Kryeministri Edi Rama ndodhet në Vjenë në Austri për të marrë pjesë në forumin “Ekonomia takohet me politikën”. Rama dha një konferencë për shtyp me kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz dhe komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn. Në fjalën e tij, Rama tha: “Më duhet të falënderoj Kancelarin për pritjen tonë këtu dhe më duhet të them se për vendet e Ballkanit Perëndimor, ardhja në Austri, është si të jesh në shtëpi dhe kjo është qartësisht për të gjithë ne një ditë shumë e bukur. Dua thjesht të them dy gjëra. Së pari, që ne jemi shumë të angazhuar për bashkëpunimin rajonal dhe tepër mirënjohës për punën e Komisionierit Hahn. Dhe e dyta që jemi duke u përballur me sfidat e bashkëpunimit dhe kuptojmë që ky është një proces ku asgjë nuk është e lehtë dhe asgjë nuk të jepet si e mirëqenë, por jam i sigurt që do të jemi në gjendje të tejkalojmë problemet dhe do t’i japim qytetarëve tanë atë që meritojnë. I jam personalisht dhe në emër të të gjithë shqiptarëve, mirënjohës Kancelarit Kurz për qasjen e tij të qartë në lidhje me perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit dhe gjithashtu për betejën e tij të vendosur për të hapur për Kosovën procesin e liberalizimit të vizave, që shpresoj shumë do të konkretizohet të paktën pas zgjedhjeve evropiane”.