Rama: “Akti normativ, i detyruar nga borxhet e shiritave”

456
Sigal

Akti Normativ  “Për disa ndryshime dhe shtesa në buxhetin e 2013-s”, sërish ngriti në maksimum tensionin politik

Dje në seancën plenare të Kuvendit u diskutua Akti Normativ i qeverisë “Për disa ndryshime dhe shtesa në buxhetin e vitit 2013”, i cili ka nxitur debate të ashpra midis deputetëve të maxhorancës dhe opozitës. Maxhoranca pretendon se përmes këtyre ndryshimeve synohet përmirësimi i situatës ekonomike, ndërsa për opozitën ky akt është i paligjshëm dhe do të rrisë nivelin e borxhit publik të vendit. Kryeministri Edi Rama e argumentoi aktin normativ për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2013 me domosdoshmërinë e shlyerjes së borxheve që qeveria paraardhëse i ka lanë maxhorancës së re. Në këtë akt normativ, Ministria e Financave ka ulur të ardhurat me 38.7 miliardë lekë, duke i pozicionuar ato ne nivelin 23.8% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Në këtë shkurtim, përfshihet reduktimi me 38.2 miliardë leke i të ardhurave tatimore, 4.1 miliardë lekë i granteve, ndërkohë që, të ardhurat jotatimore të institucioneve rriten me 3.6 miliardë lekë. Qeveria parashikon shkurtimin me rreth 16.2 miliardë lekë të shpenzimeve, nga të cilat 10.2 miliardë lekë janë shpenzimet korrente dhe 6 miliardë lekë shpenzimet kapitale, të njohura ndryshe si investimet. Ulja e te ardhurave dhe shpenzimeve padyshim do të reflektohen te treguesit e tjerë të buxhetit. Kështu, deficiti buxhetor parashikohet të rritet me rreth 22.6 miliardë lekë, duke arritur në 6.16% të PBB-së.  Thellimi i gropës në buxhet detyron qeverisë të rrisë borxhin me 24.8 miliardë lekë këtë vit. Me këtë rritje të re, borxhi publik i vendit prek nivelin e 68% të PBB-së, pa përfshirë këtu detyrimet e pashlyera ndaj biznesit, që e çojnë këtë tregues në mbi 73%. Ministria e Financave shpjegon në relacionin që shoqëron aktin normativ se, synohet përshtatja e buxhetit 2013 me përbërjen e qeverisë dhe reflektimi i disa emergjencave të programit të saj.

Akti Normativ, u votua mbrëmë në orën 21,40 me 79 vota “Po” dhe 42 vota kundër.

Rama- PD-së: Harxhuat fondet për fushatë, i latë invalidët pa bukën e gojës

Kryeministri Edi Rama e argumentoi aktin normativ për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2013 me domosdoshmërinë e shlyerjes së borxheve që qeveria paraardhëse i ka lanë maxhorancës së re. Shefi i qeverisë përmendi vonesat në shlyerjen e detyrimeve për personat me aftësi të kufizuar, harxhimin e fondit të emergjencave dhe borxhet që shteti u ka bizneseve, duke theksuar vendosmërinë e qeverisë së tij për të tejkaluar atë që e cilëson si situatë të rëndë të financave të vendit.  “Buxheti i këtij shteti i detyrohet personave më në hall të kësaj shoqërie, personave me aftësi të kufizuar një shërbim modest për vetë kushtet e Shqipërisë, por që për ta do të thotë një fjalë shumë të thjeshtë bukën e gojës. Për këtë bukë goje, buxheti i këtij shteti i miratuar nga ata që në 23 Qershor morën 1 mln shuplaka parashikonte 174 mln dollarë. Nga këto para në prill, maj qershor, në prag të fushatës janë shpenzuar 94% të fondit pa u përpjekur se ku do ta gjejnë bukën e gojës ata që nuk kanë asnjë mundësi tjetër për të siguruar bukën e gojës. Ky vend ka dhe një fond për ato që quhen emergjenca civile dhe ka edhe një rezervë të vetën për ato raste që nuk janë pak, të përsëritura kur njerëzve u duhet buka e gojës. Në listën e borxheve na janë shfaqur edhe fatura të restoranteve që thonë kanë ngrënë kanë pirë dhe kanë ikur pa paguar asgjë. Keni pasur zorrën më të babëzitur për të thithur karburantin. 0 litra karburant për emergjencat civile”,- deklaroi Kryeministri Rama.

Mima: Borxhi? Si fshatari që nuk ka lekë për farën e tokës, po merr borxh për xhaketë “Versaçe”

 “Njëlloj si një fshatar që nuk ka lekë për të blerë as farat për të punuar tokën, por shkon e merr para borxh për të blerë xhaketë Guçi e Versaçe”,- kështu e cilësoi deputeti demokrat, Florion Mima marrjen e borxhit nga qeveria.

 

Bushati: Shërbimi i Jashtëm ka një buxhet mizerje, ambasadat janë kthyer në konvikte
Ministri Bushati kritikoi mënyrën se si po funksionon shërbimi jonë i jashtëm. Sipas tij, “Ambasada sot është kthyer në një vend qokash, është kthyer në një agjenci lobiste, të 55 përfaqësitë që kemi në botë operojnë pa strukturë, pa organikë, janë shndërruar në konvikte, sepse kanë futur të gjithë motrat e vëllezërit, ku çdo gjë zgjidhet po të marrësh në telefon ndonjë njërin nga ata”.

Replika Topalli – Meta

Ish-Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli kërkoi tërheqjen e aktit normativ për buxhetin, me pretendimin se është në thyerje të rregullores së kuvendit dhe rregullores për pr/buxhetin. Duke sulmuar kryetarin e parlamentit Meta, Topalli tha se “maxhoranca po kalon sot në kuvend një akt terrorist”. Në përgjigje të akuzave të Topallit, kryetari i parlamentit Meta tha se aktet normative hyjnë automatikisht në rendin e ditës.

“Së pari mirëmëngjesi njëherë, se ju erdhët tani. E vetmja shkelje e rregullores që unë kam bërë deri tani është që jua jap juve fjalën vazhdimisht. Ju e dini shumë mirë që aktet normative hyjnë automatikisht në rendin e ditës dhe kryetari nuk mund ta nxjerrë jashtë rendit të ditës.”- deklaroi Meta.