“Vendimi i Kolegjit Zgjedhor e krijoi precedentin e rrezikshëm të humbjes së besimit të palëve”

439
Sigal

INTERVISTA/ Av. Idajet Beqiri: “Kolegji Zgjedhor dha një vendim haptazi në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe me parimin kushtetues të  ndarjes së pushteteve”

Në bazë të Kodit Zgjedhor, pjesë e reformës zgjedhore,  votuar me konsensusin e PD-PS, si një nga 12 prioritetet e BE-së, KQZ-ja është institucioni kushtetues i pavarur që ka kompetenca vendimmarrjeje për çështjet më të rëndësishme të procesit zgjedhor, sikurse rishpërndarja e mandateve të deputetëve dhe ndarja e Zonave të Administrimit Zgjedhor. Madje, për të rritur shkallën e besueshmërisë të çdo vendimmarrjeje të KQZ-së, në Kodin e ri Zgjedhor, u shtua për herë të parë, domosdoshmëria e miratimit të këtyre vendimeve me 5 vota, pra me votë të cilësuar. Mirëpo, PD-ja, për të vënë në zbatim projektet e saj dhe vetëm interesat partiake mbi gjithçka, anashkaloi konsensusin e detyruar në KQZ dhe përdori Kolegjin Zgjedhor si instrument partiak  vendimmarrjeje, edhe për kompetenca, sikurse është ndarja e ZAZ-ve,  që Kushtetuta ia ka atribuuar vetëm KQZ-së. Avokati i mirënjohur Idajet Beqiri, në intervistën për “Telegraf” argumenton përse “Vendimi i Kolegjit Zgjedhor e krijoi precedentin e rrezikshëm të humbjes së besimit të  palëve”. Madje, zoti Beqiri paralajmëron, që edhe rishpërndarja e mandateve të deputetëve, që ka ngecë dhe palët politike nuk arrijnë dot konsensusin në KQZ, do të ketë të njëjtin rrjedhë zgjidhjeje (antiligjore), sikurse ndarja e ZAZ-ve në …Kolegjin Zgjedhor.

 – Zoti Beqiri, ndarja e Zonave të Administrimit Zgjedhor solli edhe vendimin e parë  të Kolegjit Zgjedhor. Ju  si e vlerësoni këtë vendim?

– Kolegji Zgjedhor nuk duhet të përfshihej qysh tani në lojën e pistë të PD-së. Të sabotosh qysh në vendimin e parë  një proces zgjedhor, nga i cili varen fatet dhe ardhmëria e kombit shqiptar dhe e popullit tonë, me gjithë se na ndajnë afro 6 muaj nga dita e zgjedhjeve, është një akt dashakeqës, për të mos thënë kriminal. Kolegji Zgjedhor dha një vendim haptazi në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe me parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve. Ky vendim përbënë një ogur të zi për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013. Papërgjegjshmëria e PD-së dhe e kreut të qeverisë Berisha, në raport me interesat kombëtare është e njohur për të gjithë shqiptarët dhe faktorët progresiv ndërkombëtar. Berisha, për të mbajtur dhe ushtruar me dhunë pushtetin, sikurse ka treguar përvoja e viteve 1996-1997, 2009 dhe 2011, është në gjendje të bëjë gjithçka, deri edhe duke provokuar e realizuar një masakër të re si ajo e vitit 1997. Shembulli i refuzimit për herë të tretë nga BE-ja të dhënies së  statusit të kandidatë  vendit tonë  thjesht dhe vetëm  për fajin e dukshëm të Berishës, tregon se ishim, jemi dhe po mbetemi peng i një njeriu të vetëm. Në këtë situatë dramatike do të duhej  të dilnin disa institucione të pavarura të shtetit, mbi interesat meskine dhe dashakeqëse të pengmarrësit të vendit, dhe në emrin e zbatimit me korrektësi të Kushtetutës së Republikës dhe ligjit zgjedhor, t’u jepte shqiptarëve shpresë dhe besim se më në fund, pas 20 vjetëve zgjedhje  jo të lira, jo të ndershme dhe të kontestuara, në 23 qershor 2013 do të ndodhë ndryshe. Kolegji Zgjedhor duhet të ishte një institucion i tillë. Mirëpo ky Kolegj, përmes vendimit të  parë që dha, e përdhosi në mënyrë skandaloze qysh në fillim procesin zgjedhor. Ky vendim i ka shkaktuar një dëm të pallogaritshëm zgjedhjeve të 23 qershorit 2013.

