Pse duhet një reformë e re territoriale

283

Nga Prof. Dr. Bajram Hysa

Nëse sot kryefjala e politikës shqiptare dhe ndërkombëtarëve janë; reforma në drejtësi dhe reforma zgjedhore, katër vjet më parë ishte një tjetër reformë, reforma administrative. Kur ligji për ndarjen territoriale e ndau Shqipërinë ka 61 zona administrative, Kuvendi kish përpara një sfidë tjetër aspak të lehtë; pasqyrimin e tij në ligje të tjera që lidhen ngushtë me të: në ligjin për funksionimin e pushtetit vendor dhe në Kodin Zgjedhor, por kjo nuk ndodhi. Reforma territoriale, e kalkuluar elektoralisht nga PS, e njëanshme dhe pa kompromis mes palëve politike, u trumbetua si një domosdoshmëri për t’u shërbyer sa më mirë bashkësive të banorëve. Pra reforma nuk ishte gjithëpërfshirëse. Procesi i realizimit të saj duhet të siguronte përfshirjen e të gjitha forcave politike, shoqërisë civile dhe të vetë komunitetit. Forcat politike nuk duhet të niseshin nga interesat e tyre elektorale. Ndarja administrative territoriale e vendit nuk është ndarje e zonave elektorale. Një qëndrim i tillë i forcave politike e dëmtoi mjaft përmbajtjen e reformës. Si e tillë kjo reformë në ndarjen territoriale nuk solli asgjë të re, madje e rëndoi mjaft gjendjen sociale , arsimore dhe shëndetësore të banorëve, pasi nuk u pasua me një reformë në qeverisjen vendore. E ritheksojmë se që të funksiononte dhe të jepte efektet e dëshiruara kjo reformë duhej të ishte bërë njëkohësisht me ndryshimet në ligjin për decentralizimin e pushtetit vendor dhe me kodin zgjedhor. Produkti që prodhuan zgjedhjet vendore pa kundërshtar të 30 qershorit 2019 do të jenë të vështira për t’u menaxhuar nga pikëpamja administrative, sepse kanë sjellë një politizim total të pushtetit vendor dhe në këto rrethana nuk mund të sjellin pushtet vendor të reformuar, një Kod të ri Zgjedhor dhe një administratë zgjedhore e ndryshuar, ku të jenë përfshirë edhe rekomandimet e OSBE-ODIHR-it. Në këto rrethana Kuvendi nuk duhet të merret me lojëra fjalësh dhe diskutime bajate, si ajo për shkarkimin e presidentit, por duhet të punojë për të rregulluar hartën territoriale, që po shpopullon zonat rurale, po mbyll shkollat dhe shton varfërinë.

Pabarazia dhe varfëria

Pabarazia dhe varfëria janë rritur në Shqipëri gjatë viteve të fundit pas ndarjes së re territoriale. Komisioni Evropian ka pohuar së fundi se shkalla e varfërisë në Shqipëri është rritur në 35.2%. Ndërsa sipas Indeksit të varfërisë Multidimensionale të këtij viti, Shqipëria renditet në vendin e e 68, ku më mirë shfaqet Mali i Zi, i renditur i 50, ndjekur nga Serbia e 67.

A po ndjekin fëmijët shkollën? A po mbyllen shkollat në masë? Madje edhe fakultete? A kanë familjet qasje në ambientet e kujdesit shëndetësor? A po marrin komunitetet ujë të pastër, rregullisht dhe energji elektrike? A ushqehet rregullisht familja? Këto janë disa nga faktorët që mund të ilustrojnë varfërinë shumëdimensionale, e cila shikon privimet e ndryshme që njerëzit përballen në të njëjtën kohë në aspekte të ndryshme të jetës së tyre, jo thjesht mungesën e të ardhurave. Të gjitha këto faktorë janë pjesë e studimit të UNDP mbi Indeksin e varfërisë Multidimensionale. Sipas Indeksit të këtij viti, Shqipëria renditet në vendin e e 68 e studiuar sipas kategorive të studimit, ku më mirë shfaqet Mali i Zi, i renditur i 50-i, ndjekur nga Serbia e 67-a. Ndërsa Maqedonia në rajon renditet e fundit, e 80-a. Shqipëria nuk ka ndryshime me raportin e një viti më parë, ndërsa specifikat e studimit tregojnë se përqindja e popullsisë që jetojnë në varfëri multidimensionale është 0.1 %, ndërsa përqindja e popullsisë që jeton nën kufirin minimal të jetesës është 14.3 %.

