Protestojnë dhe plagosen qytetarë, gazetarë e policë, për të mbrojtur një trafikant

614
Sigal

Petraq BARJAMI

EKSKLUZIVE: Gazeta “Telegraf” zbardh strategjinë e re politike të Opozitës deri në 28 qershor 2018

Shqipëria në prag të vendimmarrjes të qershorit 2018, të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësim, ndodhet në një krizë të madhe politike. Ish-ministri i Brendshëm i qeverisë së Rilindjes është me arrest në shtëpi, i akuzuar nga Drejtësia Italiane ,që si ministër ka bashkëpunuar me trafikantë ndërkombëtarë të Drogës, ndërkohë, që edhe ministri i dytë i Brendshëm i qeverisë së Ramës, Fatmir Xhafaj ka në burgun e Italisë vëllanë Agron Xhafaj, i dënuar për trafikimin ndërkombëtar të drogës, ndërkohë, që hetohet zyrtarisht edhe në Shqipëri për aktivitet kriminal, në kohën që vëllai i tij është ministër.

Kryeministri: Ministri i Brendshëm nuk ka përgjegjësi morale për aktivitetin kriminal të vëllait

Prokuroria e Krimeve të Rënda zyrtarisht po heton Agron Xhafaj, vëllanë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, për aktivitet kriminal të trafikimit ndërkombëtar të drogës, edhe në kohën që ka të vëllanë ministër të Brendshëm. Vetëm ky fakt do të mjaftonte, që ministri i Brendshëm Xhafaj të japë dorëheqjen, në mënyrë që Prokuroria të hetojë paanshmërish aktivitetin kriminal të Agron Xhafaj. Madje, Prokuroria e Krimeve të Rënda duhej edhe të sekuestronte pasurinë e familjes Xhafaj, (edhe të ministrit Xhafaj), sipas ligjit Antimafie, derisa Agron Xhafaj është i dënuar për aktivitet të trafikimit ndërkombëtar të drogës. Mirëpo, ministri Xhafaj nuk pranon të japë dorëheqjen. Ndoshta, sepse me autoritetin e postit të ministrit, kërkon të manipulojë edhe hetimet e Prokurorisë ndaj vëllait të vet. As kryeministri Rama nuk i kërkon dorëheqjen ministrit Xhafaj, teksa deklaroi ditë më para, se ministri Fatmir Xhafaj nuk ka përgjegjësi morale dhe politike për aktivitetin kriminal të vëllait të tij. 

Protesta e 26 majit, kundër qeverisë së krimit dhe drogës 

Parlamenti i Shqipërisë, në 2015-n miratoi ligjin e dekriminalizimit. Shqipëria është vendi i parë në histori që miraton një ligj, që të dekriminalizojë parlamentin nga deputetë me rekorde kriminale. Në 26 maj 2018, shqiptarët protestojnë kundër qeverisë, që siç e cilësojnë protestuesit “…është qeveria e krimit dhe e drogës”. Në 26 maj, protestuesit çojnë para kryeministrisë një hartë me “familjet mafioze, qeveritare”.

Ora 10:32- PD ka shfaqur simbolin e tretë të protestës pak minuta para nisjes së saj në orën 11:00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Banderola me sloganin “Poshtë Pashallarët e Krimit”, risjell në vëmendje skandalin Xhafaj për shkak të episodit të njohur kur gjatë pazarit për drogën, Agron Xhafajn e quajnë “Pasha”. Banderola mban portretet e Edi Ramës dhe dy ministrave të tij të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe Saimir Tahiri me nga një kryq të kuq mbi secilin portret.

Ora 11:00- Të rinjtë e PD kanë shpërndarë disa pako përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, pak minuta para protestës. Pakot janë si ato që jemi mësuar rëndom të shohim në operacionet e policisë për kapjen e drogës. Me veshje të zezë dhe pluhur të bardhë, pakot janë vendosur përtokë para kryeministrisë, ndërsa mbi to shkruhen emrat e shënjestruar nga opozita prej ditësh, një prej tyre “Xhafaj”.

