SPAK nis hetimet për PPP, 120 mln euro të Check-up

537
Sigal

Pas koncesionit të Sterilizimit, denoncohet në Gjykatën Speciale Antikorrupsion edhe koncesioni më i përfolur për korrupsion

PD dërgon në SPAK koncesionin e Check up-it

Para disa ditësh, u dorëzua në SPAK kallëzimi penal kundër koncesionit të sterilizimit, ku prokuroria filloi menjëherë hetimet. Dje, në SPAK u depozitua edhe kallëzimi i i dytë për koncesionin më të përfolur për aferën korruptive

Edhe Check up-i në SPAK

Partia Demokratike njoftoi dje se do të dërgojë për hetim në Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) koncesionin e shërbimit të kontrollit shëndetësor njohur ndryshe si “Check up”. Ish-deputetja Albana Vokshi denoncoi me dokumente se koncesioni është korruptiv. “PD ka vendosur të dorëzojë në SPAK provat e reja që disponon dhe që provojnë se koncesioni [ i check up-it] manipulon formularët ndër vite për bërjen e analizave. Këto të dhëna faktojnë se në Qendrat Shëndetësore janë shpërndarë me mijëra formularë të vitit 2015 [jo të këtij viti], të cilët duhen mbushur sipas informacioneve që po çon koncesionari këto muajt e fundit.” Me deklaratën e saj, Vokshi u bëri thirrje mjekëve të mos i plotësojnë formularët e viteve të shkuara dhe të mos bëhen pre e manipulimeve. “Check up-i nuk është falas, siç propagandon Kryeministri Rama. Shqiptarët jo vetëm paguajnë rreth 15 euro për një analizë, shumë më shtrenjtë se në privat, por paguajnë edhe për qindra mijë analiza të tjera që nuk bëhen kurrë. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se për 3 vitet e para, koncesionari është paguar në mënyrë abuzive me 12.6 milionë euro për rreth 500 mijë analiza të pabëra asnjëherë.” Demokratët akuzojnë për koncesionin korruptiv qeverinë dhe theksojnë se përfituesja e kontratës, sipërmarrësja Vilma Nushi, është financuese e fushatave të socialistëve. Këto akuza PD i ka bërë edhe më parë duke theksuar, se po bëhen miliona euro abuzime. Ky është koncesioni i dytë në shëndetësi që do të hetohet nga SPAK. Më parë, me nismë qytetare nga nisma Thurje, u dërgua për hetim koncesioni i sterilizimit. Qeveria ka dhënë me koncesion 4 shërbime shëndetësore, ku përveç Check up-it dhe sterilizimit janë edhe dializa dhe laboratorët. Por pavarësisht akuzave, Kryeministri Rama i mbron koncesionet si politika e duhur dhe më e mirë për shëndetësinë.