Gjendja në arsim është katastrofike. Mjafton të sjellim vetëm një fakt rrëqethës: Në Çorovodë këtë vit nuk është regjistruar asnjë fëmijë në klasën e parë! Sipas shifrave të bëra publike nga shtypi dhe të evidentuara edhe nga opozita janë 133 mijë nxënës që kanë braktisur shkollën në 4 vitet e fundit dhe është rritur në 64 mijë të numrit të analfabetëve për mungesën totale të kushteve të mësimdhënien në gjysmën e shkollave të vendit. Ka dhjetëra shkolla të mbyllura në të gjitha qarqet e vendit, janë rreth 9 shkolla në Lezhë, 10 shkolla në Bulqizë, 10 shkolla në Mat, 6 shkolla në Klos, 8 shkolla në Pogradec, 3 shkolla në Devoll, 18 shkolla në Elbasan, 18 shkolla në Gjirokastër, 8 shkolla në Tiranë, 3 shkolla në Berat, janë disa shkolla në Vlorë, është një shkollë në Shkodër, janë rreth 150 shkolla të mbyllura sot. Dinamikat sociale në ndryshim dhe sfidat që vendi duhet të përmbushë në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, theksojnë nevojën për qasje e përkthim të politikave në mënyrë më të integruar duke siguruar aksesin e barabartë, cilësinë dhe kategoritë e nevojshme për shërbime sociale apo shëndetësore, si dhe ekonominë e shkallës. Reforma territoriale nuk ka ofruar një mundësi pozitive për planifikimin social lokal në një shkallë më të gjerë si dhe nuk ka përcaktuar qartë rolet dhe përgjegjësitë. Reforma duhej të artikulonte qartë misionin e saj në përgjithësi dhe rolin e tij social në veçanti. Përveç vlerësimit të nevojave dhe planifikimit të shërbimeve sociale, duhej përmirësuar shpërndarja e shërbimeve të specializuara dhe përmirësimi në shkallë të gjerë i tyre, duke siguruar përkthimin e përparësive kombëtare në nivel lokal.

 

Të respektohet Karta Evropiane

Duke bërë një analizë të stadit të sotëm të zhvillimit demografik, social, ekonomik, politik (procesi i decentralizimit të pushteteve, reforma elektorale) dhe e shumë proceseve të tjera, dalim në përfundimin se është koha e duhur për një ndarje të re administrative me konsensus të gjerë politik. Që të realizohet një reformë e suksesshme duhet të merrte mendimi i ekspertëve më të mirë, të cilët gjenden në universitete dhe institucionet e tjera kërkimore-shkencore.

Ende në vendin tonë ndihet roli autoritar dhe imponues i pushtetit qendror, ndaj është me rëndësi të veçantë decentralizimi i punëve dhe kompetencave, edhe për sa i përket organizimit administrativ të territorit. Në mënyrë që reformat ë jetë e gjithë pranuar jo vetëm nga faktorët politikë, por edhe nga administratorët lokalë dhe institucionet ndërkombëtare, publiku i gjerë dhe të gjithë aktorët duhet të ndërgjegjësohen për nevojën e ndërhyrjeve përmirësuese në ligjin aktual të ndarjes territoriale, në përputhje me stadin e arritur dhe perspektivën e zhvillimit demografik dhe social-ekonomik të vendit. Është absurde të mendosh se mund të hapen negociatat dhe të fillojë procesi i anëtarësimit në BE pa decentralizmin e pushtetit vendor dhe të kompetencave.

Reforma e re territoriale duhet të respektojë dispozitat e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore dhe, veçanërisht, duhet të garantojë pavarësinë politike, administrative dhe financiare të njësive të qeverisjes vendore. Është thelbësore që procesi i vendimmarrjes për këtë reformë të jetë transparent, përfshirës dhe konsensual. Një reformë e vërtetë administrativo-territoriale duhet të synojë fuqizimin e njësive të qeverisjes vendore duke rritur kapacitetin e tyre për të ofruar shërbime të një cilësie të lartë për qytetarët dhe rritjen e efiçencës së menaxhimit të burimeve natyrore, financiare dhe njerëzore të këtyre njësive. Ndarja e re territoriale nuk ka mundësuar realizimin e objektivave për rritjen dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, afrimin e tyre ndaj qytetarëve, zhvillimin dhe kontrollin e territorit si dhe rritjen e efiçiensës së funksionit të qeverisjes vendore. Ata që e bënë kanë menduar vetëm për interesa elektorale. Po kur “Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar duhet të mendojë për gjeneratën e ardhshme”, ka thënë Alcide de Gasperi.