– Nga niseni që bëni këto vlerësime kaq kritike ndaj Kolegjit Zgjedhor?

– Ndarja e Zonave të Administrimit Zgjedhor, sipas Kodit Zgjedhor, është një çështje që i takonte KQZ-së. Kompetencat e Kolegjit Zgjedhor janë përcaktuar qartësisht në nenin 145 të këtij ligji. Ky Kolegj nuk e ka në kompetencë të merret me ankimet absurde, të paligjshme dhe dëmsjellëse të PD-së për ndarjen e ZAZ-ve. E shumta që mund të bënte Kolegji Zgjedhor, do të  ishte ajo që, t’i kërkonte KQZ-së që të merrte një vendim lidhur me ZAZ-të  dhe asgjë më shumë. Pra, natyra e vendimit të Kolegjit Zgjedhor e krijoi precedentin e rrezikshëm të humbjes së besimit të  palëve te “arbitri” i procesit zgjedhor, i cili haptazi doli si palë me PD-në, por i vuri minat të gjitha garancive ligjore të  parashikuara në Kodin Zgjedhor për një vendimmarrje  kolegjiale të palëve Qeveri-Opozitë në përgatitjen e zgjedhjeve.  Kolegji Zgjedhor me vendimin antikushtetues dhe antiligjor që dha, shqelmoi egërsisht garancinë e vetme të Opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, e cila gjen pasqyrim në nenin 24 të Kodit Zgjedhor, nen i cili ka lidhje me vendimmarrjen e cilësuar të KQZ-së për çështjet më thelbësore të sistemit zgjedhor. Deklarimet e përfaqësueseve të Qeverisë, pas dhënies së  vendimit të paligjshëm të Kolegjit Zgjedhor, ishte në formën e një diktati të hapur mbi këtë Kolegj, si  i kontrolluar plotësisht nga ekzekutivi. Nëse ky Kolegj Zgjedhor nuk do të ishte një instrument shtojcë e ekzekutivit, minimumi do t’i thoshte përfaqësueseve të KQZ-së: “Çfarë ndodhi dhe nga kush e morët ju urdhrin, që nga 78 ZAZ që propozuat vet, më pas  ndryshuat mendim dhe bëtë propozimin e dytë për 89 ZAZ?! Aq më shumë që në zgjedhjet e kaluara kanë qenë 66 ZAZ dhe shtimi i tyre me 12 ZAZ të tjera, do të ishte i arsyeshëm?! E aq më shumë, kur me propozimin e parë të KQZ për 78 ZAZ e dha konsensusin edhe Opozita e vendit?!”

–  KQZ nuk ka arritur të realizoi një vendimmarrje edhe për numrin e mandateve për çdo qark. Afati ligjor i ankimit për ta zgjidhur këtë konflikt në Kolegjin Zgjedhor ka mbaruar, si do të vazhdohet më tej?

