Vasili: Dakort që administrata e re e SHBA-ve dhe BE-së të monitorojnë zgjedhjet

382
Sigal

 Prononcimi i Kryetarit të Grupit Parlamentar
të LSI-së, z. Petrit Vasili pas mbledhjes së Komisionit të Posaçëm për Reformën
Zgjedhore 

Vasili: Listat e hapura janë kërkuar nga LSI
që në 2008-n

Vasili: Dakord me votimin elektronik, ta
vendosë OSBE

Vasili: Administrata e re e SHBA-ve dhe BE-së
të monitorojnë zgjedhjet

Z. Vasili, si shkoi mbledhja e komisionit për
reformën zgjedhore?

E rëndësishme është që Komisioni rifilloi, pra
duhet të bëjmë të pamundurën të fitojmë mjaft kohë të humbur, pasi nuk e kemi
kohën në dispozicion, që ka mbetur aleati më të mirë, pasi koha shtrëngon. Ky
rifillim ishte i domosdoshëm dhe kërkova edhe në mbledhjen e komisionit, që të
punohet me një ritëm shumë të lartë se sa tani, pasi na duhet të shterojmë
shumë çështje në një kohë relativisht të kufizuar.

Besoj që ka një frymë përgjegjshmërie për të
ecur më shpejt, megjithatë, ecuria në rrugë e sipër do të tregojë që ky vullnet
është i vërtetë, ku sigurisht do të duhet që të kemi konstruktivitet të lartë,
pasi debati shumë i madh dhe shterp nuk do të na ndihmonte, por do të na fuste
në qorrsokake të reja. Kështu që kërkohet ritëm dhe konstruktivitet, pasi
përgjegjshmëria ndaj zgjedhjeve dhe kualitetit është një problem madhor. Siç e
dini, një nga elementët e rinj të shtuar për vlerësimin e Shqipërisë edhe në të
ardhmen e integrimit evropian, është pasja e zgjedhjeve me standarde sa më të
larta.

Sigurisht, ne do të shterojmë të gjitha
propozimet që janë paraqitur, përfshirë edhe propozimet që LSI-ja ka vendosur
në tavolinën e diskutimeve ku aty pastaj do të shikojmë edhe cilat do të jenë
edhe dakordësitë dhe mirëkuptimi i duhur.

Z. Balla tha që nuk është momenti për të
diskutuar për listat e hapura, një nga propozimet e LSI-së të bërë një ditë më
parë dhe tha që nuk është momenti që ky diskutim të bëhet në Komisionin e Reformës
Zgjedhore, por ndoshta pas zgjedhjeve elektorale. Si e shihni ju këtë deklaratë
të z. Balla?

Çështja e listave të hapura është një problem
jo i ri. Është një qëndrim konsistent i yni. Për ata që kanë një memorie të
vëmendshme, është një problem i ngritur që në vitin 2008 dhe i mbrojtur fort
nga ne, dhe është vendosur mbi principe shumë të shëndetshme, siç është ai i
përfaqësimit sa më të drejtpërdrejtë të vullnetit të njerëzve.

Pra, nuk është një çështje që lind sot,
paraqitet sot dhe propozohet sot. Kanë qenë raporte të vështira, ka qenë një
zgjedhje e rrufeshme. Ju e kujtoni historinë e vitit 2008 ku ne e kemi
propozuar dhe rimarrim duke besuar se një klimë e re më konstruktive, më e qetë
dhe që lexon se çka ndodhur ndër vite, krijon një hapësirë të re për ta rimarrë
çështje.

Ne besojmë se rimarrja nuk ka përse të jetë
një tabu dhe nuk besoj se duhet të ketë të shqetësuar nga kërkesa, pasi nuk ka
të bëjë me interesin e LSI-së, por ka të bëjë me interesin e një procesi sa më
të shëndetshëm dhe sa më përfaqësues lidhur me këtë çështje. Po në këtë klimë
ne kemi parë edhe çështjen e votimit elektronik. Një votim të cilin ne e
mbështesim dhe e kemi mbështetur edhe kur ky është miratuar si një projekt
pilot.

Besoj që gjykatësi më i mirë, më i paanshëm
lidhur me këtë çështje, përtej këtij debati të fortë politik, pasi të gjitha
palët janë shprehur pro dhe ju e dini që ka pasur një projekt pilot të
miratuar, qëllimi ynë është ky; që ekspertiza më e mirë në këtë çështje është
OSBE-ODIHR dhe do të ishte shumë e vyer të shpreheshin ata se si duhet të
procedonim lidhur me këtë çështje përtej debateve tona politike. Dhe ky
propozim apo sugjerim i tyre do të ishte zgjidhja e mundshme. Në rast se ata do
të sugjeronin një zgjidhje konkrete për ta aplikuar në nivel kombëtar këtë,
patjetër pse jo ta bëjmë. Do të ishte më e mira të ecnim në bazë të një
ekspertize tashmë të njohur dhe të paanshme dhe të padiskutueshme edhe për
paanshmërinë edhe për nivelin e ekspertizës profesionale.

Gjithashtu, duke u nisur nga sa thashë më
lart, është shumë i rëndësishëm që procesi të realizohet dhe kjo reformë të
realizojë një proces me standarde, pasi ju e keni parasysh që bëhet fjalë për
një proces zgjedhor delikat dhe me shumë rëndësi në procesin e integrimit, dhe
në këtë mes ne shohim shumë të rëndësishëm, rolin e të gjithë partnerëve
strategjik tanë.

BE është prezent në komision, por do të ishte
shumë e rëndësishme që edhe administrata e re amerikane të ishte gjerësisht
aktive, qoftë monitorimin, ndjekjen e procesit, vlerësimin e tij përfundimtar, pasi
një vlerësim pozitiv i këtyre zgjedhjeve, qoftë nga BE, por në mënyrë të
veçantë nga SHBA.

Në mënyrë të veçantë administrata e re
amerikane, do të thoshte një plus shumë i madh për vendin tonë dhe do të
thoshte një proces integrimi që ecën përpara pa asnjë pengesë dhe pa asnjë
koment negativ dhe pa asnjë lloj rezeve. Kështu që ky proces jo vetëm zgjedhor,
por edhe politik duhet parë në këtë mënyrë.