Shyqyri Dade: “Qeveria minimizoi pensionet e parakohshme për ish -policët, do bashkohemi për ndryshimin”

281

 INTERVISTA/Flet Shyqyri Dade Kryetar i Organizatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit në Lirim

 Kryetari i Organizatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit në Lirim Shyqyri Dade në një intervistë për “Telegraf” është shprehur i pakënaqur me punën e qeverisë për mbështetjen e kësaj kategorie. Sipas tij, qeveria e sotme jo vetëm nuk mori asnjë masë për të lehtësuar jetesën dhe pasojat që rrjedhin nga largimi nga puna i kolegëve tanë, por përkundrazi, edhe ato të drejta që parashikonte legjislacioni i ndryshoi dhe me forcë e në kundërshtim edhe me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. I pyetur në lidhje me krijimin e një partie së bashku me Shoqatën e Ushtarakëve në Rezervë, zoti Dade është shprehur se: “Kur hidhet ideja për krijimin e një partie politike, paraprakisht duhet të qartësohen objektivat politike që partia do të ketë dhe cili do të jetë terreni, ku do të zbatohen objektivat politike dhe cilit grupim e interesat e cilave shtresa do të përfaqësojë”.

 -Zoti Dade, Shoqata e Ushtarakëve në Rezervë ka hedhur idenë  për krijimin e një partie politike. Ku ndër të tjera kanë ka theksuar se, është hedhur ideja për përfshirjen në këtë parti edhe të punonjësve të policisë të liruar nga detyra. A dëshironi ju si kategori të përfshiheni në këtë parti?

-Ne jemi një organizatë që vepron në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe qëllimi parësor i krijimit dhe veprimtarisë së saj është mbrojtja e të drejtave civile, profesionale e jetësore të një grupi të gjerë interesi në përbërje të të cilit janë punonjës të Policisë së Shtetit në lirim, ish- oficerë e punonjës të Gardës së Republikës, ish -punonjës të SHISH-it, ish- punonjës të Mbrojtjes nga Zjarret etj.. Organizata jonë është një organizate jo politike, jo fetare. Baza e saj janë profesionistë të mirëfilltë të kategorive të mësipërme. Në këtë këndvështrim individët anëtare të organizatës tone janë me bindje e pikëpamje te ndryshme politike. Kur hidhet ideja për krijimin e një partie politike, paraprakisht duhet të qartësohen objektivat politike që partia do të ketë dhe cili do të jetë terreni, ku do të zbatohen objektivat politike dhe cilit grupim e interesat e cilave shtresa do të përfaqësojë. Në këtë aspekt -ide të tilla të paqarta nuk mendoj se, duhen marrë shumë në konsideratë. Kjo edhe për faktin se nëse do të flasim për shoqatat e ish- ushtarakëve të Mbrojtjes, ato janë disa dhe në dijeninë time nuk kanë një bashkëveprim për të maksimalizuar luftën për mbrojtjen e të drejtave të ish- ushtarakëve, e jo më të kenë një bashkëveprim për të krijuar një parti politike, ku vullneti i bashkëpunimit, toleranca, idetë dhe objektivat e qarta, programet, organizimi e kapacitetet drejtuese janë kushte themelore. Nga ana tjetër ne jemi një organizatë kompakte dhe kemi ditur të ruajmë solidaritetin e bashkimin profesional edhe në kërkesat e mbrojtjen e të drejtave tona. Kuptohet ne jemi qytetarë të këtij vendi dhe nuk jemi aspak indiferentë ndaj zhvillimeve politike në vend. Këto zhvillime sidomos në këtë vit zgjedhor do të prekin dhe luajnë rol sinjifikativ edhe në çështjet e interesat e anëtarëve të organizatës tonë.

 -A është e vërtetë që shoqatat e majta janë të përçara dhe a ka ndikuar negativisht kjo përçarje?

