Ambulancat dhe zjarrfikësit në fushatë, të sëmurët me atak në zemër presin mbarimin e mitingut

452
Sigal

Zbardhet skandali i policisë, makinat e sekuestruara dhe ato të vjedhura  përdoren në fushatën elektorale për të transportuar ministrat dhe zyrtarët

Makinat e sekuestruara nga Policia Rrugore, ose e Rendit, tani po përdoren për fushatën elektorale, duke shërbyer “non stop”, për transportimin e ministrave të lartë, nëpër sheshet e mitingjeve, ose për të mbajtur parulla. Ky është një fakt i konfirmuar në shumë qytete,  pronarët e makinave të sekuestruara po kërkojnë të marrin automjetet e tyre kundrejt, gjobës, por ato nuk gjenden gjëkundi. Askush nuk u jep llogari për adresën e saktë të makinave të sekuestruara, sepse ato tani po shërbejnë për misionin e fushatës elektorale. Siç dihet, në bazë të rregullores dhe kodit,  makinat e shtetit nuk lejohen të përdoren për fushatë, por ato përdoren gjatë gjithë ditës. Po  zgjidhja është gjetur edhe nëpërmjet dërgimit në fushatë të mjeteve të bllokuara nga policia. Ky fenomen tanimë ka përfshirë jo vetëm makinat e sekuestruara, por edhe makinat e vjedhura që janë kapur prej policisë. Në këtë mënyrë vjedhësit e këtyre  makinave, qëndrojnë të arrestuar, ndërkohë që, malli i tyre i vjedhur po përdoret për dërgimin në fushatë të ministrave, apo zyrtarëve të lartë. Natyrisht, Berisha ka deklaruar disa herë se ai është duke qarkulluar me një makinë me qira, dhe ndofta mund të jetë i përjashtuar nga çdo hipotezë, por ministrat e tjerë, vazhdojnë të qarkullojnë me këto lloj automjetesh.

Skenari

Tani po ndodhin çudira ngado dhe fushata elektorale përsa i përket lëvizjes me automjete, po funksionon nëpërmjet një skenari. Kështu policët e rrugores janë hedhur në aksion për të gjobitur dhe për t’i sekuestruar makinën, kujtdo, përfshirë këtu edhe ata shoferë që nuk kanë thyer rregullat e qarkullimit rrugor. Operacioni i sekuestrimeve po zhvillohet në ethe, derisa të mbyllet fushata sepse duket që të gjithë zyrtarët e lartë apo të mesëm kanë nevojë për automjete. Prandaj, furnizimi bëhet nëpërmjet uniformave blu, që i sekuestrojnë këto makina dhe nuk japin asnjë adresë për vendndodhjen e tyre. Këto makina shkojnë në zonat e largëta të vendit, në veri, ose në jug, sipas destinacionit dhe axhendës së ministrave, apo kandidatëve për deputetë. Nën zë, thuhet nga forcat policore se makinat do të rikthehen pas fushatës dhe secili prej pronarëve mund ta marrë makinën e vet, më përjashtim të atyre makinave, që janë identifikuar si të vjedhura. sepse për rikthimin e tyre tek i zoti, pritet më parë zhvillimi i gjyqit për hajdutët e arrestuar. Gjatë këtyre aksioneve të ndërmarra ditët e fundit janë sekuestruar edhe disa makina që sipas pronarëve nuk kanë pasur fare faj. Të gjitha këto janë grumbulluar në komisariat, por ajo që i ka çuditur të gjitha ka qenë fakti, se me to nuk është vepruar sipas ligjit e rregullave, në fuqi. Ku pas sekuestrimit, pronari i makinës bënte veprimet për marrjen e saj. Këtë radhë ka ndodhur e kundërta. Në Bulqizë makinat e sekuestruara janë vënë në shërbim të fushatës. Pra, makinat e sekuestruara në Policinë e Bulqizës përdoren për fushatë elektorale, nga kandidati për deputet i Partisë Demokratike, zoti Roland Keta. Këtë fakt, e kanë bërë të ditur disa persona, të kontaktuar që janë viktima të kësaj nisme të re. Ata shkuan për të verifikuar makinat e tyre, por ato nuk u gjendeshin në komisariatin e policisë së Bulqizës. Atëherë, personat në fjalë iu drejtuan organeve kompetente, siç është drejtori i komisariatit, por nga ky i fundit nuk kanë marrë asnjë përgjigje të saktë. Por sipas të dhënave këto makina po vihen në funksion të fushatës. Makinat përdoren për vendosjen e flamujve e banderolave të ndryshme nëpër lagje, apo edhe për lëvizjen e simpatizantëve, duke iu siguruar transportin nëpër takimet elektorale. Makinat shpesh herë drejtohen nga persona të papërgjegjshëm, ose me precedentë penalë, të cilët janë të dënuar për trafik droge, që dihen nga polica, por që tolerohen prej tyre në këto momente.  Këto makina lëvizin me shpejtësi marramendëse dhe në timon janë parë adoleshentë të rinj, nga mosha 15- 16 vjeç, që mund të humbasin edhe jetën nga shpejtësia, ose mund të rrezikojnë të tjerët, sepse makinat mund ët jenë edhe jashtë gjendjes teknike

