Dhjata e dhimbjes

1091
Vjollca Tiku Pasku
Sapo isha kthyer nga shteti, ku ndodhesha prej vitesh në mërgim dhe mendova të ndizja një qiri në kishë. Teksa po sodisja gjelbërimin përreth kishës, vura re një grup të rinjsh mbledhur mbrapa godinës që u shpërndanë me vrap sikur të kishte rënë bomba. Mendime të liga më pushtuan dhe u largova shpejt. Vendosa që ditën tjetër të shkoja më herët dhe të dëgjoja mendimet e tyre. Padyshim nuk është diçka e mirë, por e vetmja mënyrë për të kuptuar qartë çfarë ndodh aty. Ditën tjetër vajta një orë më shpejt dhe kureshtare u futa në kishë. U ula pranë një dritare të vogël ku e hapa enkas. Xhamat e dritares ishin të pikturuar me shumë ngjyra dhe kjo më mundësonte që të shikoja pa u vënë re nga jashtë. Dy djem rreth moshës pesëmbëdhjetë vjeç u afruan dhe po diskutonin…Njëri truphollë, pak i kërrusur, i shkurtër me flokë të ngritur përpjetë i drejtohet shokut tjetër, bullafiq 

. -Të presim pak, sa të vinë të tjerët…mirë Bulo? – i tha ai bullafiqit. -Sot dua të bëhem spat . Dje isha në qiellin e shtatë…Po notoja, o Daku, po notoja në korridorin e shkollës
. -Me rob shpie, sa bukur ishte!… – thotë trupholli.. 
-T’u duk vetja se ishe ne pallatin e Aladinit,- ia ktheu bullafiqi.
-E, isha me Xhazminën nudo… 
-Ha, ha ..domethënë malli qenka i mirë..
-Ma solli kushëriri im… 

Një grup tjetër prej katër vetash u afruan dhe diskutimi mori zjarr…
-Hë, çuna mirë?… Ardi ka sjellë një mall sonte…Do e ndezim? -thotë një djalë me një bluzë me një trekëndësh piramide dhe në mes një sy.
-Hajde çuna, nga një pompë secili!… Pa shiko pa shiko kush paska ardhur Tinço!- i drejtohet një djali tjetër..
-Sot i ke bërë mësimet?…Se mos të bërtet plaka, që ke ardhur këtu…
-Ç’ar lesh mësimesh…Në këtë vend te pjerdhur, edhe po mësove kamarier do bëhesh… Nuk ka asnjë mundësi tjetër… 
-Mirë që e kuptove, po mëso se do krijosh boshllëqe, apo ke qejf ta thithësh njëherë, që të shohësh si fluturohet në qiellin e shtatë.
-Mire, po e provoj njëherë…. -Prisni po vjen Teni! -tha Bolo, – po ky, si duket e ka lënë Xhina…. Ai nuk nuk na dëgjoi kur i thamë ajo bukuroshe mban shumë rreth vetes, si duket, ai tani e paska kuptuar.. 
-Mirë çuna? – thotë djali që e thërrisnin Teni… -Hë, mo Ten ç’kemi, nuk ke dalë me atë… 
-Jo, o Bulo, ajo mori fund, …Të gjitha njësoj janë….E kanë trurin tek paraja dhe tek rrobat firmato, që t’i shesin pordhë njëra tjetrës…Nuk po pyesin më, as për moshë…qoftë dhe plak apo i martuar….Kurva hesapi!- shfryu Teni…
-Mos u mërzit, hajt ta ndezim dhe futemi në botën e Lizës…- vazhdoi Bulo. Ndezën të tre nga një cigare, me hashash, duke e thithur me endje. Copëza tymi që merrnin formë lakuqirësh ngriheshin lart e shpërndaheshin derisa zhdukeshin në pafundësi… Shpërthyen të qeshura dhe ata ia mbathën vrapit sa hap e mbyll sytë… Një dhimbje koke më mbërtheu dhe nuk më lëshoi më… Dola nga kisha me nxitim dhe sytë më vajte tek një pjesë e lulishtes, ku lulet pothuaj ishin tharë të gjitha… Mendova se mund të bëja diçka për to. Të nesërmen bleva disa kubikë trëndafilash. Fola me priftin e kishës në mëngjes që të më lejonte t’i zëvendësoja lulet e fishkura me kubikët që kisha blerë. Ai pranoi me gjithë gëzim. Pasdite kisha bërë gati mjetet e punës dhe kubikët. Sakaq, grupi i adoleshentëve u mblodh përsëri, unë u afrova me kujdes dhe i përshëndeta..
-Si jeni çuna? – Disa vrenjtën vetullat dhe disa u përgjigjën: 
-Mirë, teta… -Do të doja ndihmën tuaj, nëse është e mundur?… 
-Kemi punë më të rëndësishme për të bërë.- ma preu njëri prej tyre. -Kjo nuk është e vështirë, -vazhdova që të mos më ndërprisnin më, – Do punojmë këtë pjesë të lulishtes dhe do e mbjellim me kubikë trëndafilash. Pas pune do t’u blej nga një picë dhe një pije freskuese.
-Disa pranuan menjëherë, disa hezituan.
-Unë do bëj bixha, kush të dojë le të vijë. – thotë njëri me bluzë me vija. Pas tij vajti edhe djali bullafiq. Të tjerët iu futën punës. Pas dy orësh mbaruam dhe lulishtja e punuar me kubikët e mbjellë dukej për mrekulli.
-Tani lahuni dhe do shkojmë për pica! – u thashë. Kur u ulëm në picerinë, që ndodhej përball me kishën i thashë: 
-Nuk dua t’ju bëj moral, por a nuk është më mirë një mrekulli e vogël, se sa të futesh për pak kohë në një botë pa kuptim?… 
-Ti, teta, ke lekë, – tha njëri. 
-Po, punoj dhe fitoj, por jashtë vendit,- i thashë.
-Edhe po të punosh këtu sa për një copë bukë thatë është… Edhe po të mësosh nuk fiton asgjë. Këtu duhet të bëhesh hajdut i madh, sepse hajdut i vogël përfundon në burg. Këtu duhet të jesh i fortë, sepse i dobët të shkelin të gjithë. Këtu ka me bollëk çdo gjë, por asgjë të mirë… Prindërit tanë disa punojnë, e disa jo, disa nuk kanë lekë fare. Babai i një shokut tonë vari veten, nëna e një tjetri është bërë prostitutë. Babai i një tjetri është vrarë, sepse u mor me drogë, ndërsa babai i këtij bullafiqit është në burg. Me mallin e pluhurit të bardhë ke leverdi, por nuk e ke kokën të sigurt… Tani, na thuaj ti teta, se çfarë mrekullish mund të bëjmë ne përditë?… Jeta është e egër, dhe ne të egër duhet te jemi, -tha përfundimisht djali me këmishën e shenjës mason. Ngela pa përgjigje dhe mendja më shkoi tek kubikët e vegjël, të cilët, nëse nuk do kujdesej njeri, do thaheshin… Dhe padashur më lindi në mendje paralelizmi figurativ: A nuk po thahet pak nga pak edhe brezi i adoleshentëve tanë?!…
Sigal