Vasili: Ministri kolumbian dhe Dea gënjejnë vetëm Rama nuk gënjen kurrë…

623
Fjala në Kuvend e Kreut të Grupit Parlamentar të LSI-së
Të nderuar kolegë deputetë. Të nderuar zotërinj ministra, në mënyrë të veçantë ju që keni të bëni me këtë ligj, që ka të bëjë me Ministrinë e Ekonomisë, i nderuar z. Ahmetaj, u kënaqa vërtet me mbylljen e fjalës suaj, e thatë shumë herë që u kap droga, bëtë shumë mirë. Ju mbështet me shumë sinqeritet se edhe ju monitorim jeni, kështu që edhe ju me monitorimin mirë dolët. Meqë kishit hallin se u monitorua opozita, të gjithë palët janë në rregull. Kështu që, kam përshtypjen se ju e keni pak më të fortë monitorimin, sepse keni edhe çfarë të humbni. Rëndësi ka që monitorimi vajti si duhet. Dhe në funksion të këtij monitorimi, meqë u mbyll me këtë kapjen, unë duke reflektuar me shumë sugjerime që e demonstruan edhe qëndrimin e opozitës, edhe antikombëtar shumë herë, lidhur me çështjen e drogës, edhe me denoncime, ka të drejtë mazhoranca me thënë të drejtën. Madje, unë do shtyhesha edhe me tej, bashkohem me mazhorancën në këtë pikë, duhet patjetër të shikohet sa më parë, Ministria e Jashtme këtë duhet të bëjë, të mos merret me punë të kota, qëndrimin e ministrit kolumbian. Ky vërtet e ka tepruar. S’mundet ky, çfarë do që të jetë ky, edhe në prezencë të ambasadorit amerikan atje, por edhe të zv.sekretarit të Sigurisë Kombëtare të Amerikës, thotë që ka dhënë kontribut Kolumbia, DEA etj., për kapjen e drogës, kur Kryeministri ynë thotë që është ndryshe. Ky s’ka asnjë të drejtë dhe asnjë autoritet ta bëjë këtë punë. Ministria e Jashtme duhet ta shikojë seriozisht këtë çështje, edhe në raportin diplomatik me Kolumbinë. Këta nuk mund kurrsesi të nxjerrin një Kryeministër që nuk ka gënjyer kurrë në jetën e tij, për shumë gjëra, edhe kur thoshte për shëndetësinë falas, edhe për taksat e biznesit të vogël, i bëri të gjitha, nuk gënjen kurrë. Del një ministër Mbrojtje nga Kolumbia dhe na thotë që ky s’ka thënë të vërtetën, sepse ky e ka bërë vetë, kurse ky tjetri del dhe thotë që e paska bërë edhe DEA, edhe Kolumbia, por edhe Antidroga Italiane. Prerogativa se si zgjidhet kjo punë me të drejtën ndërkombëtare, sigurisht ka juristë shumë të zotë, shumë të mirë që mund ta bëjnë këtë punë, ky duhet të jetë prioritet madhor i qeverisë dhe këtu duhet të bashkohemi të gjithë në këtë punë. Vendi i duhet treguar këtij njeriu, s’mund të vazhdojmë kështu, sepse vëmë në siklet edhe këta të huajt që janë këtu. Dihet që Kolumbia, DEA e të gjithë këto të tjerët kazan janë, sepse e gjithë bota është një kazan. Ka mbetur vetëm një molekulë uraniumi, që nuk gënjen dhe që është e vërteta. Më e para ishte të kemi një pezullim të përkohshëm të marrëdhënieve me Kolumbinë, derisa të sqarohet ky incident ndërkombëtar i nivelit shumë të lartë. Kështu me fjalë goje dhe me diskutime dhe debatet tona s’mund të kalohet, kjo sallë është shumë e vogël, nuk e mban dot gjithë këtë çështje, sepse ky është një incident ndërkombëtar i përmasave të mëdha dhe këtij ministri kolumbian patjetër t’i tregojmë vendin, t’i shkojmë deri në fund kësaj gjëje, sepse ka të bëjë me dinjitetin e Kryeministrit tonë. Kështu që them t’i lëmë monitorimet e njëri-tjetrit, por të zgjidhim këtë hall, sepse është një hall tepër i madh për ne. Kjo punë duhet marrë vërtet shumë seriozisht. Edhe prerogativa të tjera mund të ketë. Ne le të ndërpresim fare komunikimin me Kolumbinë, as na duhet hiç. Vetë u mboll droga këtu. Edhe atëherë kur thamë që u zhduk droga 99 për qind, e vërtet ishte edhe ajo, pavarësisht se kapen tani 200 milionë, pra të gjitha këto janë një seri të vërtetash të mëdha që na i ngatërrojnë këta që na vijnë nga jashtë. Dikur quheshin armiq të jashtëm, po ashtu mbeten dhe nuk ndreqen asnjëherë. Ne kemi një të vërtetë, që është edhe një qëndrim për ne, ku duhet ta mbrojmë. Kështu që këtyre të vërtetave duhet t’u bëjmë një shërbim shumë të madh e deri në fund pa u lodhur. Ne duhet të bashkohemi bashkë, si mazhorancë dhe opozitë, ku ta ruajmë këtë meteor të së vërtetës që ne kemi këtu. Sa i takon çështjes që kemi në diskutim meqë u fol edhe për profesionalizëm të lartë, edhe unë po i referohem me