Takimi anti Basha, kundërshtarët lum akuzash kundër liderit të vetëngrirë

46
Kundërshtarët e hapur të Lulzim Bashës janë mbledhur për herë të fundit, mbrëmjen e djeshme në një përpjekje për të ndalur zgjedhjet e sotme
Kritikët e Lulzim Bashës kanë bërë përpjekjen e fundit për anulimin e zgjedhjeve për kreun e Partisë Demokratike që do të mbahen ditën e sotme. Pasditen e djeshme ata u mblodhën në një takim me mbështetës demokratë në Akademinë e Arteve në Tiranë.
Nismëtari i kësaj nisme Astrit Patozi u shpreh: “Kundërshtari jonë Rama, kërkojmë PD të bashkuar. Basha njëri prej nesh”. Mes figurave që janë shprehur kundër kryetarit të ngrirë të PD-së janë figura të njohura si Besnik Mustafaj, Ridvan Bode, Majlinda Bregu. Në këtë takim mungonte ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli, e cila më vonë shpjegoi pse nuk ishte. Me sloganin “ASKËND PËR TË HUMBUR, GJITHËKËND PËR TË FITUAR”, kritikët e Bashës shpalosën shqetësimet e tyre para demokratëve të kryeqytetit. Prej ditësh lëvizja e drejtuar nga Astrit patozi, ka bërë të njëjtën gjë edhe nëpër rrethe. Madje ata morën nismën për të firmosur një peticion me emrat e anëtarëve me qëllim largimin e Lulzim Bashës. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve, zërat kundër nuk u dëgjuan nga asnjë prej kandidatëve, të cilët në të njëjtën kohë bënin fushatë në rrethe. Astrit patozi ka qenë tepër i ashpër me deklaratat e tij edh ekundër kandidatit të vetëm në garë përballë Bashës, Eduard Selami. Patozi ka thënë se Selami ndodhet në këtë garë si Maqo Lakrori përballë Edi ramës. Kritikat e kundërshtarëve të bashës nuk janë dëgjuar gjatë fushatës as nga kandidati Eduard Selami. 
Mustafaj: Basha i ka hequr të drejtën e garës PD-së
Në fjalën e tij, Besnik Mustafaj, deklaroi qartazi se do të bojkotojë zgjedhjet, duke akuzuar Bashën se hoqi të drejtën e garës në PD. “Nuk është kundër një njeriu, është kundër një standardi, qoftë ky njeri edhe Lulzim Basha. Nuk është as në mbështetje të një njeriu, është në mbështetje të një standardi qoftë ky njeri edhe Astrit Patozi. Ne jemi për ti dhënë PD-së atë parim të madh që e ka si shtëpia e lirisë, nuk ka ardhur ende momenti që ne të përcaktojmë njeriun që do të duam të kemi në krye të kësaj hapësirë lirie, atë që do të na udhëheqë drejt perspektivës për të ardhur në pushtet PD, sepse Lulzim Basha i ka hequr PD të drejtën e garës dhe vetëm gara e bën hapësirë lirie PD. Nuk mund të bëheshim pjesë e një gare farsë prandaj unë nesër nuk shkoj të votoj. Basha me marrëveshjen me Edi Ramën dhe fushatën që pasoi që u përmbyll ashtu si u përmbyll me 25 qershor nuk shkatërroi vetëm PD por shkatërroi krejt të djathtën shqiptare”, u shpreh Mustafaj.

