Shkëlqim Cani: Burg për politikanët që kanë firmosur privatizimet

569
Sigal

 *Kandidat për deputeti i PS-së

 “Problemi i sotëm i ekonomisë është keqqeverisja, ndaj duhet ndryshimi politik”

Debati që mbizotëron në këtë fushatë elektorale është ekonomia. Maxhoranca përpiqet që të japë ngjyra pranvere, të ekonomisë tonë,  të një ekonomie që njeh ( vetëm)  rritje e zhvillim, edhe pse gjithë ekonomia globale është mbërthyer në një krizë të stërzgjatur kohore, ndërsa për opozitën, ekonomia jonë i ngjan muajve të janar-shkurtit, ku çdo gjë është përtej grisë, në një errësirë të plotë mjerimi. Shkëlqim Cani, një nga ekspertët ekonomik, ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, flet në një intervistë ekskluzive për “Telegraf”. Zoti Cani shpjegohet se, çfarë takse premton PS-ja që të heqë dhe çfarë është taksa progresive dhe si do të zbatohet konkretisht. Por, sipas zotit Cani, problemi kryesor sot është keqmenaxhimi i të ardhurave nga taksat. Vetëm nga evazioni dhe vjedhjet në dogana, thotë zoti Cani, shteti ka humbur 2-3 miliardë euro.  Ndërsa për privatizimet e fundit të qeverisë, zoti Cani thotë se, “kjo fushatë privatizimesh më përngjan me një dyqan që ka nxjerrë tabelën ‘malli likuidohet nën kosto”. Ndërsa për premtimin elektoral të PS-së, për hapjen e 300.000 vendeve të punës, zoti Cani shpjegohet se, në çfarë sektori privat do të hapen këto vende të reja pune.

 Zoti Cani, detyrimin tuaj për të qenë kandidat për deputet, si do ta cilësonit?

– Një sfidë  të jetës time. Falënderoj edhe PS-në, edhe kryetarin e saj, zotin Rama, për besimin që ka tek unë për të ngarkuar me këtë sfidë të re. Natyrisht, unë në jetë kam patur sfidat e mia, si ekonomist, si teknicien, një pjesë të të cilave i kam realizuar. Tashti, një sfidë e re më pret, jo më vetëm si ekonomist, por si edhe pjesë e ekipit të rilindjes.

– Bulqiza në vetvete është një kontrast i pasurive të çmuara, por, njëkohësisht, e një jetese shumë të  varfër e të vështirë për banorët vendas. Cili është objektivi juaj politik?

– Realiteti në Bulqizë është “një bukuri e vrarë”. Një bukuri të shtrihet nga Mati në Bulqizën në Dibër, që kjo qeveri në 8 vjet ka ditur ta vrasë, ta keqqeverisë, ta shpërdorojë. Synimi ynë është krejt ndryshe. Është një sfidë e tërë, që këta njerëz bujarë, të punës, ne t’u kthejmë lumturinë, t’u kthejmë buzëqeshjen, t’u kthejmë mirëqenien.

– Atëherë, cilat do të jenë pikëmbështetjet e mirëqeverisjes që ju premtoni të transformoni realitetin e sotëm në zonën tuaj elektorale?

– Tre janë shtyllat që mendoj që duhet ta bazojmë punën tonë në qarkun e Dibrës. Së pari, është rruga e Arbrit, që kryetari i PS-së e parashtroi si një sfidë reale, për qeverisjen e ardhshme socialiste. Së dyti, përsëri një sfidë po kaq e madhe është  edhe bujqësia, blegtoria, shtimi i drufrutorëve, shtimi i bagëtisë, shtimi i baxhove, i punishteve të përpunimit. Pra, në tërësi të themi, të një agro-industrie, e cila do të bazohet edhe mbi ujitjen. Ne ishim bashkë në gjithë Qarkun e Dibrës, nga Mati në Bulqizë dhe pastaj kaluam edhe në Dibër, ku parashtruam detajet e programit tonë, që ekipi ka punuar.

