Zbulohet data, ja kur do të bëhet protesta e PD-së

474
Ndërsa anuloi protestën në Kavajë për shkak të anulimit të zgjedhjeve për kryetar bashkie pas tërheqjes së kandidatit të PS, opozita do të mbajë një tjetër protestë në Tiranë.

Mesohet se protesta e radhës së PD do të mbahet ditën e shtunën më 13 maj në orën 12:00.

Për këtë qëllim kreu i PD-së Lulzim Basha ka thirrur sot në mbledhje krerët e partisë në rrethe me qëllim organizmin e protestës së radhës me kauzën për zgjedhje të lira e të ndershme por me qeveri teknike.

Në mbledhjen e Bashës me krerët e degëve të PD që u zhvillua me dyer të mbyllura morën pjesë edhe dy nënkryetarët Edmond Spaho dhe Edi Paloka, Sekretari përgjithshëm Arben Ristani; sekretari organizativ Enno Bozdo si dhe sekretari i burimeve njerëzore në PD Fatbardh Kadilli.

Kreu i PD-së Lulzim Basha iu bëri thirrje sot nga çadra qytetarëve të bashkohen në protestën e javës së ardhshme por pa përcaktuar ditën. Në mbledhjen me krerët e rretheve është vendosur edhe data dhe ora e protestës.

“Askush nuk e ndal dot dhe e vetmja forcë që kontrollon gjithçka mbi këtë tokë është me ne. Zoti është me ne, është me shqiptarët. Kjo ditë do të vijë edhe më shpejt, edhe më bukur edhe më parë sa më të bashkuar të jemi, e sa më të vendosur të jemi në përballje me republikën e vjetër në grahmat e saj të fundit. Ndaj i bëni thirrje çdo kujt, çdo miku, çdo të afërmi, çdo të riu e të reje të bashkohet në marshimin e javës së ardhshme, në manifestimin më të madh të forcës së vendosur por paqësore të qytetarëve shqiptare për zgjedhje të lira dhe të ndershme, themeli i Republikës së Re që po agon”, deklaroi kreu i opozitës.
Sigal