Vasili sulmon Ramën: U kthye nga emigracioni. Njësoj si shokët e byrosë vetëm tani mori vesh që…

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili ka sulmuar kryeministrin Edi Rama duke e krahasuar me shokët e byrosë në komunizëm.

Në një status në “Facebook”, Vasili duke iu referuar raportit për Tiranën të publikuar dje nga kryeministri thotë se Rama është kthyer nga emigracioni dhe se vetëm tani e mori vesh që Tirana ka papunësi dhe infrastruktura është copë-copë.

STATUSI I VASILIT
Kryeministri u kthye nga emigracioni, informojeni…
Para viteve ‘90 shokët e byrosë politike nuk e dinin që populli hante bukë me tollon dhe varfëria ishte kthyer në mjerim.
Sot, kryeministri ynë, njësoj si shokët e byrosë vetëm tani mori vesh që Tirana ka papunësi dhe infrastruktura është copë-copë.
Qytetarët prej katër vitesh dinë edhe shumë më shumë se ai:
– që Tirana vuan dhe për ujë;
– që dhjetëra rrugë e trotuare edhe në zemër të Tiranës janë për turp;
– që në dhjetëra qoshe, sheshe e rrugë shpërndahet drogë;
– që përpara çdo shkolle ka qindra prindër e gjyshër që presin fëmijët se s’ka siguri;
– që dhjetëra shkolla s’kanë ngrohje etj etj.
Kryeministrit i duhet çuar haber më shpesh për çfarë ç’ndodh në Shqipëri pasi ai nuk ndodhet këtu, ndaj dëgjesat, alias dënglat, bëjani pa kursim që të njohë Tiranën tonë të paktën, se Shqipëria tjetër është larg shumë…