Sistem monitorimi i pyjeve, Tahiri: Prerja e pemëve është krim

568
Për monitorimin e pyjeve në vendin tonë do të aplikohet një sistem monitorimi elektronik në mënyrë që t’i jepet fund masakrimit të hapësirave të gjelbra dhe zonave pyjore. Gjatë prezantimit të sistemit të monitorimit të pyjeve me kamera, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha se me këtë projekt synohet t’i jepet mbrojtje dhe gjallërim pyjeve, prerja e paligjshme e tyre përbën krim.
“Prerja e pyjeve është një krim që vret të ardhmen e fëmijëve tanë, ndaj e konsiderojmë prioritet absolut. Ministritë tona dhe të gjitha institucionet do të ndajnë përgjegjësitë dhe do vënë para përgjegjësisë autorët e këtij krimi. Qeveria do të përforcojë masat ndëshkuese për prerësit e pyjeve, duke paralajmëruar se nuk do të ketë vetëm gjobë, por edhe ndëshkime penale”, tha Tahiri.
Nga ana e tij Ministri Lefter Koka tha se, pavarësisht ndërhyrjeve të realizuara deri më tani, ka ende shumë punë për të bërë, pasi dëmtimet janë bërë për vite me radhë. Duke u ndalur tek situata e zjarreve në pyje, ministri tha se do të ketë një rritje më të madhe të monitorimeve për të shmangur rastet e zjarrvënieve të qëllimshme.
“E gjetëm Ministrinë e Mjedisit në një situatë të rënduar dhe nisur nga sfidat që na prisnin, nisëm një sërë reformash. Për këtë krijuam Agjencinë Kombëtare të Mjedisit për të mundësuar përmirësimin e situatës. Është bërë shumë punë, por jemi realistë që ka edhe shumë punë për të bërë. Jemi përpjekur të minimizojmë dëmet e bëra në pyje, por ende s’kemi mundur t’i eliminojmë ato. Janë bërë dëme të mëdha për vite me radhë”, tha ministri Koka. 
Sigal