Rama ministra politikë, Basha ministra teknikë

137
PS-PD firmosin paktin, Rama dorëzon 7 ministra dhe 5 drejtori
Negociatat e gjata Rama-Basha prodhojnë marrëveshjen politike. Opozita do të propozojë edhe kreun e KQZ-së dhe Avokatin e Popullit. Të gjitha detajet
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike ranë dakord për një marrëveshje të madhe politike, që parashikon ndryshime të gjera në qeveri, si dhe një reformë kushtetuese e elektorale pas zgjedhjeve të ardhshme, që do të spostohen më 25 qershor. Pas bisedave të zgjatura mes kryeministrit Rama dhe kryeopozitarit Basha, në dy raunde në kryesinë e Kuvendit dhe Pallatin e Kongreseve, është rënë dakord për një paketë masash që përfshijnë zgjedhjet, qeverinë, Parlamentin, organet e pavarura dhe reformat. 

Sipas paktit të publikuar njëkohësisht nga selitë e PS-së dhe PD-së, zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk do të zhvillohen më 18 qershor, por një javë më pas. Ndërkohë do të mundësohet regjistrimi i menjëhershëm i partive politike të opozitës dhe regjistrimi i listave shumë emërore të partive politike të opozitës do të realizohet brenda datës 26 Maj 2017. Pra nuk do të ketë një proces të ri regjistrimi të partive apo koalicioneve, por do të ketë një mundësi njëjavore për partitë e mbetura jashtë regjistrimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Masa janë parashikuar edhe për votuesit e rinj dhe kontrollin e listës së zgjedhësve. 

Ndryshime të rëndësishme do të bëhen në qeveri, ku do të ketë një zëvendëskryeministër dhe 6 ministra teknikë. Emrat e këtyre ministrave, në qeverinë e kryesuar nga Edi Rama, do të propozohen nga opozita. Gjithashtu nga opozita do të vijnë edhe emrat e 5 drejtorive të rëndësishme qeveritare, si dhe drejtimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Avokati i Popullit. Disa prej ministrave që do të lënë portofolet janë mes të sapoemëruarve, si ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe ajo e Mirëqenies Sociale e Rinisë, Olta Xhaçka. Për shkak të paktit do të humbasë vendin në qeveri edhe vetë kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i cili mban portofolin e ministrit të Drejtësisë. 

Në të njëjtën kohë, pakti Rama-Basha parashikon edhe votimin e njëkohshëm të Vetingut dhe lëvizjeve në qeveri, ndërsa do të ketë edhe ndryshime në Kodin Penal për “forcimin e politikës penale nëpërmjet ashpërsimit të sanksioneve, krijimit të veprave të reja penale, kthimin e shitblerjes së votës në vepër korrupsioni”. Veç kësaj, palët janë angazhuar edhe për një reforma kushtetuese dhe zgjedhore, me fillimin e legjislaturës së re, si dhe për futjen e teknologjive elektronike në procesin e identifikimit votimit dhe numërimit për zgjedhjet pasuese.

Si pjesë e marrëveshjes PS-PD, opozita do të marrë pjesë në Task forcën Kombëtare të luftës kundër narkotikëve, ndërsa është përcaktuar edhe largimi dhe parandalimi i personave me rekorde kriminale nga mbajtja e posteve publike. 

Marrëveshja erdhi pas një krize të fortë politike, që startoi më 18 shkurt kur Partia Demokratike ngriti një çadër në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke kërkuar largimin e kryeministrit Rama dhe një qeveri teknike, si kusht për pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare. 
MARRËVESHJE POLITIKE 18 MAJ 2017
Palët në këtë marrëveshje shprehin mirënjohjen dhe falënderimin për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian për kontributin e tyre në forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri si dhe në mënyrë të veçantë, për zgjidhjen e situatës politike për zgjedhjet e vitit 2017. 

Palët konfirmojnë vullnetin e tyre për dialog të drejtpërdrejtë si shprehje e domosdoshmërisë për një nivel të ri të dialogut politik në vend. Në këtë kuadër, palët angazhohen për institucionalizimin e dialogut mes kryetarit të mazhorancës dhe kryetarit të opozitës. 