Ora 11:10- Nisi marshimi-protestë i opozitës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. I pari që iu është bashkuar protestuesve ka qenë kreu i PD-së Lulzim Basha, më pas kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi dhe më pas ish-kryeministri Sali Berisha, të cilët janë pritur me thirrje të shumta nga qytetarët. “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”; “Rama ik!”, “Xhafaj ik!”, janë thirrjet e protestuesve. 

Basha: Nuk i mbyllim sytë përpara krimit dhe drogës

Në protestën e 26 majit 2018 kryetari i Opozitës, Lulzim Basha mbajti të vetmin fjalim, kur ndër të tjera theksoi: “Sot nga ky shesh i mbushur si kurrë më parë, ne dëshmojmë se ne nuk e pranojmë autokracinë, korrupsionin dhe se ne nuk mbyllim sytë. Kurrë autokratët e korruptuar. Popullit iu premtua drejtësi, por mbrojti kriminelët dhe pushtetarët e lidhur me krimin. Përpjekja jonë nuk është përplasje mes qeverisë dhe nuk është luftë për pushtet, por është përpjeka jonë me popullin kundër sundimtarit shkatërrues. Përpjekja jonë është beteja mes njerëzve që duan drejtësi”- tha Basha.

Ora 12:15- Protestuesit drejtohet për tek ministria e Brendshme, mirëpo aty përballen me forcat e shumta të policisë së Shtetit. Situata tensionohet. Policia e Shtetit përdor dhunë verbale kundër protestuesve, të cilët përgjigjen me mjete rrethanore. Plagosen protestues dhe disa policë. Ndërkohën, një polic qëllon me shkop gome disa herë në kokë kryeredaktorin e RD-së, me kaq agresivitet, pa shkak, sepse gazetari nuk gjuante policinë, sa i rrezikon edhe jetën.

“Mafien keni frikë?!”, protestuesit refuzojnë të largohen nga Ministria, pavarësisht thirrjes së Bashës

Pas tensioneve dhe përplasjeve mes protestuesve me kordonin e policisë tek godina e Ministrisë së Brendshme, kreu i PD ka kërkuar tërheqjen e tyre, por duket se një pjesë e tyre refuzojnë të largohen nga ky institucion. “Pse të largohemi, kë keni frikë mo? Mafian keni frikë!”- shprehen disa nga protestuesit drejtuar deputetëve të PD që po përpiqen që t’i bindin për të mos krijuar incidente dhe të largohen nga Ministria e Brendshme.

Procedohen në gjendje të lirë 31 protestues

Një ditë pas protestës së opozitës në Bulevard, Policia e Shtetit ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për 31 protestues, të cilët dyshohet se janë përplasur me forcat e rendit. Sipas Policisë së Shtetit, ata janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, pasi akuzohen për kundërshtim të punonjësve të policisë, shkelje të lejes për protestë, si dhe goditje për shkak të detyrës.

Opozita: Do vazhdojmë denoncimet, kthehemi në parlament

Mbrëmë kryetari i PD-së Lulzim Basha mblodhi kryetarët e partive aleate, Monika Kryemadhi, Fatmir Mediu, Dashamir Shehi,  Vangjel Dule, Agron Duka dhe Nard Ndoka, për të përpunuar strategjinë e Opozitës pas protestës së 26 majit 2018. Sipas burimeve  ekskluzive  të gazetës “Telegraf”,  kryetari i PD-së Basha dhe kryetarët e partive aleate të Opozitës, vendosën që opozita do vazhdojë denoncimet ndaj veprimtarisë kriminale të vëllait të ministrit Xhafaj, do të këmbëngulë deri në dorëheqjen e detyruar të ministrit Xhafaj, por do të kthehet në parlament, si në komisionet parlamentare, ashtu edhe në seancat parlamentare. Siç bën me dije për gazetën “Telegraf”, nga ky takim, u vendos që opozita të ndjekë këtë strategji politike deri në 28 qershor 2018, që të mos i jepet mundësi mazhorancës, që të akuzojë opozitën, në rast se Këshilli i Ministrave të BE-së vendos moshapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë. Sot Grupi Parlamentar i Opozitës do të dalë me një deklaratë shtypi dhe të zbardhë strategjinë opozitare deri në 28 qershor 2018, ditën kur BE-ja vendos  fatin e  hapjes ose jo të negociatave.

