Mogherini mbledh Kryeministrat e Ballkanit në Bruksel

442
Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të takohen në Bruksel më 24 maj, me diplomaten më të lartë të Bashkimit Evropian, për të diskutuar për mënyrat e kapërcimit të tensioneve në rritje dhe përparimin e synimeve të tyre për pranim në BE.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, ka ftuar liderët e Shqipërisë, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, për të diskutuar për zhvillimin më të shpejtë politik, gjatë një darke pune në Bruksel.

Zyra e saj për shtyp njoftoi mbrëmë (18 maj 2017) se “do të diskutohet situata në rajon” dhe “do të shikohet së bashku rruga përpara”.

Aktualisht, Maqedonia është përfshirë në krizë të thellë politike, e cila duket se ka filluar të zgjidhet pasi këtë javë është mandatuar kreu i LSDM-së Zoran Zaev për formimin e qeverisë, ndërsa Kosova do të mbajë zgjedhje të parakohshme pas votës së mosbesimit për qeverinë aktuale.

Ndërkohë sinjale pozitive vinë dhe nga vendi ynë pas arritjes së marrëveshjes Rama-Basha për zgjidhjen e krizës politike dhe futjen e opozitës në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit 2017.
Sigal