Dështon tenderi për 4 HEC-et

445
Sigal

Ka dështuar edhe njëherë tenderi për shitjen e katër HEC-ve, të cilin ministria e ekonomisë do ta zhvillonte në datën 25 nëntor. Burime zyrtare nga kjo ministri shprehen se edhe pse pritej që në këtë datë të hapeshin ofertat, asnjë kompani nuk ka paraqitur një çmim për të privatizuar HEC-et Bistrica 1 dhe 2, si dhe atë të Ulzës dhe Shkopetit. Tashmë ministria ka nxjerrë një rregull të ri, ku ofertat për të blerë këto HEC-e pranohen në çdo kohë dhe nuk ka lënë asnjë afat se deri kur do të zgjatë pranimi i ofertave të kompanive. Sipas burimeve nga kjo ministri mësohet se arsyet kryesore pse kompanitë janë tërhequr, janë kriteret e forta të cilat kërkojnë lënien e 10 milionë eurove garanci për të qenë pjesëmarrës në tender, si dhe përvoja e gjatë prej 20 vitesh operim në fushën e hidrocentraleve që duhet të ketë firma e interesuar. Kjo është hera e tretë që tenderi për shitjen e këtyre HEC-ve ka dështuar. Në shtator, ministria e ekonomisë u detyrua të shtynte edhe njëherë datën për hapjen e ofertave, pasi asnjë kompani nuk kishte vendosur një çmim në zarfin e dorëzuar.