Bode: Basha të jap llogari për përjashtimin e atyre që kontribuan ndër vite
Pas Besnik Mustafajt fjalën e ka marrë deputeti demokrat Ridvan Bode ku bëri thirrje për reflektim të humbjes së thellë në zgjedhjet e 25 qershorit të Partisë Demokratike. Ish-ministri i Financave në kohën e Berishës, tha se humbja më e thellë e PD-së nuk erdhi vetëm nga pushteti, por dhe nga ndrydhja e opozitës. “Ka rreth 4 javë që ne një grup drejtuesish në PD, njerëz me kontribute, që mblidhemi për një perspektivë të re të partisë, e cila ndodhet në momentin më të rrezikshëm të saj. PD dhe e djathta u përballën me humbjen më të thellë që ka ndodhur ndonjëherë. Kjo meriton një përgjigje. Se nuk është një humbje që vjen nga pushteti, por ndrydhje që vjen nga opozita. Ne humbëm 12-13 mandate që i kishim në vitin 2013. Humbëm rëndë atëherë dhe morëm përgjegjësitë, por thellimi i humbjes përbënte alarm që kërkon reflektim. Humbja na bëri ti kërkojmë kryetarit aktual që të hapte debat. Duhet të jepte llogari për largimin e atyre që dhanë kontribut”, pohoi Bode. Ai ndër të tjera ironizoi anëtarët e PD që do të votojnë nesër për kryetarin e ti, ndërsa theksoi se në 25 qershor opozita nuk siguronte dot as 13 mijë komisionerë.“Si ka mundësi që ne shteruam në zgjedhje? Ne humbëm 230 mijë vota që ne i kishim në 2013. Përballë mungesës së ofertës së diskutimit, oferta e parasë e kishte të lehtë të triumfonte. Nesër na u tha se do jenë 103 mijë anëtarë të PD që do të votojnë në këtë garë. Po si ka mundësi që në mesin e këtyre anëtarëve nuk gjetëm dot 13 mijë komisioner. por ia besuam votën kundërshtarëve. Jemi shndërrua në një parti të kryetarit”, shtoi ai.
Topalli: Basha ka tradhtuar partinë dhe parimet e saj
Ish-deputetja Jozefina Topalli nuk ishte e pranishme në takimin anti-Basha të mbledhur mbrëmjen e djeshme në Akademinë e Arteve në Tiranë. Por gjatë një prononcimi për për mediat Topalli u shpreh se Basha ka tradhtuar PD e parimet e saj dhe për këtë arsye duhet larguar. “Mbështes çdo përpjekje e çdo nismë të çdo demokrati, çdo aktivisti, çdo personaliteti të PD që ka synim ndërgjegjësimin e opinionit për krizën ekzistenciale në të cilën ndodhet PD për shkak të humbjes katastrofale të 25 Qershorit dhe sjelljes të paprecedentë të Bashës me këtë rrënim ku e çoi ai. Sot kambanat bien për kë ka veshë për të dëgjuar. Lulzim Basha ka marrë peng PD, ka grabitur garën, ka dhunuar statusin ,dhe ka hyrë në një farsë që vetëm me fjalën demokratike nuk ka lidhje. Lulzim Basha ka tradhtuar PD e parimet e saj. Ai duhet larguar,”u shpreh Topalli.
Bregu: Nuk jam anti Bashë, por ai është i paaftë të drejtojë partinë
Deputetja e Partisë Demokratike Majlinda Bregu nuk do të votojë ditën e nesërme në zgjedhjet e brendshme të Partisë Demokratike për zgjedhjen e kreut të kësaj force. Gjatë një takimi të grupit anti-Basha në sallën e Akademisë së Arteve në Tiranë, Bregu e cilësoi të paaftë Lulzim Bashën për drejtimin e Partisë Demokratike.”Nesër unë nuk do të votoj. Vota e nesërme nuk e bën Partinë Demokratike më të mirë, më të fortë dhe më të bashkuar”, tha Bregu. Majlinda u shpreh gjithashtu se kritikat e Lulzim Bashës i ka bërë edhe përpara se të publikonte listat e deputetëve për zgjedhjet në një kohë kur të gjithë ju kthyen kundër. Sipas Bregut koha tregoi se kishte të drejtë.“S’kam qenë dhe s’jam asnjë ditë kundër tij, s’kam arsye të ndjehem e zhgënjyer dhe e zemëruar me të. Heshtja këto ditë nuk është mëri, nuk kisha fuqi…kam folur e stërfolur këto vite për mungesën e transparencës, mendimet e padiskutuara, për mbledhjet mediokre te grupit parlamentar, për frymën përçarëse brenda PD, i kam akoma në sy kokat e ulura në mbledhjet e grupit parlamentar dhe kam akoma në vesh tingujt e kujt më akuzonte hapur apo tinëz… Koha më dha të drejtë dhe jo vetëm mua. Por kjo nuk më bën mua të ndihem mirë, dhe as ndonjërin nga ju të ndihet i fituar. Kjo nuk është betejë personale për të zëvendësuar Bashën me një emër tjetër. Është nevojë për të braktisur qasjen që na dëmtoi të gjithëve, domosdoshmëri për ti ikur fitoreve imagjinare, me republika imagjinare që në fund sjellin ndëshkim. Unë sot nuk konfirmohem dot as me ata që më dhanë të drejtë për vonesën, të cilët prej këtij zgjimi të vonë nuk mundën të ndalin shfaqjen më të shëmtuar të demokracisë të PD, 22 korrikun. 

Patozi: Rama na del e tepron, Bashën s’mund të lejojmë të sillet si xhelat
Gjatë fjalës së tij me demokratët në Tiranës, Astrit Patozi është shprehur dhe një herë që nuk e njohin garën për kreun e PD-së dhe se ai u tha “me pak fjalë ne jemi partia që duam të zgjedhim kryetarin. Ndërsa ai është kryetari që do të zgjedhë partinë”, duke iu referuar Bashës.“Kjo nuk është një lëvizje politikanësh por e shumicës së demokratëve, që ndjekin instinktin dhe ndjeshmërinë. Ne nuk e pranojmë dot ngurtin e Lulzim Bashës për ta mbyllur me një farsë ndërsa duhet të ishte gara më korrekte. Me pak fjalë ne jemi partia që duam të zgjedhim kryetarin. Ndërsa ai është kryetari që do të zgjedhë partinë. Ne jemi kundër kësaj. Gjatë këtyre ditëve na kanë quajtur dhe kundërshtarë të Lulzim Bashës. Të gjithë ne kemi vetëm një kundërshtarë dhe ai është Edi Rama, i cili na del dhe na tepron” tha Patozi. Sipas Patozit kalimi i krizës që ka mbërthyer PD-në bëhet nëpërmjet një analize të detajuar për zgjedhjet. Mes të tjerash ai tha se kjo lëvizje është gati të punojë me Bashën, duke shtuar se ai ishte kryetar dhe jo mbret. Patozi theksoi se nuk mund të pranojë dikë si Basha që sillet dhe si xhelat dhe si viktimë. “Gjithçka çfarë bëjmë për PD është që ta kthejmë atë në lavdinë e dikurshme. Kjo nuk është lëvizje kundër PD. Ne thjesht ndoqëm instinktin, jo nuk është çështje pushteti pasi gjithkush prej nesh është i gatshëm që të marrë çdo vendim, duke filluar nga unë i pari”, tha Patozi.