Rama-Gjoni, sherr për kooperativat në Asamble

503
Sigal

Asambleja e Partisë Socialiste ka miratuar strategjinë dhe platformën për fitoren e zgjedhjeve të vitit 2013

Partia Socialiste nuk ka më asnjë dyshim për marrjen e pushtetit në vitin e ardhshëm. Kjo është pohuar me plot gojën në mbledhjen e djeshme të Asamblesë së socialistëve. Forumi më i lartë i selisë rozë është ngrohur nga optimizmi për fitoren që ka përcjellë në fjalën e tij Kryetari Edi Rama. Tetë vjetët në opozitë e kanë bindur opozitën aktuale se fitorja nuk është e lehtë, sidomos kur ke përballë një Berishë, opsioni i vetëm i të cilit është mundja e kundërshtarit dhe fitorja me çdo kusht. Prandaj dhe tetë muaj para zgjedhjeve PS ka miratuar dje strategjinë dhe platformën për fitoren e zgjedhjeve të vitit 2013. Në fjalën e tij të gjatë Edi Rama, pasi ka renditur dështimet e maxhorancës aktuale në pushtet, ka argumentuar para Asamblesë pse duhet të fitojë opozita në zgjedhjet e ardhshme dhe, mbi të gjitha, ka treguar se si duhet fituar. Madje, Rama ka shkuar edhe më tej në bindjen e tij te fitorja, ndërsa ka shpalosur vizionin e PS-së për 100 ditët e para të qeverisjes së majtë.

Sherri

Por jo gjithçka mund të thuhet se ka shkuar si në vaj në Asamble. Gjatë kohës që Rama ishte duke u kërkuar deputetëve përgjegjësinë maksimale gjatë fushatës me synim për të marrë më shumë vota se në zgjedhjet e mëparshme, ka përmendur termin “kooperativë”. Të punojmë si në kooperativë, të punojmë të gjithë dhe të gëzojmë të gjithë sipas rezultateve që do të arrihen. Ç’është kjo kooperativë që po na përmend këtu?, e ka ndërprerë deputeti Ilir Gjoni fjalën e Kryetarit duke replikuar ashpër me të. Me sa duket Gjoni ka parandjerë ndonjë rrezik nga ky argument. Nuk do kthehemi te kooperativat bujqësore, ka thënë Gjoni. Ligjërata e Gjonit ka qenë kundër argumenteve të Ramës dhe është shoqëruar me ngritje të toneve dhe me gjeste. Por Rama ka qenë i përmbajtur në reagimin e tij, e ka dëgjuar me durim ndërsa i ka kërkuar Gjonit të dëgjojë argumentet e tij. Unë të dëgjova ty, tani më dëgjo ti mua, i ka thënë Rama. Ndërsa një kryetar bashkie ka kundërshtuar hapur Gjonin. Edhe pjesa tjetër e Asamblesë, përfshi Gramoz Ruçin, ka qenë në anën e argumenteve të Ramës, pra në anën e kooperativave. Rama ka shtjelluar më tej argumentin e tij, duke përmendur shembullin e Presidentit francez Fransua Hollande, i cili pati deklaruar se askush që nuk merr më shumë vota në krahasim me zgjedhjet e mëparshme nuk mund të pretendojë të jetë ministër i tij. Mirëpo ky argument duket se nuk u shkon për shtat disa deputetëve të PS-së, të cilët për arsye të ndryshme kanë humbur terren në elektorat, ndaj dhe ndihen të rrezikuar në rast se bëhen krahasimet e shifrave nga një palë zgjedhjesh në tjetrën.