– Në nenin 76 të Kodit Zgjedhor theksohet se si rregull, 4 muaj para datës së fillimit të periudhës zgjedhore, që i paraprin fundit të mandatit të Kuvendit, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, me kërkesë të KQZ-së, dërgon numrin e përgjithshëm të shtetasve, si dhe numrin e shtetasve për çdo qark, bazuar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. KQZ-ja, jo më vonë se 15 ditë nga marrja e të dhënave, kryen llogaritjen për caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në nenin 75 të këtij Kodi dhe ia dërgon menjëherë Kuvendit. Kuvendi, me procedurë të përshpejtuar, miraton me vendim ndarjen e mandateve. Sipas këtij neni të ligjit zgjedhor, numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore miratohet jo më vonë se 6 muaj përpara fundit të mandatit të Kuvendit. Ligji është i qartë. Mirëpo  qeveria, këmbëngulëse për manipulimin e procesit zgjedhor, si shansi i vetëm për të vjedhur një mandat të tretë, e shkel si pa gjë të keqe ligjin dhe e hedh në veprim Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile për të falsifikuar numrin e zgjedhësve në qarqet ku historikisht ka vjedhur dhe manipuluar votat. Dhe ndodh absurdi katastrofal që, me gjithë se në Shqipëri, numri i popullsisë ka pësuar rënie, si pasojë e lëvizjeve demografike, dhe nga studimet që janë bërë ulje më të ndjeshme të popullsisë prej afro 77% më pak ka në Qarkun e Kukësit, Ministria e Brendshme e ka rritur ndjeshëm numrin e popullsisë në katër komunat Topojan, Tropojë, Fierzë dhe Shishtavec, me qëllim që t’i heq një mandat Qarkut  Berat dhe t’ia jap atë Qarkut  Kukës. Për më keq, Ministria e Brendshme ka refuzuar haptazi një institucion kushtetues, siç është KQZ-ja (tre anëtarë të opozitës) për të dhënë informacione, në lidhje me shtimin marramendës të popullsisë në këto katër komuna. Ministria e Brendshme është në një pozitë joligjore. Ligji për Gjendjen Civile e shpreh qartë detyrimin që ka Ministria e Brendshme për t’u dhënë informacion institucioneve të cilat i kërkojnë këto të dhëna. Të dhënat që kërkohen janë të përgjithshme. Ato kanë të bëjnë me emrin, mbiemrin dhe me të dhënat se nga kanë lëvizur këta shtetas dhe si kanë shkuar rreth 500 persona për të banuar këto tre muaj të fundit! Qëllimi i qeverisë është që ta çojë këtë proces drejt limiteve kohore të papranueshme, duke shkelur ligjin, dhe pastaj të gjejë një «zgjidhje ekstraproceduriale» në Kuvend, duke e anashkaluar vendimmarrjen e KQZ-së. Thënë shkurt, procesi zgjedhor për zgjedhjet e 23 qershorit 2013, «u mbyt si ajo foshnja e porsalindur në djep», sepse nisi dhe vazhdon me shkelje flagrante të ligjit zgjedhor.

– Çfarë duhet të bëjë opozita sipas jush pas dhënies së këtij vendimi prej Kolegjit Zgjedhor?

– Të kuptohemi, fati apo rezultati i zgjedhjeve  të 23 qershorit nuk është se varet nga përcaktimi i numrit prej 89 ZAZ-ve! Thelbësore është  ajo që theksova më sipër se Kolegji Zgjedhor, i përbërë prej gjyqtarësh me eksperiencë,  qysh me vendimmarrjen e parë, bënë një shkelje të rëndë të ligjit kushtetues të ndarjes së pushteteve dhe e tregoi veten se është palë me PD-në e Berishës, dhe jo një institucion i pavarur kushtetues. Për këtë shkak opozita nuk duhet ta nënvlerësojë këtë vendim të paligjshëm të Kolegjit Zgjedhor. Ky vendim duhet të goditet si i papajtueshëm me Kushtetutën në Gjykatën Kushtetuese.  Jo se unë kam besim te Gjykata Kushtetuese, sepse edhe atje numri i gjyqtarëve pro ekzekutivit është në maxhorancë të dukshme, por sepse opozita ka detyrimin dhe përgjegjësinë para qytetarëve shqiptar për  t’i përdorur të gjitha mekanizmat ligjore në luftimin e të keqes dhe pastaj votuesit dhe taksapaguesit e këtij vendi të lirë gjejnë edhe rrugë të tjera demokratike për t’u dhënë mësimin e duhur politikanëve të papërgjegjshëm që e mbajnë peng këtë vend.

 – Faleminderit!