Vlerësimi për ministrat/ Kongresi i PS-së, i ngjan më shumë si një antimiting ndaj opozitës. Ja notat sipas portalit “Shqipëria që duam”

1257
Sigal

Kongresi i parashikuar për ditën e shtunë nga ana e Partisë Socialiste duket se në të vërtetë do të kthehet në një antimiting ndaj opozitës, për t’iu përgjigjur protestave masive që opozita e bashkuar shqiptare ka zhvilluar javët e fundit. Sipas asaj që është mësuar, gjatë kongresit të nesërm socialistët do të bëjnë shpalljen e kandidaturave për kryetarë bashkie në zgjedhjet e qershorit, dhe më këtë rast Kryeministri Rama do ia lërë protagonizmin të zgjedhurve të tij për bashkitë e Shqipërisë. Ndërkohë mësohet se kryetari i PS-së u ka dhënë porosi sekretarit dhe strukturave që të jenë sa më shumë persona të pranishëm edhe nga anëtarësia socialiste, përveç delegatëve të pranishëm që mendohet të përfaqësohen nga 700 deri në 1 mijë të tillë për çdo bashki. Kreu i Qeverisë dhe kryesocialisti pritet ta bëjë në këmbë rrugën nga Kryeministria drejt Pallatit të Kongreseve, jashtë të cilit do ta presin delegatët e PS-së. Socialistët kanë menduar gjithashtu që Kongresin e tyre të mos ta zhvillojnë me dyer të mbyllura, por ta zhvendosin atë në Sheshin “Nënë Tereza”. “Tirana që duam” është aktiviteti që ka shpallur kryebashkiaku Erion Veliaj që nis në ora 11:00 më 23 mars, paralelisht me Kongresin. Që nga ky shesh Veliaj do të shpallet zyrtarisht kandidat për kryetar bashkie i PS-së, duke shpallur gjithashtu edhe listën e kandidatëve për anëtarë të këshillit bashkiak.

“Unë do jem aty me familjen time! Mezi pres të të takoj dhe ty aty me familjen tënde! Për familjet tona dhe Tiranën që duam! Të Shtunën, ora 11:00 te sheshi “Nënë Tereza””, shkruan Veliaj në postimin e tij në Facebook. Ndërsa me dhjetëra deputetë dhe zyrtarë socialistë u kanë bërë thirrje të gjithë mbështetësve që të jenë të pranishëm në këtë aktivitet që zhvillohet nga Bashkia e Tiranës, si për të treguar mbështetjen që gëzon mazhoranca. Kongresi i Partisë Socialiste zhvillohet dy ditë pas protestës së radhës masive të opozitës së bashkuar gjatë ditës së djeshme jashtë parlamentit, ku u ripërsëritën kërkesat për largimin e kryeministrit Rama.