Socialistët brohorasin Berishën, demokratët mbrojnë Ramën

415
Sigal

Ja si do të bashkëjetojnë Berisha me Islamin, Zogajn, Kadelin, Dogjanin, Shehin, Selamin dhe Rama me Ngjelën, Kurt Kolën, apo partinë e Hysni Milloshit

Liderë dhe përfaqësues të së majtës tani kanë kaluar në pjesën e të djathtës ekstreme dhe përfaqësues të së djathtës, tani janë pozicionuar majtas, duke u betuar se do ta rrëzojnë me çdo kusht Berishën. Duket që në fillim se në zgjedhjet e 23 qershorit, elektorati shqiptar do të përballet me  një paradoks të madh, i cili ka të bëjë me përfaqësuesit e majtë dhe të djathtë, të cilët janë të detyruar që të mbrojnë platformat e partive të tyre, nga pozita shumë të vështira, të cilat do t’ua kishte zili vetëm Shvejku dhe Don Kishoti. Kjo ndodh, se shumë individë që kanë përfaqësuar prej vitesh të majtën, sot konkurrojnë me siglën e djathtë, ndërsa shumë të tjerë që kanë qenë pinjollë të Berishës, do të konkurojnë kundër tij. Por sikur të mos mjaftonte kjo, tani askush nga kandidatët nuk ka kurajo të shpjegojë se përse elektorati i djathë duhet t’i japë votën, Islamit, Dogjanit dhe Kadelit, ndërkohë që tek e majta, askush nuk mund t’i përgjigjet pyetjes se përse duhet votuar partia e Spartak Ngjelës, e Kurt Kolës, apo Partia Demokristiane, të cilat në rreshtimet tradicionale kanë qenë të djathta. Gjithashtu, askush nuk mund t’i përgjigjet pyetjes se si mund të kërkohet rrëzimi i Qeverisë së sotme duke u mbështetur tek një parti që ishte pjesë e koalicioit qeveritar, apo si mund të luftohet opozita nëpërmjet ish krerëve opozitarë.

Paradoksi

Ish kryetari socialist Fatos Nano ka deklaruar se do të rreshtohet kundër PS-së, ndërsa ish- nënkryetari demokrat, Bamir Topi, është shprehur disa herë, kundër interesave të selisë blu. Po kështu, Kreshnik Spahiu, ish ndihmësi kryesor i Berishës, tani është rreshtuar kundër tij, ndërsa çudirat vazhdojnë me rradhë. Sepse brenda partive të sapokrijuara kanë dalë fraksione kundër liderëve të rinj, ndërkohë që historitë e dy partive të mëdha janë mbushur veçse me grupe armiqësore, apo me kundërshtarë “për jetë a vdekje”. Por sikur të mos mjaftonte kjo, paradoksi tjetër ka të bëjë me faktin se shumë përfaqësues të së majtës, sot po mbrojnë para elektoratit, skemat e djathta dhe anasjelltas. Psh, Kastriot Islami, si ish ministër i Jashtëm i socialistëve, ka qenë kundër mënyrës se si drejtohej Ministria e Jashtme nga demokratët, por tani ai duhet ta lavdërojë këtë ministri së bashku me gjithë skemën e PD-së për kufirin detar apo për reformat e ndërmarra në politikën e jashtme. Si do t’i mbrojë Dogjani demokratët e Kukësit, kur ai ka një jetë të tërë që i shan ata. Po kështu edhe Kadeli, Xhuveli, apo Ndoka të cilëve u ka mbaruar fryma duke u zënë dhe duke u ripajtuar me Berishën. Nga ana tjetër, Spahiu me Topin, të cilët për hir të së vërtetës “kanë ngrënë bukë” tek e djathta, tani duhet të shajnë të djathtën, për të fituar pikë, tek pjesa e pavendosur e elektoratit të majtë, të cilët urrejnë Berishën. Por historia e paradokseve nuk mbaron këtu, sepse ballistët, çamët, grekët, komunistët, socialdemokratët, pensionistët, ish të burgosurit, etj, kanë nga dy, apo tre parti secila. Ku një prej tyre ka zgjedhur të majtën dhe tjetra të djathtën, Dhe keqkuptimi vazhdon edhe më tej. Si vallë do të ndodhë me votimin e ligjeve kryesore në Parlament, kur Berisha, partia e grekëve, e çamëve, e demokristianëve, e ish të përndjekurve, e socialistëve të rinj, e Shehit, apo e pensionistëve të votojnë për kufirin detar me Greqinë. Po kështu edhe republikanët me monarkistët e kanë të shkruar që në emërtimin partiak se janë kundërshtarë për një gjë kryesore, siç është statusi i emërtimit, për republikë apo për mbretëri. Po rezoluta për çamët si do të trajtohet brenda koalicionit të djathtë prej Omegës greke? Po Fatos Nano, si vallë do të mbrojë Berishën duke sharë Ramën, në lidhje me reformat ekonomike, të cilat ai vetë i ka propozuar brenda së majtës, apo Topi për çështjet themelore të cilat i ka miratuar vetë, kur ishte kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së.

Lufta pa principe

Kjo është luftë brenda llojit dhe luftë vetëm për interesa vetjake. Ky pozicionim partiak tregon qartë pjesën humoristike të Kuvendit të ardhshëm, ku të majtë e të djathëtë janë futur në një rresht për të përfituar, vende pune, para, tendera, apo privilegje personale. Asnjë analist, përveç analistëve tanë, nuk mund të justifikojë këtë katrahurë parlamentare, ku ujku është bashkuar me delen, ku dhelpra është bashkuar me pulat, ku peshkaqeni bashkëjeton me sardelet, apo ku një parti bashkëjeton me kundërshtarët e vet më të egër. Dhe ku përfaqësues të një devize të dikurshme tani janë ndarë në 5-6 skalione, të luftës kundër njeri – tjetrit. Lind pyetja se si do të bashkëjetojë në një qeverisje, Rama me Priftin, apo Angjelin e Haxhinaston, ose me partinë e dikurshme të Hysni Milloshit, apo me ish të përndjekurit poltikë, me grekët dhe njëkohësisht me çamët. Nga ana tjetër si do të kombinohet Berisha me Zogajn, Selamin, Shehin, etj, kur deri tani armiqësia e tyre ka prodhuar fyerje dypalëshe të patolerueshme për kulturën politike. Kjo ndodh se politika shqiptare ecën kuturu pa parametra bashkëkohorë dhe ku të gjithë ëndërrojnë vetëm një gjë: Karrigen e pushtetit!.