Sigal

Skandali me procedura të dyshimta nga Avokatura e Shtetit, AKBN dhe kompania “Albpetrol”. Si i fali shteti në arbitrazh kompanisë naftënxjerrëse “Bankers Petrolium” 600 milionë USD, ndërsa në Arbitrazh do t’i paguajë nj ë dëm prej 57 mln USD. Ja raporti i plotë i hetimit 

Shqipëria i fali në Arbitrazh kompanisë naftënxjerrëse “Bankers Petrolium” 600 milionë USD, ndërsa do t’i duhet që t’i paguajë plot 57 milionë USD. Me procedura të dyshimta nga Avokatura e Shtetit, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe nga kompania “Albpetrol”, shoqëria private arriti t’ia hedhë paq një gjyqi ku rrezikonte plot 600 milionë USD, që shteti nuk ia njihte “Bankers” si shpenzime, pasi ishin rritur fiktivisht.
Sipas KLSH-së, “Albpetrol” dhe AKBN kanë në zbatim marrëveshjen Hidrokarbure të lidhur me Bankers Petroleum Albania për zhvillimin dhe prodhimin e naftës në vendburimin Patos-Marinëz. “Gjatë zbatimit të kësaj marrëveshjeje, “Albpetrol”’ sh.a dhe AKBN kanë ngritur pretendimi për mosrespektim të marrëveshjes nga BPAL. Pretendimi konsiston në mos njohjen e 600 milionë USD të disa kostove hidrokarbure të kryera nga BPAL, në kundërshtim me marrëveshjen hidrokarbure” thuhet në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Siç shkruan TPZ.AL, “Bankers Petrolium”, në shtator 2015 ka paraqitur kërkesë për arbitrazh ndërkombëtar AKBN dhe Albpetrol. Për të mbrojtur këtë çështje, Albpetrol i ka kërkuar Avokaturës së Shtetit që kontraktimi për shërbimet e përfaqësimit dhe mbrojtjes, të zhvillohet në mënyrë të pavarur nga vetë Albpetrol. Por, avokati i Përgjithshëm i Shtetit i është drejtuar Ministrit të Energjisë dhe Industrisë dhe sugjeron që kontraktimi i shërbimeve të përfaqësimit dhe mbrojtjes nga studio avokatie e huaj/vendase të zhvillohet në mënyrë të pavarur nga vetë “Albpetrol”.
“Ky mosveprim i Avokaturës së Shtetit, duke mos e përfaqësuar dhe mbrojtur Shtetin në këtë çështje, është në kundërshtim të hapur me ligjet, pasi Avokatura e Shtetit zotëron të gjithë kompetencën juridike të nevojshme për mbrojtjen me profesionalizëm të kësaj çështjeje me rëndësi të madhe në përfitim të të ardhurave publike” – thotë KLSH.
Sipas saj, mirëpo pas tre ditësh, Avokatura e Shtetit, i kërkon Ministrit të Drejtësisë të japë miratimin për përzgjedhje të përfaqësimit dhe mbrojtje në çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar. “Pra, brenda një periudhë shume të shkurtër, ka vepruar me dy standarde, duke realizuar dy veprime administrative që kundërshtojnë njëra tjetrën, në njërën sugjeron kontraktimi i shërbimet të bëhet në mënyrë të pavarur nga Albpetrol dhe në tjetrën i kërkon Ministrit miratim për përzgjedhje të përfaqësimit dhe mbrojtje në çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar” vijon raporti.
Më tej, Avokati i Shtetit, me shkresën urgjent informon Ministrin e Drejtësisë dhe Ministrin e Energjetikës ka sugjeruar që firma C., M.-P., C. & M. LLP të kontraktohet në mënyrë të drejtpërdrejtë, në këtë çështje arbitrazhi. “Por, sipas konstatimit në AKBN, me miratim të Avokaturës së Shtetit, tashmë e kishte lidhur kontratën e përfaqësimit me studion e huaj ligjore C., M.-P., C. & M. LLP , çka do të thotë që de jure dhe de facto, ky shërbim avokatie i është dhënë drejtpërdrejt studios së huaj ligjore” thotë KLSH. Mësohet se AKBN i ka paguar studios ligjore vlerën prej 1.351.370.48 USD nga detyrimi total prej 1.358.421.54 USD, ndërsa vetë Albpetrol i ka paguar vlerën prej 46.527.09 USD nga detyrimi total prej 102.378.00 USD. “Kontraktimi i këtij shërbimi pa procedura konkurrimi, ka sjellë gjatë zbatimit të kontratës dhe do të sjellë në vijim rritje të kostos së këtij shërbimi. Konstatohet se studio ligjore “C. M.-P., C.&M. LLP” ka pezulluar shërbimin juridik dhe mbrojtjen në arbitrazhin ndërkombëtar të çështjes, për shkak të mos-pagesave në kohë të faturave financiare nga “Albpetrol”sh.a, duke rritur pritshmërinë e hapjes së një çështjeje tjetër në arbitrazhin ndërkombëtar, ku burim i financimit do të jenë përsëri të ardhurat publike që sigurohen nga shfrytëzimi i burimeve natyrore të Shqipërisë” thuhet në raport. Për kujtesë, në shkurt të vitit 2018, Shqipëria mori një tjetër goditje të rëndë nga Gjykata e Arbitrazhit, e cila ka dënuar qeverinë shqiptare t’i kthejë 57 milionë dollarë kompanisë Bankers Petroleum. Mësohet se këto para’, qeveria shqiptare ia ka marrë pa të drejtë kompanisë Bankers përmes tatimeve dhe tani duhet t’ia kthejë menjëherë mbrapsht. Disa javë më parë, Avokatja e Shtetit, Alma Hicka, u largua në mënyrë të beftë. Media e cilësoi se largimi erdhi si pasojë e skandaleve në këtë avokaturë, ndërsa kryeministri Rama e mbrojti në rrjetet sociale dhe tha se “Alma u largua me dëshirën e saj, për arsye krejt personale”. Por, faktet tregojnë se kjo avokate e shtetit, ka bërë veprime të dyshimta në detyrë, duke shkaktuar dhjetëra miliona euro dëm në buxhetin e shtetit.