popujve duhet të përdoren për të shtyrë më tej bashkëpunimin në fushat ekonomike dhe tregtare, duke vënë në dukje rëndësinë gjeostrategjike të Shqipërisë në rajonin e Europës Juglindore. Zv. Kryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shtetit të Kuvajtit Sabah u shpreh se, rajoni i Evropës Juglindore përfaqëson një zonë të rëndësishme dhe se, Shqipëria si vend mik në këtë kuadër, ka një domethënie të veçantë për Kuvajtin. Në këtë kuadër u shpreh mirënjohja për mbështetjen e fortë që Shqipëria i dha Kuvajtit dhe popullit të tij gjatë ditëve të vështira të luftës. Meta dhe Sheikh Sabah ndanë bindjen se, Komisioni i Përbashkët mes dy qeverive që do të mbahet brenda këtij viti, do t’i japë një shtysë të re intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, si dhe do të forcojë perspektiven e marrëdhënieve afatgjata dypalëshe. Meta u shpreh se, investimet kuvajtiane janë të mirëpritura në Shqipëri dhe në rajon, duke theksuar se, Kuvendi i Shqipërisë e mbështet Qeverinë në implementimin e masave lehtësuese për biznesin kuvajtian, si në drejtim të plotësimit të mëtejshëm të kuadrit ligjor, ashtu edhe në drejtim të lehtësimit të regjimit të vizave. Ata diskutuan gjithashtu mbi zhvillimet e fundit në të dy rajonet, duke ndarë bindjen se, forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në kuadër të platformave ndërkombëtare është një kontribut për paqen dhe stabilitetin.