– Menaxhimi i minierave të kromit në Bulqizë ka qenë në optikën e kritikës për shumë çështje. Qeverisja socialiste çfarë  të reje do të sjellë, në dobi të njerëzve, që e kanë lidhur jetesën me minierat e kromit?

– Çështja e minierave të kromit është një tjetër  çështje, që doja ta veçoja nga dy të parat. Që ne të bëjmë gjithçka për ata minatorë dhe familjet e tyre,  që mos kenë një jetë si në mesjetë, po të kenë një jetë normale. Natyrisht, me përqendrim në Bulqizë, se aty është baza e kromit. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet, që me mirëqeverisje të gjithçkaje, kontrata koncesionare etj., ne të shtojmë të punësuarit dhe t’i japim Bulqizës, banorëve të saj,  atë që i takon dhe meriton.

Kur, ju në programin elektoral,  premtoni se do të ulni taksat për 95 % të shqiptarëve, për cilat taksa flitet?

– Nuk mendoj se duhet hyrë në detaje që e lodhin lexuesin e një gazete, por, në një renditje të shpejtë, bëhet fjalë për tatimin mbi të ardhurat personale të shtetasve me paga të mesme e të ulëta, taksa për biznesin e vogël si dhe heqja ose ulja e disa taksave për makineri e pajisje dhe për lëndë të para dhe inpute për bujqësinë (fshatarin).

– Kur thoni se biznesit të vogël do t’i hiqni taksat, bëni fjalë për taksat, apo për tatim fitimin, tatimin mbi të ardhurat?

– Bëhet fjalë saktësisht për taksën mbi biznesin e vogël.

– Problemi i sotëm për nxitjen e ekonomisë është ulja dhe heqja e taksave, apo menaxhimi i taksave të mbledhura dhe fondeve?

– Para se të përgjigjem për pyetjen, m’u kujtua diçka në formën e një ushtrimi të thjeshtë për të pyetur. Nëse dikush arkëton 2  lekë në muaj dhe shpenzon 1 lek në muaj, fiton/kursen 1 lek në muaj. Dikush tjetër, që arkëton 10 lekë në muaj, (pra 10 fish krahasuar me të parin), por është dorëshpuari i familjes dhe shpenzon 11 lekë, jo që nuk fiton/kursen, por humbet 1 lek në muaj. Kështu dhe tek ne, problemi i sotëm i ekonomisë është keqqeverisja. Për të nxitur ekonominë për momentin mund të duhet diçka nga ulja e tatim-taksave, por më e shumta do të duhet të vijë nga mirëmenaxhimi i taksave e fondeve të mbledhura. Kjo qeveri me keqdashje po shteron dita-ditës edhe ato pak mundësi që kishin mbetur për të vepruar në ulje të ndjeshme apo heqje të taksave. Por ende ka mundësi, sidomos ndaj biznesit të vogël dhe disa nëndegëve të caktuara të ekonomisë, e sidomos bujqësisë. Por pjesa e luanit i takon mirëmenaxhimit të parave të mbledhura. Korrupsioni dhe kapja e shtetit janë galopante. Jashtë propagandës çjerrëse të qeverisë, vetëm nga evazioni apo vjedhjet në dogana në 8 vitet e kësaj qeverie, buxheti ka humbur së paku 2-3 miliardë euro, ose një buxhet të tërë vjetor.

– Taksa progresive a frenon interesimin e investitorëve të huaj dhe vendas?

