Statusi, në 10 tetor KE publikon vendet kandidate

544
Sigal

Në 10 tetor Komisioni Europian do të publikojë Strategjinë e Zgjerimit për vitin 2012-2013

Për Shqipërinë konkluzionet e Progres Raportit janë veçanërisht të rëndësishme këtë tetor, pas dy vjet rresht refuzimi të statusit kandidat. Nëse analizohen mundësitë dhe opsionet e mundshme për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe ecuria e mëtejshme e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë, vihet re se ndryshe nga vitet e mëparshme, kur progresi në disa prioritete pothuaj nuk ekzistonte dhe në disa të tjera ishte shumë i kufizuar, këtë vit Shqipëria gjendet në një situatë shumë më të favorshme.  Marrëveshja e nëntorit 2011-të midis dy forcave kryesore politike hapi rrugën për plotësimin e 12 përparësive të caktuara nga Komisioni Europian.  Dialogu politik i arritur ka prodhuar disa rezultate konkrete si: Miratimi i reformës zgjedhore; zgjedhja e Avokatit të Popullit, miratimi i disa ligjeve të rëndësishme që kërkonin shumicë të cilësuar; si dhe miratimi i ndryshimeve kushtetuese për kufizimin e imuniteteve të zyrtarëve të lartë. Ndërkaq, duhet të vijojë puna për çështjet e adresuara në përparësitë e tjera si: Funksionimi i duhur i Parlamentit nëpërmjet miratimit të ndryshimeve në rregulloren e tij; forcimi i shtetit të së drejtës dhe miratimi i ligjeve të rëndësishme në fushën e drejtësisë; lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e shoqëruar me raste e persona konkret të dënuar; reformimi i administratës publike; si dhe garantimi i të drejtës së pronës. Me këto zhvillime, sipas edhe analizave të organizatave vendase dhe të huaja, dy janë opsionet e Komisionit për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë; Rekomandim pa rezervë ose Rekomandim i kushtëzuar, duke listuar një ose disa kushte të paplotësuara, të cilat duhet të përmbushen para marrjes së vendimit nga vendet anëtare të BE. Skenari më realist për Shqipërinë këtë tetor, do të ishte rekomandimi i kushtëzuar. Këtë skenar e përforcon dhe precedenti i Serbisë në vitin 2011-të, kur mbas rekomandimit të Komisionit të kushtëzuar me riangazhimin në dialogun Serbi-Kosovë, vendet anëtare (Këshilli) vendosën në dhjetor të rimarrin në shqyrtim propozimin e Komisionit në një kohë tjetër (shkurt 2012), pasi Serbia të tregonte angazhim të vazhdueshëm dhe të dëshmonte progres të matshëm në dialogun me Kosovën.  Sipas këtij skenari, pas rekomandimit të Komisionit, Këshilli në dhjetor do të kërkonte më shumë kohë për të vlerësuar nëse Shqipëria ka bërë progres të qëndrueshëm në drejtim të zbatimit të reformës zgjedhore (duke patur parasysh eksperiencën e zgjedhjeve parlamentare të 2009 dhe ato lokale të 2011); vijimit të dialogut politik; reformës parlamentare si pjesë e marrëveshjes së nëntorit; reformën në sistemin e drejtësisë; luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky afat kohor duket se mund të shkojë përgjatë vitit 2013-të, kur Këshilli të vendosë që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat mbasi problematikat e mësipërme të jenë zgjidhur. Rëndësi të veçantë do të ketë përgatitja, organizimi dhe përfundimi me sukses i procesit zgjedhor jo vetëm për shkak të parregullsive të vërejtura vitet e mëparshme, por edhe sepse prek drejtpërdrejtë një sërë prioritetesh të tjera si: Dialogu politik, funksionimi dhe pavarësia e sistemit gjyqësor, profesionalizmi i administratës publike, etj. Suksesi në realizimin e zgjedhjeve, së bashku me ecjen përpara të reformave që ndihmojnë funksionimin dhe ruajtjen e pavarësisë së institucioneve, do të ishte konfirmim i pjekurisë politike dhe institucionale të arritur nga Shqipëria dhe arritje e merituar e statusit te vendit kandidat për anëtarësim në BE.