Zbulohet skema: Ja si i vodhi votat Partia Socialiste e Filo-Peleshit në Korçë

435
KORÇË – Tashmë gjithçka është e qartë: fitorja e Partisë Socialiste në Korçë vjen si rezultat i blerjes masive të votave. Tashmë për këtë gjë nuk ka asnjë dyshim. I mbetet Prokurorisë të fillojë hetimet mbi të gjitha bëmat e dy zotërinjve që kanë drejtuar dhe drejtojnë edhe sot e kësaj dite Bashkinë e Korçës. Nga investigimet tona, rezulton se kjo gjë ka ndodhur dukshëm gjatë kohës kur në krye të Bashkisë Korçë ka qenë Niko Peleshi, (zëvëndëskryeministri i sotëm i Shqipërisë), por gjithashtu blerja e votës ka vijuar me të njëjtën shkallë manipulimi edhe gjatë periudhës që në krye të bashkisë Korçës ka qenë Sotiraq Filo, i cili vijon të jetë kryetar edhe pas zgjedhjeve të fundit vendore, të cilat u fituan prej tij. Të gjitha të dhënat gazeta “Telegraf” i ka siguruar nga burimet e saj të sigurta brenda Bashkisë së Korçës, të cilët kanë kanë patur mundësi të njihen edhe me përfundimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Si funksionon skema e vjedhjes së votave do ta sqarojmë përgjatë këtij shkrimi 
Manipulimi
Tashmë nuk është më sekret fakti që në Bashkinë e Korçës dhe institucionet që varen prej saj janë të punësuar rreth 300 punonjës, pasi ky fakt është pohuar për herë të parë te gazeta “Telegraf”. Në pamje të parë duket sikur nuk ka asnjë problem. I lumtë bashkisë që ka punësuar 300 qytetarë, ose e shprehur ndryshe 300 familje! Kështu le të punësojë edhe 300 mijë! Mirëpo e vërteta është se numri i të punësuarve është më i madh se mundësitë financiare dhe kjo gjë nuk ndodh në asnjë vend të botës. Sigurisht, edhe ky fakt është siguruar nga burimet tona të sigurta. Por që të kuptohemi, çdo të thotë kjo: Është fare e thjeshtë; ato të ardhura që mund të shkonin për investime publike, shkojnë për ata që janë marrë në punë në mënyrë të pajustifikuar. Çdo të thotë në mënyrë të pajistifikuar? Edhe kjo gjë është lehtësisht e kuptueshme. Punësohen njerëz, kur nuk ka një objekt pune për ta, që do të thotë një i punësuar duhet të dijë pse paguhet. Pse ndodh kështu? Vijojmë më poshtë.
Pse ndodh kështu?
Tashmë nuk ka asnjë dilemë, Partia Socialiste e Filo-Peleshit nuk del në rrugë me lekë në dorë për të blerë fitoren e vet. Jo, ajo ka gjetuar një mënyrë origjinale, mjaft të sofistikuar doemos edhe frytdhënese, sepse mund të japësh 10-20-50 mijë lekë për një votues, por ai edhe ta di për nder edhe nuk ta di, sepse në fund të fundit 50 mijë lekë janë, (nuk ia zgjidhe varfërinë), ndaj edhe lekët mund të t’i marrë edhe votën mundet mos të ta japë, por kur e merr në punë për vite të tëra më radhë dhe kur i jep një rrogë të sigurtë çdo muaj, dhe kur ai e di që është thirrur për t’u ngrohur korridoreve të bashkisë, nuk ka si të ndodhë ndryshe, ai është gati t’u bjerë në gjunjë, sepse e di që lekët i merr kot, dhe nëse guxon të grejë krye, (të bëhet si i ndershëm), e dërgojnë në shtëpi të ngrohet në diell. Tashmë, a nuk jemi të qartë pse në bashkinë e Filo-Peleshit numri i të punësuarve është më i madh se mundësitë financiare? Nëse në këtë vend do të kishte drejtësi, cili institucion do të qëndronte i heshtur përballë fakteve të tilla? Ju sërish e keni një pyetje, ju sërish mund të çuditeni e të thoni: Nuk ka mundësi që të jepen rroga pa punuar. Edhe këtë gjë po e shpjegojmë më poshtë
