Integrimi, Sequi: Politika të vendosë reformat mbi interesat partiake

428
Sigal

 Realizimi në kohë i reformave nga ana e politikës është në interesin më të mirë të vendit dhe të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh sot kreu i delegacionit të Bashkimit Europian, Ettore Sequi, gjatë publikimit të raportit qytetar për monitorimin e zbatimit të planit të veprimit për adresimin e 12 prioriteteve të Komisionit Europian. Ambasadori Sequi kërkoi nga drejtuesit politikë që vënë përpara interesave partiake, reformat për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Sequi vlerësoi rëndësinë e madhe që ka angazhimi dhe inkurajimi i politikës në përmbushjen e reformave të rëndësishme në procesin e integrimit të vendit. Ndërsa zv/ministri i Integrimit, Edmond Hoxha, kundërshtoi konkluzionin e raportit se në vitin 2012-të është punuar më pak sesa në vitin 2011-të. “Ne mendojmë se është totalisht e kundërta. Në vitin 2012-të është punuar më shumë se në vitin 2011 përsa i përket luftës kundër korrupsionit. Megjithatë mendoj se kjo mospërputhje vjen për shkak të mungesës së informacionit, për shkak të mungesës së përditësimit të këtij informacioni dhe ndonjëherë edhe për shkak të vonesave në mbledhjen e këtij informacioni”, tha Hoxha.  Një ekip prej 15 monitoruesish nga shoqëria civile kanë monitoruar zbatimin e masave të planifikuara nga Qeveria shqiptare për adresimin e 12 prioriteteve gjatë periudhës qershor-shtator 2012-të.