Shoqatat civile reagojnë për 30 qershorin: Është e paqartë se si po regjistrohen kandidatët

240

Organizatat e Shoqërisë Civile që monitorojnë proceset zgjedhore ngrenë alarmin për mënyrën sesi kandidat për zgjedhjet e 30 qershorit po regjistrohen.
KRIIK Albania një koalicion shoqatash ngre një sërë shqetësimesh që lidhen me procedurat që po ndiqen për kandidatët për kryetarë bashkie, si dhe për anëtarët e këshillave kashkiakë.
Njoftimi i plotë i KRRIK Alabania
Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK Albania) është duke ndjekur në vazhdimësi përgatitjen e procesit zgjedhor për Zgjedhjet Lokale 2019, veçanërisht vendimmarrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Në datë 17 Maj 2019, KRIIK publikoi DEKLARATËN “Procesi i regjistrimit të kandidatëve po ngre pikëpyetje mbi integritetin e procesit të ardhshëm zgjedhor” me anë të të cilit i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të rimarrë në shqyrtim dhe të vendosë në shina ligjore regjistrimin e kandidatit për Kryetar të Bashkisë Lezhë nga Partia Konservatore Kombëtare Albania, si dhe, në mënyrë urgjente, të marrë masat e duhura për të mbikqyrur sa më nga afër dhe me kujdes të gjithë procesin e regjistrimit të kandidatëve, veçanërisht nga Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor.

KRIIK konstaton me shqetësim se ka paqartësi dhe mungesë informacioni qoftë nga organet e administrimit zgjedhor të nivelit të dytë qoftë edhe nga aktorë të tjerë institucionalë e politikë lidhur me procedurën e regjistrimit të kandidatëve. Ndërsa Kodi Zgjedhor parashikon se kandidatët e propozuar nga partitë politike që nuk kanë prej 6 muajsh asnjë mandat në Kuvend apo në këshillin bashkiak ku bëhet regjistrimi, duhet të mbështeten nga lista me firma mbështetëse, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka regjistruar si kandidat për kryetar në Bashkinë Lezhë, z. Eduart Ndocaj, të propozuar nga Partia Kombëtare Konservatore Albania, bazuar në dokumentacion të pasaktë, si nga Kuvendi i Shqipërisë ashtu edhe nga Këshilli i Bashkisë Lezhë, në lidhje me zotërimin e mandateve nga kjo parti politike në këto dy organe.

KRIIK i bën thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetarëve të këshillave bashkiakë të zbatojnë në frymë dhe në gërmë legjislacionin në fuqi në lidhje me procesin zgjedhor.

Gjithashtu, KRIIK i sugjeron KQZ-së që të informojë në mënyrë të plotë dhe të qartë procedurat dhe kriteret që duhet të zbatohen në regjistrimin e kandidatëve, si për KZAZ-të ashtu edhe për aktorët e tjerë, apo publikun e gjerë.

Në përfundim, KRIIK sjell në vëmendje se procesi i përzgjedhjes dhe regjistrimit të kandidatëve është një proces thelbësor për qeverisjen vendore, veçanërisht në pikëpamje të cilësisë së kandidatëve, integritetit dhe moralit që ata manifestojnë e përcjellin, si dhe të mënyrës së përzgjedhjes së tyre. Por në rradhë të parë ky proces duhet të jetë në respekt të plotë afateve, procedurave dhe kërkesave të ligjit.