-Kur flasim për shoqata është e tepërt të thuash shoqata të majta apo të djathta pasi objekti i tyre si edhe e përmenda nuk është politik. E përmenda që në dijeninë time ka grupime të ndryshme të ish ushtarakëve. Në rastin e organizatës tonë  kjo ndryshon. Megjithatë ne pa paragjykime kemi bashkëpunuar me të gjitha shoqatat e ish- ushtarakëve të cilët kanë marrë pjesë në protestat tona për mosaprovimin e një sërë akteve, të cilat goditen interesat tona të përbashkëta.

  -Ekzistojnë zëra që shoqatat e majta, ku kam parasysh edhe Shoqatën e Ushtarakëve janë të politizuara, sa e vërtetë është kjo?

-Organizata e Punonjësve të Policisë së Shtetit në Lirim, është një organizatë që në qendër të punës së saj ka mbrojtjen e interesave sociale, ekonomike, profesionale të karrierës etj., të këtij grupi interesi që ka punuar pikërisht në drejtimet dhe kategoritë e ndryshme të Ministrisë së Brendshme. Këto interesa janë prekur rëndë nga disa veprime e masa ligjore të qeverisë aktuale. Qeveria e sotme jo vetëm nuk mori asnjë masë për të lehtësuar jetesën dhe pasojat që rrjedhin nga largimi nga puna i kolegëve tanë, por përkundrazi, edhe ato të drejta që parashikonte legjislacioni i ndryshoi dhe me forcë e në kundërshtim edhe me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, i uli në minimumin e mundshëm pagesat për pensionet e parakohshme të  tyre. Kjo vuri në vështirësi jo vetëm kolegët tanë, por edhe familjet e tyre. Në këto kushte të një krize ekonomike kaq të rëndë, të papunësisë masive, këto veprime të qeverisë vështirësuan akoma më tepër jetesën e kolegëve tanë, duke i vënë edhe para pamundësisë për të punuar, pasi nuk ka punë, por edhe profesioni i policit është një profesion specifik dhe nuk ushtrohet në një gamë të gjerë pozicionesh pune. Nisur nga kjo ne në mënyrë aktive, individualisht apo të bashkuar do të angazhohemi që në këtë vit deçiziv të punojmë për ndryshimin dhe të influencojmë që nëpërmjet ndryshimit të arrijmë edhe ato kërkesa e interesa që ne kemi në aspektin e të drejtave tona. Jam i bindur që të gjithë bashkë do të sjellim ndryshimin e dëshiruar nga shumica e shqiptarëve.

 -Kreu i Shoqatës së Ushtarakëve ka deklaruar se, është ideja për edhe për përfshirjen e Shoqatës së Policëve të liruar në krijimit të një partie nga ana e ushtarakëve. A do i bashkoheni ju kësaj?

-Personalisht respektoj punën dhe përpjekjet e tij në  drejtimin e organizatës ku ai është kryetar dhe e ftoj që t’i bashkohet lëvizjes së madhe të shumicës së shqiptarëve për një ndryshim të madh këtë vit. Shumë kolegë ish -ushtarakë, ish- policë, por edhe shumë anëtarë të shoqatës, ku është kolegu im po i bashkëngjiten përditë lëvizjes që do të sjellë këtë ndryshim.

Perspektivat për përfshirjen në një parti politike  

-Mendoj që ushtarakët, punonjësit e policisë dhe kategori të tjera të kësaj natyre duhet të kenë përfaqësuesit e tyre në Parlament, por në përbërje të partive, të cilat luajnë rol në vendimmarrje. Edhe sot në të dy partitë e mëdha të përfaqësuara në Parlament ka ish -ushtarakë e ish punonjës policie. Do të duhej që ata të bashkërendonin veprimet e tyre dhe të lobonin në mbrojtje të të drejtave të ish- ushtarakëve e ish -policëve, por ndërsa deputetët e minorancës kanë qenë aktivisht përkrahës të këtyre të drejtave, ata të maxhorancës jo vetëm i kanë harruar e “tradhtuar” me kohë interesat e të drejtat e ish kolegëve të tyre, por shpesh janë kthyer edhe në zhurmues për të mbytur zërin e protestës që vjen nga ata, në drejtim të qeverisë.