E vërteta
E vërteta është se edhe ne nuk deshëm ta besonim që ndodhte kështu, d.m.th nuk donim ta besonim që shumë njerëz merrnin rroga pa punuar, por nga burime brenda bashkisë na u dha ky informacion: vetëm në zyrën e marrëdhënieve me publikun punojnë disa persona. A thua se Bashkia e Korçës është Shtëpia e Bardhë e Shteteve të Bashkuar të Amerikës! Gjithashtu, duke iu referuar burimeve tona të brendshme, Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte dashur të njihej me objektin e punës së zyrës për Marrëdhëniet me Publikun, por ajo që u konstatua, faktoi vetëm një të vërtetë: punonjësit e kësaj zyrë ishin pa objekt pune.Të gjitha këto a nuk tregojnë qartë se të punësuarit paguhen me lekët e taksapaguesve të Korçës, vetëm e vetëm që të jenë në shërbim të Filo-Peleshit?
Investigim i mëtejshëm
Para zgjedhjeve Bashkia e Korçës mori në punë një numër të madh studentësh, si praktikantë. Ata sot i gjen në çdo zyrë të Bashkisë, i gjen edhe në sallonin e parë të këtij institucioni, ku nga këta studentë mund të marrësh informacionin e parë, të cilët mund të të orientojnë në cilën prej zyrave mund të shkosh për të zgjidhur hallin që ke. Dhe ne e kishim një hall. Para pak ditësh nga ana e Bashkisë u dha njoftimi se “Skulptura e parkut” 2015 një eveniment i përvitshëm do të realizohej pranë birra “Korçës”, shkuam atje po nuk gjetëm asnjë skulptor. Për këtë arsye iu drejtuam Bashkisë Korçë për të mësuar ku kishin përfunduar skulptorët që kishin ardhur nga viste të ndryshme të botës, por studentët që rrinë në sallonin e parë nuk kishin asnjë informacion. Atëherë shkuam te zyra e informacionit, ku nuk gjetëm askënd prej rrogëtarëve, përveç një studenti që nuk dinte se ku ndodheshin skulptorët e ftuar nga Bashkia e Korçës. Megjithatë, ishte studenti ai që na tha se duhej të shkonim te qendra kulturore “Vangjush Mio” për të marrë ndonjë informacion. Sigurisht, atje e zgjidhëm enigmën, pasi na bënë të ditur se njoftimi i parë ishte anulluar, ndaj skulptorët kishin filluar punë diku tjetër, në hyrje të Korçës, Mirëpo ky njoftim i dytë nuk u dha kurrë, edhe pse Bashkia e Korçës ka zyrë Informacioni dhe pse ka zyrë për Marrëdhëniet me Publikun, edhe pse ky eveniment ndiqet edhe nga qendra kulturore “Vangjush Mio”. Pra, e gjitha kjo tregon se Bashkia e Korçës është një farsë, e ideuar me një numër punonjësish tej mundësive financiare të saj, vetëm e vetëm për t’i shfrytëzuar në ditët e zgjedhjeve vendore e parlamentare. Nëse ka patur arsye tjetër, le të na përgjigjen Filo-Peleshi. Sigurisht, do të ishte mirë që edhe Prokuroria të mos bëjë sikur nuk sheh dhe dëgjon, aq më tepër në një institucion kur punëson më shumë njerës, nga sa ka mundësi t’i paguajë, duke shpërdoruar kështu buxhetin e Bashkisë së Korçës dhe lekët e taksapaguesve korçarë. 
Sigal