Sot raundi i fundit për zgjedhjen e KLGJ dhe KLP, pritet sërish dhuna e goglave nga PS

106
Nënkomisioni i posaçëm ad hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë pritet të mblidhet sot, për herë të tretë për të miratuar listën me kandidatë. Ndryshe nga dy herët e tjera, lista e tretë pritet të ketë interes sa kohë që nëse Kuvendi nuk e miraton të enjten, atëherë ajo mbetet në fuqi.
KLGJ ka një përbërje prej 11 anëtarësh, 6 prej të cilëve zgjidhen nga gjyqtarët e të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor dhe 5 nga Kuvendi, nga radhët e juristëve jogjyqtarë. Edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga prokurorët e të gjitha niveleve të prokurorisë dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi, nga radhët e juristëve joprokurorë. Kuvendi e ka humbur këtë mundësi dy herë. Pra, pas dy votimesh në Kuvend, lista për anëtarë jo gjyqtarë për KLGJ dhe jo prokurorë për KLP nuk ka marrë kuorumin kushtetues. Pas kalimit sot në nënkomision, procedura do të përsëritet të enjten në Kuvend për herë të tretë.
Në bazë të ligjit, në rast se pas zhvillimit edhe për herë të tretë të procedurës, Kuvendi nuk ka miratuar listën e paraqitur, atëherë kandidatët e listës përfundimtare të nënkomisionit do të konsiderohen automatikisht të zgjedhur, që me gjasë kështu do të ndodhë, sa kohë që dy listat e para nuk kanë pasur konsensus mes partive kryesore politike në vend.
Nëse do të ndjekim praktikën e deritashme të nënkomisionit, lista e tretë pritet që të ketë të njëjtin fat si dy listat e para, pra kalimin e saj me goglat e shortit.
Partia Demokratike, krahas kontestimit që ka për emra konkret, ka kundërshtuar në themel procedurën e ndjekur nga Kuvendi e kryesisht nga Sekretari i Përgjithshëm, Genc Gjoncaj, i cili ka kualifikuar nga lista e kandidatëve edhe emra që janë skualifikuar paraprakisht nga Avokati i Popullit, komisioni i Shoqërisë Civile dhe mbi të gjitha nga ONM-ja.
Demokratët janë shprehur qoftë në mbledhjet e nënkomisionit, por edhe përmes shkresash zyrtare dhe letrash dërguar ambasadorëve se, në përzgjedhjen e anëtarëve jo magjistratë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë është shkelur Kushtetuta dhe ligji në disa aspekte. Sipas opozitës, “Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ka injoruar, në tejkalim flagrant të kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore, vlerësimet e bëra nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), duke kualifikuar të paktën 3 kandidatë të skualifikuar nga ky organ kushtetues ndërkombëtare”.
Ndryshe nga argumentimet ligjore, që ka dhënë Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, për demokratët kualifikimi i kandidatëve të skualifikuar nga ONM nuk është kompetencë e tij, por e anëtarëve të nënkomisionit ad hoc. Sipas grupit parlamentar demokrat, “organet e arsimit të lartë, gjithashtu kanë kryer veprime në mashtrim të ligjit, duke kualifikuar të paktën 2 kandidatë që nuk përmbushin kriteret formale kushtetuese dhe ligjore dhe duke eliminuar për pasojë konkurrimin real për të përzgjedhur juristët më të mirë”.
Demokratët kanë nënvizuar gjithashtu se nuk është bërë verifikimi i integritetit moral të kandidatëve nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, për shkak se ILDKPKI nuk ka bërë verifikimin e pasurisë së pjesës më të madhe të kandidatëve, duke deklaruar se ato nuk kanë qenë më parë subjekt deklarues dhe nuk disponon të dhëna. Jo vetëm në raste konkrete, por gjithë procesi në tërësi, sipas opozitës, nuk është koordinuar dhe mbikëqyrur nga një Komision i Pavarur, që duhet të kishte ngritur Kuvendi në zbatim të ligjit.
Për të gjitha sa më sipër, raundi i tretë i miratimit të listës nuk pritet që të sjellë ndonjë zhvillim të ri, përveç faktit se emrat e kësaj liste do të jenë emrat përfundimtarë për anëtarë të KLGJ-së dhe KLP-së. Kalimi i kësaj liste sërish me goglat e shortit, nuk parasheh ndonjë surprizë në votimin e së enjtes në parlament.