Zjarrfikëset dhe ambulancat

Zjarri që ra para disa ditësh në një qytet të Shqipërisë veriore e gjeti institucionin e zjarrfikësve të papërgatitur, sepse me një urdhër të posaçëm, makina e zjarrfikësit ndodhej në një miting, për t’ju gjendur pjesëmarrësve, për çdo rast alarmant.  Me sa duket zjarri që i ka filluar me kohë nga politika shqiptare, po rrezikon edhe interesat jetike të qytetarëve. Por tragjedia arrin kulmin sidomos, kur nëpër spitalet tona, këto ditë nuk gjendet asnjë makinë ambulance. Sepse thuajse të gjitha, ose shumica e tyre, janë dërguar nëpër zonat e nxehta, ku zhvillohen fushatat. Sidomos në ato mitingje, ku deputetët dhe ministrat vuajnë nga sëmundje të tensionit, zemrës, apo tek diabetikët. Tani, i gjithë shërbimi ambulator është vënë në funksion të zyrtarëve të lartë, duke lënë në mëshirë të fatit, ndihmën e parë ndaj pacientëve në nevojë, të cilët presin me orë të tëra, ndihmën e ambulancës, që do të vonojë derisa të mbyllen votimet. Dhe nuk është çudi që gjatë këtyre ditëve, kur ndonjë hallexhi të marrë në telefon spitalin, duke u thënë: “Duam ambulancën e urgjencës” dhe mjeku me bluzë të bardhë të përgjigjet: “Prit sa të mbarojë mitingu i Fushë -Krujës, ose i Rrogozhinës”.

Të gjithë për fushatën

Po kështu, gjatë ditëve të fundit edhe në Berat janë shënuar disa ngjarje që kanë prishur qetësinë e banorëve. Të gjitha institucionet shtetërore në Prefekturën e Qarkut Berat, janë vënë në dispozicion të fushatës elektorale. Drejtuesit e këtyre institucioneve të shtetit, kanë harruar se janë në krye të detyrës, për të zgjidhur problemet dhe hallet e njerëzve, që i kanë votuar. Shumë drejtues, sipas partive të tyre i janë bashkangjitur atyre dhe kandidatëve për deputetë, duke kryer fushatë në oraret e punës. Është për t’u theksuar se, këto veprime janë vërejtur tek komunat e prefekturës, ku drejtuesit e tyre kanë braktisur zyrat dhe janë vënë në mbështetje të forcave politike, që ata iu përkasin. Shumë hallexhinj që kanë nevojë për të zgjidhur problemin në këto institucione, kur shkojnë aty, nuk gjejnë asnjë derë hapur. Një pjesë e drejtuesve shkojnë e bëjnë fushatë, një pjesë tjetër shkojnë e punojnë tek bizneset e tyre, ndërsa pjesa tjetër e kalon ditën nëpër kafenetë e qytetit. Ndërkohë, që karburantin e paguajnë paratë e taksapaguesve.