Referendum për bllokimin e importit të plehrave

160
Bllokimi i importit të plehrave në referendum
Opozita dhe shoqëria përgatiten për të kundërshtuar ligjin për importin e mbetjeve. PD kërkon edhe miratimin e votimit elektronik. Plani për të rritur presionin mbi qeverinë dhe zhvendosur betejën nga Kuvendi. Flasin për “Telegraf” Jorida Tabaku, Petrit Vasili dhe Besjan Pesha
Shqiptarët mund të thirren në referendum gjatë vitit të ardhshëm për t’u shprehur për 2 çështje shumë të debatueshme, si ligji për importin e mbetjeve dhe reforma zgjedhore. Partitë opozitare dhe shoqëria civile po përgatiten të kundërshtojnë në mënyrë të veçantë rikthimin e importit të mbetjeve, pasi kryeministri Rama premtoi se do të rrëzonte një dekret të Presidentit të Republikës që e ka bllokuar prej viti ligjin. Megjithatë, Partia Demokratike po shqyrton mundësinë që edhe çështje të reformës zgjedhore, siç është votimi elektronik, të bëhen pjesë e një konsultimi të gjerë popullor. Me nismat për referendum, opozitarët synojnë të shtojnë presionin ndaj qeverisë, e cila ka një mbështetje të mjaftueshme në Kuvend për shkak të 74 mandateve të Partisë Socialiste. Spostimi i betejës jashtë Kuvendit vlerësohet nga përfaqësuesit e opozitës si një mundësi për të rritur përkrahjen për nismat që do të hidhen për votim. 

PD: Qëndrim i pandryshuar
Partia Demokratike mori një vit më parë nismën për të rrëzuar me anë të referendumit ligjin që mundësonte importin e mbetjeve. Por kthimi nga Presidenti i Republikës e pezulloi edhe nismën e demokratëve. Megjithatë, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, kërkoi dje nga Komisioni parlamentar i Integrimit informacione mbi ligjin e mbetjeve. Ajo konfirmoi për “Telegraf” se qëndrimi i PD-së nuk ka ndryshuar. “PD në programin e saj elektoral ka një pjesë të konsiderueshme që lidhet me manaxhimin e mbetjeve, ku specifikohet se zgjedhja më e mirë do të ishte referendum. Në Shqipëri është krijuar një incenerator dhe janë në proces dhe të paktën dy të tjerë. Këtu nuk po flasim më për mbetje të përpunueshme, por për substanca që do të digjen në inceneratorë”, tha Tabaku. Sipas saj, sistemi i integruar i mbetjeve me diferencim në burim është mënyra më e mirë për të mbështetur dhe biznesin e riciklimit. Deputetja demokrate shprehet se “sidoqoftë, kjo do të jetë një çështje debati në ditët në vijim kur pritet që dekreti i Presidentit të kalojë në komisionet parlamentare”.

LSI: Referendumi, zgjidhja e vetme
Lëvizja Socialiste për Integrim e cilëson referendumin si të vetmen zgjidhje për çështjen e importit të plehrave. Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, i tha gazetës “Telegraf” se “ligji për importin e plehrave u fut në mënyrë tinëzare në parlament një vit më parë, pasi kryeministri demagog e anuloi importin e plehrave me vendimin e tij të parë si kryeministër në shtator 2013”. “Zgjidhja është vetëm një referendum popullor për t’i thënë po ose jo vërshimit të plehrave në Shqipëri. Këtë vendim mund ta marrë vetëm populli pasi pasojat e tmerrshme mbi shëndetin dhe jetën do te bien mbi të dhe do t’i vuajë vetëm ai”, tha Vasili. Gjatë legjislaturës së shkuar, LSI shprehu kundërshtime ndaj vendimit të Partisë Socialiste për të rivendosur importin e plehrave, megjithatë votat e saj në Kuvend nuk e frenuan miratimin e ligjit. Pas kthimit nga Presidenti i Republikës, LSI kërkoi një konsultim të gjerë me shoqërinë civile, duke deklaruar një qëndrim ndryshe nga socialistët. 

