Teksti i SMS-së/ Zbulohet urdhri i LSI për ministrat e deputetët: Mos deklaroni më “Meta kryeministër” por…

64
Petrit Vasili, në cilësinë e zëvendëskryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim iu ka shpërndarë sot të gjithë ministrave dhe deputetëve të kësaj partie një direktivë, thelbi i së cilës është heqja dorë nga deklaratat e tipit “Meta President” apo “Meta Kryeministër”.

Referuar tekstit të plotë të SMS-së, që ka mbërritur sot në numrat e celularëve të deputetëve dhe ministrave të LSI-së, Vasili tërheq vëmendjen në dy mesazhet kryesore që sipas tij duhet të përcillen në publik nga zyrtarët më të lartë të LSI-së.

“Mesazhet tuaja duhet të përqëndrohen në:
1. Dialog për reformën zgjedhore për të mundësuar zgjedhje me standard dhe të pakontestuara si dhe zbatim me këmbëngulje të reformës në drejtësi.
2. “Një shans për të gjithë”, secilit sipas fushës së profesionit të tyre”, – shkruan Vasili në SMS-së.

Ky urdhër i ri, që ka dhënë sot numri dy i LSI-së vjen 24 orë pasi dy ministra të kësaj partie, Klajda Gjosha dhe Edmond Panariti e shprehën hapur në publik dëshirën e tyre që Ilir Meta të jetë kryeministër i vendit.

“Nuk është sekret që ne duam që Meta të jetë kryeministër, ai është njeri që i ka dhënë shumë dialog dhe konstruktivitet politikës shqiptare” u shpreh Gjoshaj.

“Meta kryeministër është kërkesë legjitime, që një forcë politike të kërkojë kryetarin e saj në këtë pozicion” u shpreh Panariti.
Vlen të theksohet gjithashtu se me anë të kësaj direktive, LSI duket se po kërkon të zbusë disi tonet brenda koalicionit qeverisës me PS-në dhe kryeministrin Rama, që thirrjet “Meta kryeministër” i kanë vlerësuar si provokim në prag të zgjedhjeve nga ana e aleatit të tyre kryesor.

Deklarata të tillë ku kërkohet Meta kryeministër nuk janë të reja, por kanë filluar qysh në vitin 2013 me ish ministrin e dejtësisë Nasip Naço.

“Ilir Meta ka qenë ndër kryeministrat më të suksesshëm, dhe në këtë mënyrë garanton votën e elektoratit të qarkut të Beratit dhe të gjithë Shqipërisë për të qenë një kryeministër i suksesshëm”. u shpreh Naço

Gjithashtu edhe Kejdi Mehmetaj dhe Endrit Brahimllari kanë bërë të njëjtën deklaratë “Nuk është diçka sekrete, por ne të gjithë synojmë që Meta të jetë shefi i qeverisë pas zgjedhjeve.”

Zërat brenda LSI-së që kërkojnë Metën kryeministër duket sikur janë të derigjuar nga pas. LSI po bën një lojë të dyfishtë më deklaratat e saj, ku numri dy i kësaj force politike u kërkon deputëve kur dhe si të flasin për çeshtje të caktuara brenda koalicionit qeverisës.

TEKSTI I PLOTË I SMS
I/E nderuar.
Kryetari do të jetë jashtë vendit për disa ditë. Nuk duhet të ketë shpërqëndrim nga ju lidhur me mesazhin politik me deklarime Meta President, Meta Kryeministër, etj.

Mesazhet tuaja duhet të përqëndrohen në:
1. Dialog për reformën zgjedhore për të mundësuar zgjedhje me standard dhe të pakontestuara si dhe zbatim me këmbëngulje të reformës në drejtësi.
2. Një shans për të gjithë”, secilit sipas fushës së profesionit të tyre.
Përshëndetje Petrit Vasili.