Vdekjet e pushuesve, Berisha kërkon nga prokuroria hetimin e përgjegjësve

414
Ish kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas vdekjes së turistes ruse në Ksamil, e cila sipas hetimeve, është goditur nga një skaf, teksa notonte. Berisha i shpreh ngushëllime familjes dhe i bën thirrje prokurorisë “Të vendosë me rreptësinë më të madhe para ligjit vrasësin e saj!”. Duke marrë shkas nga ngjarjet tragjike në bregdetin shqiptar të ndodhura gjatë kësaj vere, ish kryeministri Sali Berisha shprehet se shteti ka dështuar totalisht në menaxhimin e sezonit turistik. Sipas Berishës, kjo mungesë vëmendje dhe vizioni nga qeveria e Ramës ndaj turizmit në Shqipëri, dhe fokusimi dhe promovimi i turizmit të kanabisit, është tregues se si Shqipëria do të jetë në 4 vitet në vazhdim.

“Theksojmë gjithashtu se këtë verë deri tani në ujërat e brigjeve tona kanë humbur jetën 15 pushues. Që të gjithë pa përjashtim për mungesë të plotë të çdo lloj kujdesi, ndihmë apo kontrolli për pushuesit që kalojnë pushimet në brigjet tona. Ky është një tregues konkret i dështimit të shtetit në menaxhimin e sezonit turistik. Kjo mungesë vëmendje dhe vizioni nga qeveria e Noriegës ndaj turizmit në Shqipëri, dhe fokusimi dhe promovimi i turizmit të kanabisit është tregues sesi Shqipëria do të jetë në 4 vitet në vazhdim. Dëmi që i shkaktohet Shqipërisë në arenën ndërkombëtare si në aspektin e turizmit, ashtu edhe në atë sigurisë është i madh. Duke dënuar me forcën më të madhe paaftësinë e qeverisë aktuale për të garantuar sigurinë e turistëve vendas dhe të huaj në sezonin turistik, i bëj thirrje prokurorisë të vërë para ligjit të gjithë ata që nuk marrin masat e parashikuara për parandalimin e këtyre tragjedive”, shkruan ish kryeministri në Facebook.
Sigal