– Besoj se kemi mirëkuptim me lexuesin nëse shprehem që janë thuajse inekzistente rastet kur biznesi apo individët ngrenë zërin dhe protestojnë me kërkesa për rritje taksash (përveç disa manjantëve amerikanë, gjermanë etj., por në kuadrin specifik të krizës ekonomike). Në të kundërtën, sidomos në Shqipëri, janë të shumtë ata që duan t’u shmangen taksave. Por, a është taksa elementi bazë në vendimmarrjen për investitorin e huaj? Kjo nuk ka qenë thuajse asnjëherë ndër 5 elementët parësorë nga investitorët e huaj e vendas. Sidomos për vende si yni, ku informaliteti, korrupsioni, kapja e shtetit, krimi i organizuar, arbitrariteti i administratës etj janë dominuese, nuk ka se si të jetë taksa progresive ajo që vendos parësisht për realizimin ose jo të një investimi. Për më tepër që varet shumë cila është shkalla e progresivitetit që vendoset në sistemin e taksave. Meqë më bëtë këtë pyetje (edhe pse ju nuk e adresuat drejtpërdrejt) më duhet të sqaroj që dhe aktualisht nuk është se ne zbatojmë sistemin e pastër të taksës së sheshtë në Shqipëri.

– Për investitorët dhe investimet a duhet të bëhet një diferencim në politikën e taksave?

– Po dhe në fakt zbatohet një diferencim i tillë. Me propozimet e programit ekonomik të PS-së duket se do të ketë edhe disa diferencime shtesë, gjithnjë për t’u ardhur në ndihmë biznesit të vogël dhe të mesëm dhe disa degëve të ekonomisë, si bujqësia etj., që dhe janë goditur më pa mëshirë nga kriza ekonomike, në të cilën notojmë.

– Evazionin fiskal, si do ta luftoni, kur dihet që do të jetë po kjo administratë që sot, është përgjegjëse, sipas oponencës tuaj?

– Me ndonjë përjashtim të rrallë, në çfarëdo familje, pavarësisht nëse prindi është ose jo i ndershëm, kërkesat ndaj fëmijës janë që ai të mos vjedhë. Por shumë të vështirë e ka për ta realizuar prindi hajdut, pasi, pavarësisht nga morali që dëgjon përnatë fëmija, sytë i shohin sendet e vjedhura nga prindi. Ne do t’na duhet që t’i lidhim duart politikanit hajdut dhe pastaj lehtësohet shumë barra e punës për të mbajtur në fre atë pjesë të administratës që ka vese. Me pjesën e administratës së inkriminuar dhe përgjegjëse për evazionin fiskal, kuptohet që do të duhet operuar dhe terreni duhet pastruar, pasi janë vatra të këqija infeksioni. Një qëndrim i prerë dhe jopartiak ndaj evazionit, që ditën e parë të qeverisjes, do të ishte një sinjal i qartë ndarjeje ndaj të shkuarës së kompromentuar, por dhe për të ardhmen. Rëndësi parësore në këtë rast merr eliminimi i praktikave favorizuese, që kanë krijuar precedente të shumta në këto vite për evazion fiskal (politika që i kanë trajtuar bizneset si: “ca të nënës e ca të njerkës”).

– Vendit i shkaktohen miliona euro dëme nga evazioni dhe shpërdorimi i  lejeve për mos pagesa të akcizave të naftës. A mendoni se ka ardhur koha që asnjë mall të mos kalojë pa akcizë?

– Shteti ligjor duhet të veprojë jo më vetëm në të ardhmen, sapo të marrë qeverinë PS-ja, por duhet të shohë edhe për shkeljet e së shkuarës. Gjithkush duhet të marrë pa hezitim atë që i takon. Nuk mund të ketë dy standarde, siç edhe nuk mund të pranohet që të shkelet “pak” ligji. Ligji dhe aktet nënligjore shkelen aspak dhe zbatohen me korrektesë e devotshmëri njëlloj nga të gjithë.

– Faleminderit!

 ( Vijon nesër, ku tema kryesore do të jetë politika bankare)

– Shumë herë bankat, duke luajtur me “germat e vogla”, nuk e informojnë qartësisht klientin për kredimarrjen dhe më vonë, nga pasojat e kësaj, qytetari detyrohet financiarisht nga Banka. A ka ardhur koha, që ligji të mbrojë qytetarin nga të tilla veprime abuzive të bankave?

