Tabaku: 76 subjekte pasive në listën e zezë të Bashkisë

678
Sigal

Hipotekat/ Thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë në procesin e legalizimeve për përmbylljen brenda afateve ligjore

Bashkia e Tiranës dhe ALUIZNI fusin në listën e zezë 76 subjekte që nuk kanë plotësuar dokumentet tekniko- ligjore dhe detyrimet financiare në procesin e legalizimit. Nënkryetarja e Bashkisë, Jorida Tabaku dhe drejtori i ALUIZNI-t, Ardian Kollozi u bënë thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë në procesin e legalizimeve për përmbylljen brenda afateve ligjore.  “Ekzistojnë rreth 456 objekte të ndërtuara në Tiranë, të cilët kanë shkelur lejen e ndërtimit. Pas një pune që Drejtoria e ALUIZNI-t ka bërë, një pjesë e tyre kanë përfunduar procesin dhe ndodhen pranë zyrës së ZRPP, ndërkohë që ne bashkërisht po punojmë për 244 objekte të cilat ende nuk kanë përfunduar plotësimin e detyrimeve ligjore për legalizim. Gjatë kësaj kohe, ne kemi marrë të gjithë informacionin tekniko – ligjor që ndodhej në Bashkinë e Tiranës dhe në arshivën teknike, për të mundësuar plotësimin e të gjithë dosjeve problematike, por pavarësisht kësaj, pavarësisht vullnetit tonë, dëshirës sonë për ta përfunduar këtë proces, ekzistojnë të paktën edhe 76 subjekte të cilët janë pasivë dhe nuk kanë shfaqur interes për ta përfunduar këtë proces. Ne mund të bëjmë sigurisht maksimumin tonë, por është në dorë të këtyre subjekteve, që të përfundojnë të gjithë procedurat e nevojshme pranë zyrave të ALUIZNI-t, për procesin e legalizimit të objekteve pa leje. Të gjithë këto subjekte duke filluar që nga ato që nuk kanë paguar, duke vazhduar me ato të cilët kanë probleme për të plotësuar dosjet, të karakterit tekniko – ligjor, janë vendosur në “listë të zezë” të Bashkisë së Tiranës. Në momentin e parë që këto subjekte do kenë akses tek strukturat e Bashkisë, Drejtoria e Tatimeve ose në Zyrën e Urbanistikës, pranë Bashkisë së Tiranës, këto subjekte do të identifikohen dhe do të vendosen në kontakt me zyrën e ALUIZNI-t.”,- deklaroi Tabaku.  Për të mundësuar përfundimin e procedurave dhe përshpejtuar procesin e legalizimit, Bashkia e Tiranës ka vendosur në shërbim të subjekteve të gjithë dokumentacionin që gjendet në arkivën teknike të Bashkisë. Pavarësisht kësaj, disa subjekte vazhdojnë të jenë indiferente ndaj plotësimit të detyrimeve që kanë përballë qytetarëve.