Prokuroria: Nëse Nishani e shkarkon, mandati i Ina Ramës në Kushtetuese

465
Sigal

Prokuroria e Përgjithshme pritet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim të çështjes që lidhet me përfundimin e mandatit të kreut aktual të këtij institucioni. Burime pranë organit kryesor të akuzës bëjnë me dije se një nismë e tillë do të ndërmerret vetëm nëse presidenti Nishani do të firmosë dekretin për shkarkimin e Ina Ramës.  Reagimi i Prokurorisë vjen një ditë pasi Presidenti i Republikës deklaroi në një intervistë televizive se mandati i Ina Ramës ka përfunduar. Megjithatë burimet zyrtare të prokurorisë bëjnë të ditur se çdo nismë ligjore do të ndërmerret vetëm kur të jetë zyrtarizuar dekreti i shkarkimit nga ana e kreut të shtetit.  Edhe pse ministri i Drejtësisë dhe deputetë të maxhorancës kanë deklaruar se, duke nisur nga dita e sotme vendi i kryeprokurores është vakant. Ina Rama është paraqitur sot në zyrën e saj duke ushtruar normalisht funksionet e saj kushtetuese. I gjithë debati i referohet ndryshimeve kushtetuese të prillit 2008, ku mandati i kryeprokurores u kufizua në 5 vjet. Ina Rama u emërua në detyrë në 22 nëntor 2007 dhe sipas maxhorancës mandati i saj përfundon fiks pas 5 vjetësh, pra në 22 nëntor të 2012.  Ndërkohë opozita ka deklaruar se ligji nuk mund të ketë fuqi prapa vepruese dhe se mandati i Ina Ramës do të nisë si i kufizuar nga data kur kanë hyrë në fuqi ndryshimet kushtetuese pra në 23 maj të 2008 dhe përfundon në 23 maj të 2013-ës. Ndërkaq asnjë prej palëve nuk i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ndërsa presidenti ka nisur procedurat për emërimin e kryeprokurorit të ri, duke e cilësuar të ezauruar mandatin e Ina Ramës.

Kryeprokurori i ri, Spahiu apel Nishanit dhe partive. Akuza Ina Ramës: Dështove 

Kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu i ka bërë apel Presidentit të Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani dhe klasës politike që të mos emërojnë kryeprokurorin e ri të shtetit me procedurë antikushtetuese. Në një deklaratë për mediat, Spahiu paralajmëron se nëse AK vjen në pushtet  do shkarkojë prokurorin e zgjedhur në shkelje të Kushtetutës. Ndërkohë, kreu i kuqezinjve ka shigjetuar edhe Kryeprokuroren Ina Rama, duke e akuzuar se dështoi në hetimin e Kryeministrit Berisha si dhe nuk arrestoi asnjë ministër.