Wolfarth: Dua të shoh zgjedhje vërtet demokratike në vitin 2013!

452
Sigal

OSBE vlerëson pjesëmarrjen e shoqërisë civile në procesin zgjedhor për rritjen e transparencës

Wollfarth e përgëzoi përfshirjen e Koalicionit në vëzhgimin e përgatitjeve dhe zhvillimit të zgjedhjeve. “Unë e shoh pjesëmarrjen aktive të shoqërisë civile në procesin zgjedhor si thelbësore për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, rrjedhimisht për krijimin e besimit në procesin zgjedhor”,  tha ai. “Vëzhgimi vendor i zgjedhjeve plotëson përpjekjet ndërkombëtare në këtë fushë. Të dyja mbështesin të njëjtin qëllim: atë të sigurimit që zgjedhjet të jenë vërtet demokratike dhe kuptimplota”. Ai shtoi se Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të vijojë ta mbështesë shoqërinë civile. Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është një aleancë organizatash joqeveritare dhe jopolitike, që kanë për qëllim zhvillimin e demokracisë në Shqipëri. Koalicioni ka monitoruar dhe ka përgatitur raporte për proceset zgjedhore që nga viti 2003.

Sequi uron shqiptarët: 100 vjetori të shërbejë si një reflektim për të ardhmen!

Shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadori Ettore Sequi, ka uruar sot të gjithë shqiptarët me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në një deklaratë për shtyp, ambasadori Sequi ka shfrytëzuar këtë mesazh urimi për tu bërë thirrje popullit shqiptar që të festojnë historinë dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë. “Dëshiroj të përshëndes ngrohtësisht popullin fisnik të Shqipërisë në këtë ngjarje të jashtëzakonshme për vendin e tyre. Ky është një rast i shkëlqyer për Shqipërinë për të festuar historinë dhe të ardhmen e saj. Ky 100-vjetor përfaqëson njëkohësisht një mundësi të rëndësishme për të reflektuar mbi të kaluarën e përbashkët të popullit shqiptar si dhe për sfidat me të cilat përballet vendi në rrugën e tij evropiane. Historia e Shqipërisë dhe e popullit të saj është dëshmi e ëndrrës evropiane që Shqiptarët kanë ushqyer pareshtur. Ndihem krenar të rikujtoj me këtë rast rolin kyç që ka luajtur Bashkimi Evropian në disa nga momentet më vendimtare të historisë moderne të Shqipërisë. Mbi të gjitha, Bashkimi Evropian përfaqëson perspektivën për një të ardhme më të mirë për popullin shqiptar, një të ardhme e cila është rrënjosur në demokraci, shtetin ligjor dhe respektin për të drejtat e njeriut. Këto janë parimet e familjes së BE-së që Shqipëria dëshiron t’i bëjë të vetat. Me këtë qëllim të përbashkët në mendje, më lejoni gjithashtu të rikujtoj miqësinë e vërtetë dhe të përkushtuar ndërmjet popujve të Bashkimit Evropian dhe atij shqiptar. Rroftë Shqipëria, rrofshin shqiptarët!”,-tha Sequi.