Reagimet politike

Lulzim Basha: Do vazhdojmë betejën tonë

“Populli dha sot mesazh të qartë qeverisë së krimit. Ne do vazhdojmë përpjekjet kundër qeverisë më anti-evropiane në botë. Sot shqiptarët folën dhe sot foli dhe Evropa. Nuk ka integrim me pushtetarët që mbrojnë të afërmit te tyre të kapur nga krimi. Për një jetë më të mirë, do ta vazhdojmë këtë betejë deri në fitore”.

Rama: Faleminderit çdo shqiptari që nuk dëmton Shqipërinë për babalepartinë!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar menjëherë pas mbylljes së protestës së opozitës. Ai ka postuar një foto të një punonjësi të pastrimit, duke pastruar bulevardin, ndërsa falënderon demokratët që, sipas tij, nuk iu bashkuan ‘babale protestës’. “Faleminderit të gjithë atyre demokratëve, të cilët nuk duan ta shohin me sy qeverinë, po e refuzuan ftesën për të marrë pjesë në babaleprotestën sa qesharake, aq edhe të pabesë ndaj çdo shqiptari e shqiptareje, që nuk pranon të dëmtojë Shqipërinë për babalepartinë”.

Kryemadhi i bën thirrje Ramës: Tërhiqu, shqiptarët të kanë lënë vetëm!

“Në emër të gjithë atyre simpatizantëve dhe anëtarëve të LSI-së falënderoj të gjithë qytetarët që ishin atje dhe gjithë ata që në pamundësi për të marrë pjesë t’i falënderoj për besimin, forcën, kurajën që i dhanë protestuesve. Dita e sotme ishte një protestë qytetare për të treguar që kjo është një opozitë e bashkuar, qytetare, që e afron Shqipërinë me BE-në dhe është vetëm qeveria e krimit dhe drogës e Edi Ramës që e largon Shqipërinë nga BE-ja. Falënderoj të gjithë ata policë që kryen detyrën e tyre, por dënoj ata që dhunuan gazetarin dhe kryeredaktorin e “Rilindjes Demokratike”. I bëj thirrje prokurorisë të nisë hetimet. Rama është i vetëm, duhet të tërhiqet. Të largohet dhe t’i japë një shans Shqipërisë për hapjen e negociatave me BE-në. 

Sali Berisha: Pjesëmarrje masive në protestën që futi Ramën dhe mazhorancën në tunele dhe bunkere!

Ish-kryeministri Sali Berisha reagoi për protestën që zhvilloi pardje opozita. “Pjesëmarrje masive në protestën që futi Ramën dhe mazhorancën në tunele dhe bunkere! Sb”. Ish-kryeministri Sali Berisha atë ditë bisedoi disa çaste me efektivët e policisë e vendosur përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit: “Ju të bëni veting dhe ministri juaj të mos bëjë. E drejtë është kjo, absolutisht nuk është. Deri sa të bëjë vetingun ai, ne nuk i ndahemi. Punë të mbarë. Mos keni merak, asnjë shqetësim nuk do keni”, dëgjohet Berisha në video, teksa iu thotë efektivëve të policisë. 

Shoqatat e gazetarëve pse heshtin për dhunën ndaj gazetarit!

Shoqatat, Lidhjet dhe Unionet e gazetarëve në Shqipëri heshtën dhe nuk dënuan dhunën e Policisë së Shtetit kundër kryeredaktorit të RD-së. Siç heshtën edhe ndaj akuzave që i bëhen gazetarit investigativ të audio-përgjimit. Detyra dhe misioni i gazetarit është të publikojë gjithçka, qoftë ky edhe material tepër sekret. Nëse materiali është tepër sekret duhet të dënohen ata që iu kaë rrjedhur materiali, jo gazetari pse publikon. Mirëpo, shteti duhet të publikojë, financuesit e sponsorizuesit e shoqatave, lidhjeve dhe unioneve të gazetarëve në Shqipëri, për të kuptuar edhe më mirë heshtjen e tyre ndaj dhunimit të gazetarëve nga Policia e Shtetit. Sepse financuesit e këtyre (pseudo) sindikalistëve të gazetarëve, ndoshta janë edhe urdhëruesit e dhunuesve të gazetarëve.