Situata në Kosovë, Vasili: Përshkallëzimi i konfliktit politik nuk i zgjidh problemet

35
Nenkryetari i LSI-se e kryetari i grupit parlamentar, Petrit Vasili, reagoi të dielën ndaj situatës së tensionuar në Kosovë, e cila kulmoi me arrestimin e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Vasili, përmes një postimi në Facebook, shprehet se përshkallëzimi i konfliktit politik në Kosovë nuk i shërben zgjidhjes së problemeve. “Përshkallëzimi i konfliktit politik në Kosovë nuk i shërben zgjidhjes së problemeve dhe përparimit demokratik të vendit. Qeveria dhe opozita duhet të braktisin çdo formë përjashtuese apo bllokuese të të bërit politikë dhe të rivendosin dialogun politik si të vetmin mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve aktuale duke respektuar gjithmonë ligjin, institucionet dhe kuadrin kushtetues”, shprehet Vasili.
Një tjetër reagim për situatën në Kosovë ka ardhur nga deputeti socialist, Pandeli Majko, i cili uron që politikanët në Kosovë të ulen në tavolinën e dialogut. “Albin Kurti u arrestua dje. Albini është një politikan konfliktual, por ai merr kuptim i burgosur. Burgosja e politikanëve ndryshon kuptimin e debatit politik. Kosova drejtohet më së shumti nga njerëz që e dinë kuptimin e persekutimit politik, por po ashtu edhe logjikën e dialogut që i uli në tavolinën e bisedimeve nga Rambujeja deri në Bruksel. Shpresoj dhe uroj që politikanët e Kosovës të ulen në tavolinën e dialogut me njëri-tjetrin. Kohës i rëndojnë më shumë politikanët e burgosur se sa politikanët radikalë”, shkruan deputeti Majko në një postim në rrjetet sociale. Një ditë më parë policia e Kosovës ndërhyri në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje duke arrestuar deputetin Albin Kurti dhe dhjetra aktivistë të tjerë, pak pas përfundimit të protestës së opozitës.