– Nuk ka ardhur, por ka kaluar koha për këtë gjë. Bankat duhet të kuptojnë që kjo lojë është lojë me zjarrin për to. Nuk mund të marr përsipër vërtetësinë dhe saktësinë e qëndrimit në pyetje, apo dhe të dhjetëra ankesave që kam dëgjuar, por duke e supozuar të vërtetë spekulimin e bankave me klientin, mendoj që mbrojtja e klientit bankar duhej të kishte qenë prej vitesh shumë më e fortë dhe më aktive, sidomos nga Banka e Shqipërisë, që në fund të fundit nuk duhet të harrojë që është bankë publike, që ka për detyrim sa mbrojtjen e sistemit bankar, aq edhe të klientit bankar.

  Për privatizime ka edhe përgjegjësi penale të politikanëve

Si e shikoni fushatën e fundit të privatizimeve të qeverisë së z. Berisha?

– Më shumë kjo fushatë privatizimesh më përngjan me një dyqan që ka nxjerrë tabelën ‘malli likuidohet nën kosto’, me qëllimin e vetëm për të mbledhur ca para për t’i përdorur në prerje shiritash, në fushatën elektorale që po vjen. Publiku do të bindet për këtë, por për fat të keq si gjithnjë me vonesë dhe me të vetmin reagim: indiferencën”.

 Si e vlerësoni çmimin me të cilin u shitën 2 HEC-et (Bistrica 1;2 dhe Ulëz Shkopet)?

– Çmimi, por edhe i tërë procesi i privatizimit të këtyre dy HEC-eve më duken të gabuara dhe çmimet shumë të ulëta. PS nuk ka lënë takim apo debat pa përdorur argumentimin e një veprimi të gabuar nga ana e qeverisë dhe se ne si PS jemi kundër.

Cili do të jetë mekanizmi që do të rikthejë në pronësi shtetërore këto privatizime që ju i akuzoni si abuzive?

– Ne jemi për një shtet ligjor dhe doemos do të ndjekim rrugën ligjore, duke mos hezituar në realizimin e çdo hapësirë ligjore që do të mund të realizonte kthimin e një privatizimi abuziv, kuptohet duke kërkuar dhe përgjegjësitë përkatëse.

– A ka përgjegjësi penale, përveç përgjegjësisë politike nga drejtuesit politikë që bëjnë këto privatizime sot?

– Sipas dokumentacionit paraprak që kemi grumbulluar dhe kemi denoncuar kemi krijuar bindjen se përtej përgjegjësisë politike, ka dhe përgjegjësi penale.

Nesër, qeveria socialiste a do t’i kërkojë drejtësisë përgjegjësinë penale të këtyre drejtuesve shtetërorë që kanë bërë privatizimet abuzive?

– Nuk di si mund të bëhet ndryshe në një shtet të vërtetë ligjor. Nuk ka hapësira për të vepruar ndryshe.

– A keni ndonjë ide se çdo bëhet me CEZ-in nëse PS-ja vjen në pushtet?

– Nga sa kuptoj, kjo qeveri nuk e ka seriozisht kundërshtimin e veprimtarisë së CEZ-it. I leverdiste shumë për këto zgjedhje ta përzinte CEZ dhe ta mbushte me militantë partiakë si dhe të shpërdoronte me pagesat për militantët e saj. Ndërkohë, gjithë procesin gjyqësor do t’ia faturojë qeverisë socialiste, për t’u përballur me një dyzinë faktesh abuzimi reciprok nga qeveria, pushteti lokal, ERE, KESH etj., e deri te vetë CEZ-i. Nga sa jam në dijeni do të jetë një proces sa i komplikuar, aq edhe me pasoja.