Takim Idrizi-Meta-Rama tek vila 31

117

TIRANE –  Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi po zhvillon një takim me kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e parlamentit Ilir Meta, tek ‘Vila 31’ në Tiranë. Mendohet se në fokus të bisedës është çështja e ndarjes së re territoriale, pasi zoti Idrizi deklaroi pak ditë më parë se PDIU-ja do jetë katalizatore që palët të ulen në tryezë për ligjin e nëpunësit civil dhe reformën territoriale. Pas takimit që zhvilloi pak ditë më parë me ambasadorin amerikan Alexander Arvizu, Idrizi tha se “PDIU do t’i nxitë palët që të ulen për ligjin e statusit të nëpunësit civil, pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi aktin normativ të qeverisë të miratuar në Kuvend, si dhe për kryerjen e reformës administrative dhe territoriale, pasi Partia Demokratike nuk merr pjesë në komisionin kuvendor”  Opozita ka refuzuar pjesëmarrjen në Komisionin e posaçëm për Reformën Territoriale dhe akuzon Qeverinë se ka shkelur konsensusin duke thyer besimin mes palëve. Komisioni ka afat 3-mujor, por ajo që mbetet për tu parë është se sa kohë do t’i lihet opozitës për të zënë vendet në komision, teksa mazhoranca ka deklaruar se pritja nuk do të jetë e pafundme.