akte dhe dokumente ligjore, që prodhon kjo qeveri. Përpara kemi 6 milionë euro shtesë që duhet t`i miratojmë. Plotësisht dakord jemi edhe po të miratohet, s’kemi ndonjë kundërshtim. Ne jemi sinqerisht jo për të bërë borxhin, por jemi shumë mirënjohës Gjermanisë që na vendos në dispozicion një fond nga më të rëndësishmit, për madhësinë e tij. Nga 16 milionë, 10 milionë prej tyre në teori duhet jenë shfrytëzuar. Minimumi që bën një akt qeveritar, ku të paktën të respektojë veten e saj se për ne s`ka nevojë, duhet të sqaronte më parë këto 10 milionët e parë. Në aktin e prodhuar, i cili është shumë i dobët, jepen ca shifra, ku përveç atyre ka edhe diçka tjetër që dua t`ua citoj. Do e them se thonë pastaj se shpif opozita, por do flas. Në relacionin e qeverisë thuhet se rreth 17.000 persona do përfitojnë nga masa kualifikuese formale dhe joformale. Pra, do paguhen me masa joformale kualifikimi. Nuk e di çfarë janë këto para që financojnë masa kualifikuese joformale. Më tutje thuhet se që nga ky moment kur lidhet marrëveshja për 6 milionë, do lidhet një marrëveshje përkatëse zbatimi dhe financimi. Me kalendarin që na kanë vendosur këtu në Kuvend, e dimë që jemi në vitin 2018. Por ja çfarë thotë relacioni. 2 milionë e gjysmë të këtij 6 milionëshi, kanë mbaruar që në 2017-ën. Çfarë shteti është ky që thotë se do miratojmë në vitin 2018, ndërkohë në relacion këto para janë shpenzuar? Dua të jem shumë pozitiv në vlerësimin tim dhe po e quaj që është një lajthitje e çmendur e njerëzve që nuk dinë të shkruajnë. 2017 na thotë relacioni i qeverisë, është nënshkruar një marrëveshje 10 milionë e gjysmë euro, pra një marrëveshje e rëndësishme, midis Ministrisë së Ekonomisë së asaj kohe, Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Zyrës së Kryeministrisë. Po çdo zyra e Kryeministrisë? Po e përkthej zyra e Kryeministrit, ndërtesa e Kryeministrit, vendi ku menaxhohet çdo gjë. Mirë projekte, mirë koncesione, po te këto punësimi, ku 30% e kësaj do shkojë të mbështesë emigrantët e kthyer, këtu ç’do zyra e Kryeministrisë? Nuk po them stilistikisht dhe gjuhësisht, sepse kjo nuk ka lidhje me një akt qeveritar, ky është vetëm me një mendje që ka ikur dhe nuk di ç’shkruan. Por dhe të shkruar ky në një akt që shoqëron një ligj që vjen në Parlament? Po çfarë do bëjmë me këtë akt? Po do qeshim se nuk kemi çfarë bëjmë tjetër. Sepse ca vota që janë me shumicë nuk kanë ndërmend të reflektojnë për këtë punë. Ky është një sulm i madh i opozitës që po sulmon po me këtë akt që ka prodhuar po vetë kjo mazhorancë. Dhe ‘ne jemi faktor që po e komentojmë këtë akt’. Sigurisht që nuk jemi fajtor dhe nuk kemi pse të ndihemi në faj fare për këtë gjë. Tjetra gjë që ka marrëveshja, minimalisht këtu në momentin që do bëhej marrëveshja dhe do sillej këtu për shtesë, raporti i hollësishëm se si këto 10 milionë paraprake u përdorën, shifrat që prodhuan, cilat qenë llojet e bizneseve, sepse fjala arsim profesional, me thënë të drejtën, nuk ka lidhje fare me gjithë marrëveshjen. Madje, pretendimet e z. Boçi nga pikëpamja akademike, janë shumë të përparuara, por nuk kanë lidhje me këtë lloj vulgariteti që po prezanton kjo marrëveshje këtu në mënyrën si e ka shkruar qeveria. Jam i bindur se ajo që ka pasur në mend qeveria gjermane kur mbështeti nismën nuk ka qenë kjo. Është shumë larg, nuk ka lidhje me arsimin profesional, në asnjë nocion të vetin, në asnjë pikë të vetën, dhe nuk lidhet gjëkundi. Z. Boçi duhet ta dini, bëhet fjalë për trajnime jo formale, tani ua them si mik përse harxhoni frymën? Keni disa pretendime si kolegu im në opozitë, shumë të tepruara dhe të dëmshme për këtë mazhorancë. Thënë me fjalë të tjera, duke i radhitur të tërë këtë batërdi lajthitjesh, që shkruhen këtu, ne do t’i ecim vullnetit të mirë, që mbase i ndreq perëndia rrugës dhe prezenca, pse jo, e GIZI-t si një organizëm i vjetër tashmë në Shqipëri po dhe një vëmendje më të madhe mbase e kthen në një ndihmë të dobishme, pasi rreziku të 16 milionë e gjysmë euro të venë dëm si shumë e shumë të tjera, është shumë i madh. Ne duam të besojmë pozitivisht dhe ky motiv pozitiv na ka shtyrë ta mbështesim dhe pse jo ta votojmë këtë marrëveshje.
Sigal