Sokol Olldashi: “Qeveria e Ramës dhe çeta e Shahinit”

415
Sigal

Një muaj e gjysmë pas ndërrimit të ngjyrës së zyrës së Kryeministrit, unë, por besoj që njësoj si unë, gjithkush tjetër, e ka të vështirë të thotë se ç’po bën kjo qeveri. Cilat janë prioritetet afatshkurtra, cilët janë objektivët e shpejtë, cila është linja e veprimit qeverisës dhe ku çon ajo. Është e pamundur, sepse nuk ka një logjikë të tillë qeverisëse. Më shumë sesa si qeveri, ky grupi këtu prapa foltores, është sjellë deri tani si çetë. Edhe kështu vizualisht duken si çeta e Shahinit në tablonë e Spiro Xegës. Deri me sot, kemi shfaqje, broçkulla, zhbërje, – jo thelb, asnjë rezultat konkret. Gjëja e parë që bëri çeta sapo zuri vend, shpërndau anëtarët lart e poshtë nëpër Tiranë, për të shënuar me marrëzi kufijtë e zonës së tyre të veprimit, sikurse bëjnë të gjithë felinët. Se dyti, pas vendosjes së kufijve, u bëri të qartë juve, deputetëve të PS-së, se çeta nuk është e juaja dhe as e popullit socialist, por e Edi Ramës dhe e Ilir Metës. Shikoni ç’po ndodh në qarqet, ku ju vetë jeni deputetë.  Në Durrës, 69 % e pushtetit real i është dhënë pjesës së bashkëkryetarit, LSI. Në Fier, i është dhe 71, sepse ndarja e plaçkës së pushtetit është pa rëndësi në nivel lokal. Çeta është qartazi e ndarë, njëra LSI, mban plaçkën e pushtetit; tjetra, PS, territorin e pushtuar dhe plaçkën në nivel qendror. Pas përcaktimit të këtyre pozicioneve, çeta hapi librin e mllefeve dhe filloi larjen e hesapeve. Fillimisht me policinë e shtetit. Brenda një dite, u shkarkuan të gjithë drejtuesit e policisë së shtetit, në nivel qendror dhe lokal, pa asnjë motiv, në shkelje brutale të ligjit.  Por çeta s ka lidhje me ligjin. Siç tha njëri nga anëtarët e saj, çeta nuk ka nevoje për ligj, çeta bën atë që mendon. Dhe, kur ajo që mendon çeta është kundër ligjit, ligji bëhet i paqenë. U emëruan të tjerë. Të gjithë në shkelje të ligjit. Por, ligji prapë s’hyn në punë, sepse çeta bën atë që mendon.  Njerëz të bojatisur si demokratë në kohët e fundit të qeverisjes sonë, tani po kërkojnë pazaret me ndërmjetësit krenarë të PS-së dhe të lire të LSI-së, për të mbajtur në këmbë përmes zarfeve prej 300 mijë eurosh në muaj, perandori të bixhozit të paligjshëm. Por, që operacioni “Prisni sa të verifikojmë” të funksionojë, duhet që të zhbëhet struktura e hetimit të krimit ekonomik, ajo që ka hetuar anëtarë dhe të afërm të çetës, dhe që rrezikon të mbajë përsëri shënime për ato që po ndodhin sot.  Pas bixhozit, çeta sqaroi hesapet me doganat dhe tatimet.  Pas doganave dhe tatimeve, çeta filloi të zgjidhë legalizimet.  Siç i kishte premtuar. Duke rrethuar me shiritin e batalionit të mbledhjes së drithit çdo ndërtim në Tiranë.  Edhe këta të ndërtimeve duhet të presin “sa të bëhen verifikimet”. Domethënë, duhet të nxitojnë të paguajnë për të qenë të verifikuar.  E fundit gjë që dua të them për çetën është se rëndom, kryetarët e tyre kanë problem me historinë. Dhe në këtë pikë ju rrezikoni të keni të njëjtën fat me çetën e famshme të jugut të vendit. Këtej nga Shqipëria e Mesme, e dinë për patriot, por po të shkosh e të pyesësh në fshatrat e Lunxhit apo Toskërisë, të thonë që ishte vetëm një bandit plaçkitës.