Shoqëria civile: Protesta, pastaj referendum
Besjan Pesha nga nisma “Thurje” këmbëngul se protestat duhet të jenë përpjekja e parë për të frenuar ligjin e mbetjeve dhe më pas të tentohet referendum. “Protesta është zgjidhja që preferoj unë për këtë çështje, mbasi do shërbente në dy drejtime. Do t’i jepte fund përfundimisht aventurës me plehra të Europes që duan t’i groposin në këtë vend dhe do të krijonte një precedent pozitiv të reagimit shoqëror. Një lloj kufiri bash mu te thana për gjithë ata që pushtetin nuk e shohin si një mundësi për të shërbyer, por për t’u majmur në kurriz të atyre që duhet t’u shërbejnë”, u shpreh Pesha për gazetën “Telegraf” Ai shtoi se nëse këto përpjekje nuk funksionojnë dhe e gjithë shoqëria, partitë politike, intelektualët, artistët, gazetarët, analistët, mjekët, juristët, inxhinierët, etj, nuk do të tregohen të aftë të organizohen dhe bashkohen, referendumi është rruga që do ndiqet. “Por është një rrugë e gjatë dhe duke qenë se vendi nuk ka një ligj për referendumet, edhe e mundimshme”, deklaroi Besjan Pesha.
Çfarë kërkoi PD një vit më parë
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike vlerëson se lejimi i importit të llojeve të caktuara të mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë, cenon interesin publik, për shkak se rrezikon jetën dhe shëndetin e brezave të sotëm dhe të ardhshëm, krijon premisë të qartë të shfrytëzimit të këtij aktiviteti nga grupet kriminale ndërkombëtare të importimit të mbetjeve të rrezikshme, bie ndesh me prioritetet ekonomike kombëtare, si dhe me zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë. Ky fakt nënkupton, se lejimi ose jo i importimit të llojeve të caktuara të mbetjeve, është çështje me interes publik dhe për pasojë ajo konsiderohet një çështje me rëndësi të veçantë, në kuptim të nenit 150/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Importi i mbetjeve ka qenë temë e debatit publik edhe më parë. Opinioni publik është shprehur në mënyrë masive kundra importit të mbetjeve. Këtë e tregon mbledhja e rreth 64 mijë firmave kundër lejimit të importit të mbetjeve, në kuadër të kërkesës për zhvillimin e një referendumi mbi këtë çështje. Kjo kërkesë, e nënshkruar nga më shume se 64 mijë qytetarë, është konsideruar e ligjshme, dhe për pasojë me Dekretin nr. 8093, date 08.04.2013 “Për caktimin e datës për referendum të përgjithshëm”, u vendos data 22 dhjetor 2013 për zhvillimin e tij. Në kushtet kur ligjvënësi ndaloi me ligj importin e çdo lloji mbetjeje, atëherë referendumi i dekretuar nga Presidenti i Republikës nuk u zhvillua. Në kuadër të këtij zhvillimi publik, vlerësojmë se ligjvënësi duhet të udhëhiqet nga vullneti popullor në trajtimin e një çështjeje që ka qenë objekt i një kërkese të miratuar për referendum. Pas këtij zhvillimi, çështja e mbetjeve nuk është më dhe nuk mund të jetë më në vullnetin e Kuvendit apo Qeverisë, por është në vullnetin e vetë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, për sa kohë me iniciativë të 64 mijë qytetarëve, kjo çështje u dekretua për referendum. Mbi këtë çështje, duhet dhe mund të vendos vetëm populli. Asnjë justifikim, asnjë argument dhe asnjë arsye nuk mund të pranohet në shpërfillje apo në kundërshtim të këtij vullneti popullor. Për më tepër, duke qenë se Shqipëria është palë në Konventën e Aarhusit, e cila në një nga kolonat e saj kërkon pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje të tilla, si lejimi apo jo i importit të mbetjeve, vlerësojmë se kjo është një çështje që duhet t’i nënshtrohet vendimmarrjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve shqiptarë”.
Taulant Balla (PS)
“Nuk ka më projekt-ligj për dekoratat apo për mbetjet. Grupi Parlamentar Socialist do t’i rikthejë në publik për një debat shterues, bazuar në argumente jo në akuza dhe në arsye jo në mllef. Bashkëqeverisja me njerëzit e zakonshëm ka filluar”.
Jorida Tabaku (PD)
“PD në programin e saj elektoral ka një pjesë të konsiderueshme që lidhet me manaxhimin e mbetjeve, ku specifikohet se zgjedhja më e mirë do të ishte referendum. Në Shqipëri është krijuar një incenerator dhe janë në proces dhe të paktën dy të tjerë. Këtu nuk po flasim më për mbetje të përpunueshme, por për substanca që do të digjen në inceneratorë. Sistemi i integruar i mbetjeve me diferencim në burim është mënyra më e mirë për të mbështetur dhe biznesin e riciklimit. Sidoqoftë, kjo do të jetë një çështje debati në ditët në vijim kur pritet që dekreti i Presidentit të kalojë në komisionet parlamentare”.

