‘Shtrëngim duarsh’ Kodheli-Ajazi: Rëndësi, dhënia e informacionit

444
Sigal

Ka nisur sot në Ministrinë e Mbrojtjes seminari me temë “Inteligjenca dhe Demokracia”. Në hapjen e këtij seminari ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, ambasadori i SHBA në Tiranë, z. Alexander Arvizu, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika dhe përfaqësues të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes.

Në fjalën e hapjes, ministria e Mbrojtjes Mimi Kodheli tha se mbledhja, përpunimi dhe shpërndarja e informacionit  në përputhje me nevojat e qeverisë, është një mjet shumë i rëndësishëm, jo vetëm sa i takon sigurimit të informacionit adekuat dhe të saktë, por edhe analizës së shëndoshë dhe të besueshme.
Sipas znj. Kodheli, “Kur flasim për ‘shërbime të inteligjencës’ ne menjëherë na shkon mendja tek ‘sekreti’. Kështu që sfida kryesore që shfaqet, apo që kërkon zgjidhje, është si t’i orientojmë që shërbimet apo organizmat që merren me inteligjencën të respektojnë sistemin demokratik”.

Ndërsa ambasadori i SHBA në Tiranë, z. Alexander Arvizu gjatë fjalës së tij theksoi se roli i shërbimeve inteligjente dhe mbikëqyrja parlamentare janë një çështje mjaft delikate. Sipas z. Arvizu kurrsesi nuk duhet lejuar që informacione të klasifikuara të dalin në publik.
Seminari “Inteligjenca dhe Demokracia” i organizuar nga Zyra e Bashkëpunimit Ushtarak (ODC) pranë Ministrisë së Mbrojtjes përfundon më 2 maj 2014.

Pjesëmarrës në këtë seminar janë edhe profesor James J. Wirtz, dekan i Fakultetit të Studimeve Ndërkombëtare dhe njëkohësisht profesor në Departamentin e Çështjeve të Sigurisë Kombëtare, Scott Jasper, lektor në Shkollën Pasuniversitare të Detarisë, në Qendrën për Marrëdhënie Civile-Ushtarake, si dhe në Departamentin e Çështjeve të Sigurisë Kombëtare dhe Florina Cristiana Matei (Cris), lektore me një eksperiencë të gjatë në fushën e inteligjencës, demokracisë dhe marrëdhënieve civile-ushtarake. Ekipi i profesorëve vjen nga Center for Civil-Military Relations (CCMR), Naval Postgraduate School, Monterey, Kaliforni.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe Shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, janë takuar këtë seminar. Në kulmin e akuzave të Partisë Demokratike për dyshime për përdorimin e infrastrukturës së ushtrisë për trafik droge, fakt i kundërshtuar edhe nga shefi i Shërbimit Sekret, ministrja është shprehur se mbledhja, përpunimi dhe shpërndarja e informacionit në përputhje me nevojat e qeverisë, është një mjet shumë i rëndësishëm, jo vetëm sa i takon sigurimit të informacionit adekuat dhe të saktë, por edhe analizës së shëndoshë dhe të besueshme.  I pranishëm në seminarin e zhvilluar me dyer të mbyllura në ministrinë e Mbrojtjes ishte edhe ambasadori i SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Në njoftimin e zyrës së shtypit të ministrisë së Mbrojtjes citohet ambasadori Arvizu që shprehet se roli i shërbimeve inteligjente dhe mbikëqyrja parlamentare janë çështje mjaft delikate. Sipas z. Arvizu kurrsesi nuk duhet lejuar që informacione të klasifikuara të dalin në publik.