Tomorr Alizoti: Gara në PD, jo e ndershme, pse refuzova të isha pjesë e partisë

Ka qenë një nga kritikët e hapur të kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha. Tomor Alizoti, drejtuesi i departamentit të të përndjekurve Politikë në Partinë Demokratike, ka menduar që të japë kontributin e tij, duke dhënë mendimin e lirë, jashtë radhëve të partisë. I ftuar në një prej emisioneve televizive në News 24, Alizoti ka dhënë mendimin e tij lidhur me garën e brendshme të Partisë Demokratike që po zhvillohet për kreun e kësaj force mes Lulzim Bashës dhe Eduard Selamit. Ai lëshoi akuza të forta për zgjedhjet brenda PD-së, duke konsideruar një garë farsë dhe pa lista. Sipas tij dorëheqja e Bashës pas humbjes së zgjedhjeve do të ishte një gjest fisnik dhe do të ndihmonte në futjen e një standardi tjetër në parti. “Dorëheqja e kryetarit dhe kryesisë e nënkryetarëve, do tregonte një standard tjetër. Kjo gjë do ndodhte për herë të parë. Dorëheqja është fisnikëri. Basha duhej ta kishte bërë dhe do mbahej mend si njeriu që e bëri për herë të parë këtë gjë. Kështu do të bënte që edhe me partinë Socialiste të ndodhte më vonë e njëjta gjë”, tha Alizoti. Ai foli edhe për qëndrimin e kandidatit tjetër në garë për kreun e partisë Demokratike, Eduard Selami. Sipas tij, qëndrimi i tij po shënon një farsë. “Kandidati tjetër po regjistron një farsë. Këtu nuk ka garë, ku janë ata njerëz që kanë studiuar jashtë vendit. Ç’është kjo garë pa lista. Një garë në mes të korrikut dhe pa lista. Ç’është kjo demokraci pa mendim ndryshe. Në PD ka mendim ndryshe. Por nëse Basha e bën këtë garë pa garë, atëherë brenda partisë do ketë pakënaqësi”, deklaroi Alizoti. Në këtë intervistë në studio, Alizoti pranoi se kishte marrë një ftesë nga Basha për të qenë pjesë e partisë, por ai ka preferuar që të japë kontributin e tij nga jashtë. “Unë jam i ftuar nga Basha, nuk kam dashur të hyj në PD, jam i djathtë dhe e kam votuar këtë parti. Por ne kemi pasur një bisedë që, duke qenë pranë PD-së, unë do t’i bëja mirë kësaj partie. Por unë nuk kam dashur. Kam thënë se mund ta mbroj më mirë nga jashtë partinë. Ne në fund kemi rënë dakord që të kem një liri mendimi. Unë nuk kam aderuar në PD, edhe pse ka qenë një ftesë”, deklaroi Alizoti.