Petrit Vasili (LSI)
“Ligji për importin e plehrave u fut në mënyrë tinëzare në parlament një vit më parë, pasi kryeministri demagog e anuloi importin e plehrave me vendimin e tij të parë si kryeministër në shtator 2013. Populli shqiptar është shumë i shqetësuar për pasojat e rënda mbi shëndetin e tij dhe të gjeneratave që do të vijnë. Populli është shumë i shqetësuar që Shqipëria do të shndërrohet në gropën e plehrave të të gjithë Evropës, pasi me këtë ligj të gjithë llojet e sojet e plehrave do të derdhen në Shqipëri. Zgjidhja është vetëm një REFERENDUM POPULLOR për t’i thënë po ose jo vërshimit të plehrave në Shqipëri. Këtë vendim mund ta marrë vetëm populli pasi pasojat e tmerrshme mbi shëndetin dhe jetën do te bien mbi të dhe do ti vuajë vetëm ai”.

Besjan Pesha, Nisma “Thurje”
“Unë besoj se kjo çështje zgjidhet në rrugë, nëse e gjithë shoqëria, partitë politike, intelektualët, artistët, gazetarët, analistët, mjekët, juristët, inxhinierët etj, pra të gjithë ata që kanë ndërgjegje dhe ju dhimbset ky vend, dalin në rrugë. Protesta është zgjidhja që preferoj unë për këtë çështje, mbasi do shërbente në dy drejtime. Do t’i jepte fund përfundimisht aventurës me plehra të Evropës që duan t’i groposin në këtë vend dhe do të krijonte një precedent pozitiv të reagimit shoqëror. Një lloj kufiri bash mu te thana për gjithë ata që pushtetin nuk e shohin si një mundësi për të shërbyer, por për t’u majmur në kurriz të atyre që duhet t’u shërbejnë. Nëse këto përpjekje nuk funksionojnë dhe të gjithë sa përmenda më sipër nuk do të tregohen të aftë të organizohen dhe bashkohen, referendumi është rruga që do ndiqet. Por është një rrugë e gjatë dhe duke qenë se vendi nuk ka një ligj për referendumet, edhe e mundimshme”.
Kushtetuta për referendumet
Neni 150
1 – Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë.
2 – Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një së pestës së deputetëve ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum.
3 – Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit, si dhe vlefshmëria e tij parashikohen me ligj.

Neni 151
1 – Ligji i miratuar me referendum shpallet nga Presidenti i Republikës.
2 – Çështjet që lidhen me tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë, me kufizimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, me buxhetin, taksat e detyrimet financiare të shtetit, me vendosjen dhe heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, me deklarimin e luftës dhe të paqes dhe me amnistinë nuk mund të shtrohen në asnjë referendum.
3 – Referendumi për të njëjtën çështje nuk mund të përsëritet përpara se të kenë kaluar tre vjet nga zhvillimi i tij.

Neni 152
1 – Gjykata Kushtetuese shqyrton paraprakisht kushtetutshmërinë e çështjeve të shtruara për referendum sipas nenit 150 paragrafët 1 e 2, nenit 151 paragrafët 2 e 3 edhe sipas nenit 177 paragrafët 4 e 5 brenda 60 ditëve.
2 – Rëndësia e çështjeve të veçanta, të parashikuara në nenin 150 paragrafët 1 e 2 nuk është objekt gjykimi në Gjykatën Kushtetuese.
3 – Data e referendumit caktohet nga Presidenti i Republikës brenda 45 ditëve pas shpalljes së vendimit pozitiv të Gjykatës Kushtetuese ose pas kalimit të afatit brenda të cilit Gjykata Kushtetuese duhet të shprehej. Gjatë vitit referendumet zhvillohen vetëm në një ditë.