Angazhimi i palëve për zgjedhje me standarde demokratike do të jetë pjesë thelbësore e kontributit të përbashkët dhe të vazhdueshëm të palëve në kuadër të çeljes së negociatave dhe përparimit të vendit në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

A – ZGJEDHJET
1 – Presidenti i Republikës dekreton datën e re të zgjedhjeve më 25 qershor 2017.
2 – Regjistrimi i menjëhershëm i partive politike të opozitës. Regjistrimi i listave shumë emërore të partive politike të opozitës brenda datës 26 Maj 2017.
3 – Listat e zgjedhësve
a – Përfshirja në listat e zgjedhësve e zgjedhësve të rinj që votojnë në datën e re të zgjedhjeve. 
b – Dhënia e aksesit opozitës në informacionin e mbledhur nga projekti i Adresave dhe çështjet të tjera të lidhura me zgjedhësit, nëpërmjet auditeve të KQZ-së. 
4 – Mbështetje KQZ-së për përgatitjen e materialeve zgjedhore.
5 – Plotësimi i komisioneve zgjedhore dhe grupeve të numërimit. 
6 – Zgjedhjet e pjesshme për bashkinë e Kavajës, do të zhvillohen në të njëjtën ditë me zgjedhjet e përgjithshme. 
7 – Pezullimi i çdo iniciative për kontrata të përkohshme në nivel qëndror dhe vendor.
8 – Mbështetje ndërkombëtare për forcimin e monitorimit te listës së zgjedhësve.
9 – Mbështetje ndërkombëtare për KQZ- për ngritjen e linjave telefonike të ndihmës për vëzhgimin dhe shqyrtimin e ankesave mbi ligjin e shërbimit civil dhe blerjen e votës.

B – QEVERIA
1 – Zv/kryeministër, teknik
2 – Ministri i Brendshëm, teknik 
3 – Ministri i Arsimit, teknik 
4 – Ministri i Shëndetësisë, teknik 
5 – Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, teknik 
6 – Ministri i Financave, teknik 
7 – Ministri i Drejtësisë, teknik
8 – Drejtori i OSHEE
9 – Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t
10 – Drejtori i Përgjithshëm i Hipotekave
11 – Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve
12 – Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor e Rural
Kandidaturat e mësipërme do të jenë propozim i opozitës.
C – PARLAMENTI 
1 – Votimi i organeve të Vetingut.
2 – Votimi i dekreteve për anëtarët e rinj të Këshillit të Ministrave.
3 – Ndryshim i Kodit Penal për forcimin e politikës penale nëpërmjet ashpërsimit të sanksioneve, krijimit të veprave të reja penale, kthimin e shitblerjes së votës në vepër korrupsioni.
4 – Forcimi i kuadrit ligjor të financimit të partive politike nëpërmjet rregullimit dhe kufizimit të shpenzimeve zgjedhore, përfshirë ato materiale, kostove dhe transparencës në lidhje me to.
5 – Përmirësimi i standardeve të pasqyrimit të fushatës elektorale në media.
6 – Votimi i anëtarëve të Këshillit të Ministrave, anëtarëve të organeve të Vetingut dhe i legjislacionit të parashikuar në këtë marrëveshje, do të kryhet në të njëjtën seancë të jashtëzakonshme të Parlamentit.
D – ORGANET E PAVARURA
1 – Kryetari i KQZ, propozim i opozitës.
2 – Avokati i Popullit, propozim i opozitës.
E – REFORMAT
1 – Reforma kushtetuese (me fillimin e legjislaturës së re).
2 – Reforma zgjedhore (me fillimin e legjislaturës së re).
3 – Futja e teknologjive elektronike në procesin e identifikimit votimit dhe numërimit për zgjedhjet pasuese.
4 – Reformim tërësor i sistemit të prokurimeve publike dhe auditimit të shpenzimeve publike. 
F – MASA TE TJERA
1 – Dekriminalizimi. Largimi dhe parandalimi i personave me rekorde kriminale nga mbajtja e posteve publike. 
a – Partitë politike angazhohen publikisht për ekzaminimin e fortë mbi listat partiake.
b – KQZ ekzaminon kandidatët nëpërmjet personelit shtesë me mbështetje ndërkombëtare (të plotësuar në përputhje me ligjin nr 138/2015 për garantimin e integritetit të funksionarëve publik). 
2 – Administrata Publike. Marrja e masave për ndalimin e përdorimit në favor të subjekteve zgjedhore të mjeteve, pronave dhe të burimeve njerëzore të administratës publike si dhe kundër çdo forme presioni ndaj punonjësve të administratës publike në çdo nivel.
3 – Narkotikët. Forcimi i luftës kundër narkotikëve, nëpërmjet pjesëmarrjes së opozitës në Task forcën Kombëtare të luftës kundër narkotikëve.
Anëtarët e qeverisë që largohen:
Niko Peleshi
Fatmir Xhafaj
Ogerta Manastirliu
Lindita Nikolla
Arben Ahmetaj
Petrit Vasili
Olta Xhaçka
Më 25 qershor votohet në Kavajë
Zgjedhjet e pjesshme për kreun e ri të bashkisë së Kavajës do të zhvillohen më 25 qershor. Kështu është përcaktuar në marrëveshjen mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Zgjedhjet në këtë bashki u anuluan, ndonëse ishin dekretuar për më 7 maj. Partia Socialiste tërhoqi kandidatin e saj, duke akuzuar PD-në se ka një plan për destabilizim. Elvis Roshi, kryetari i mëparshëm i bashkisë së Kavajës, u largua nga detyra për shkak të ligjit për dekriminalizimin.