Aleancat

Një problem që i shqetëson socialistët aktualisht janë aleancat para dhe pas zgjedhore. Është folur shpesh për një aleancë të mundshme me LSI-në e Metës. Takimet e Ramës në Gjirin e Lalzit me Metën, ose në disa veprimtari publike, kanë përforcuar mundësinë e një aleance me LSI-në. Por duket se shumica e socialistëve janë kundër një aleance të tillë. Por ka dhe nga ata që janë pro. Dhe ata që janë pro argumentojnë se në rast se Ilir Meta del nga koalicioni me Berishën brenda nëntorit të këtij viti, duke e rrëzuar këtë qeveri, do të shlyejë një pjesë të mëkatit që e la PS-në në opozitë për katër vjet. Në këtë rastMetafiton pikë në sytë e elektoratit, duke u kujtuar se ai dikur ka patur si slogan të partisë së tij largimin e Berishës. Më vonë, sikurse është një pjesë tjetër që mendon se Meta mund të shkëputet nga Berisha në pranverën e ardhshme, do të jetë një humbje për Metën dhe PS nuk mund të bëjë aleancë me të, pasi Meta do të tregohet me gisht nga Berisha si simbol i korrupsionit në qeverisje dhe do t’u thotë socialistëve: Edhe ju si Meta jeni, të korruptuar. Ndërkaq, Nano dhe lëvizja e tij që mund të shndërrohet në parti politike, duket se nuk përbën shqetësim në PS. Lëvizja Nano dhe deklaratat e ish-liderit përcillen me shpërfillje në selinë rozë. Mirëpo duhet thënë se në rast se Nano hyn në zgjedhje me partinë e tij ende embrionale, mund t’i shkaktojë dëm PS-së, pasi në disa rrethe si në Tiranë, Vlorë, Fier, Korçë, Elbasan ai gëzon mbështetje dhe votat që mund t’u shkëpusë socialistëve të Ramës do të jenë të konsiderueshme duke lëkundur balancat në favor të të djathtëve.

ANALIZA SIPAS SHIFRAVE

Në  analizën e socialistëve zënë vend rezultatet zgjedhjeve lokale të vitit 2007 kurMetadhe LSI ishte aleate e së majtës dhe raportet janë si më poshtë:

Në Tiranë PS me Metën në 2007 ishte rreth 20 mijë vota para. Kur Meta u bashkua me Berishën në 2011-ën, PS doli 10 vota para, pra ka marre rreth 20 mijë vota më shumë.

Në Berat PS-ja me Metën mori  8146  vota, pa Metën mori 10 139  vota.

Në Durrës PS-ja me Metën mori  19 097  vota , ose 300 vota më shumë se PD-ja.  Pa Metën mori 33 368 vota, ose rreth 4 mijë vota më shumë se PD-LSI.

Në Elbasan PS-ja me Metën mori  15 870 vota  ose 600 vota më shumë  se PD-ja. Pa Metën mori 25 443 vota  ose rreth 8 mijë vota më shumë se PD-LSI.

Në Fier PS-ja me Metën mori 12,572  vota ose 2800 vota  më shumë se PD-ja, pa Metën mori  16,022  vota  ose rreth 5 mijë vota më shumë se PD-LSI.

Në Lushnje PS-ja me Metën mori   8,289  vota ose 3100 vota  më shumë se PD-ja. Pa Metën mori  11,662   vota  ose rreth 3700  vota më shumë se PD-LSI

Në Gjirokastër  PS-ja me Metën mori  6,342  vota ose 1200 vota  më shumë se PD-ja. Pa Metën mori   6,646   vota  ose rreth 1500  vota më shumë se PD-LSI

Në  Korçë PS-ja me Metën mori   13,662   vota ose 3000 vota  më shumë se PD-ja. Pa Metën mori    16,369   vota  ose rreth 2200  vota më shumë se PD-LSI

Në Vlorë PS-ja me Metën mori   18,428   vota ose 5900 vota  më shumë se PD-ja. Pa Metën mori   23,482  vota  ose rreth 5000  vota më shumë se PD-LSI. Në 2007 mori vetëm 1 Bashki nga 6 bashki që kishte qarku. Në 2011 pa metën mori 5 Bashki (Vlorë, Sarandë, Orikum, Himarë, Selenicë).

Në 2011 pa  Metën fitoi Kavajën, Laçin, Burrelin,Shijakun e shumë të tjera që ishin tradicionalisht të djathta.